REPORTAZHI: Përpjekja për të vendosur në hartën turistike qytezën mesjetare të Sardës

26 Shtator 2020, 13:08Turizëm TEMA

E ngritur mbi një kodër në ishullin e Shurdhahut – i krijuar nga ndërtimi i rezervuarit të HEC-it të Vaut të Dejës, qyteza mesjetare e Sardës ishte dikur seli peshkopate, qendër kulturore dhe pikë takimi midis kulturave.

Nga Anila Dushi

Sarda, një qytezë mesjetare në ujdhesën e Drinit mes Shkodrës dhe Lezhës, ka qenë përherë e vështirë për t’u mbërritur. Dikur ajo ishte e rrethuar në tre anë nga rrjedha e lumit dhe faqet shkëmbore të kodrës që binin thikë në ujë.

Në këtë kodër mes shekujve 12-të dhe 14-të kishte ngrihej peshkopata e Sardës dhe qyteti me të njëjtin emër. Ajo rrethua përfundimisht nga uji në vitet 1970, pas ndërtimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës, duke formuar ishullin e Shurdhaut.

Prej kësaj kohe e vetmja mënyrë për të vizituar rrënojat e 12 kishave dhe muret e mbetura në këmbë të qytetit me një histori dhe ndikim jo të vogël në zonë, është udhëtimi me varkë përmes liqenit artificial.

E ndarë administrativisht mes Bashkisë së Shkodrës dhe asaj të Vaut të Dejës, edhe pse ka tërhequr disa qindra vizitorë edhe në kohë të pandemisë, Sarda nuk ka pasur as promovim dhe as vëmendje për punë të vogla infrastrukture nga pushteti vendor.

“Është absurd që Sarda është e ndarë në dysh,” thotë Artef  Lekaj, pronar i një varke të vogël që organizon udhëtime për në ishullin dhe kalanë e tij që është monument kulture i kategorisë së parë.

“Jemi interesuar tek të dy bashkitë, por ato vetëm e dinë se ekziston dhe aq,” u ankua Lekaj.  “Para disa vitesh patën thënë se do ndërtohen mole të vegjël në brigjet e ishullit, por kjo nuk ka ndodhur,” tregoi ai.

Ishulli është rreth 10 milje larg nga Vau i Dejës. Për të shkuar aty zakonisht vizitorëve u duhet të hipin në një varkë apo anije të vogël në zonën e Rragamit dhe të lundrojnë mes shpateve të maleve që pasqyrohen në ujin e pastër.

Ishulli dhe historia e tij, si dhe rrënojat arkeologjike të kishave dhe muret e qytetit janë pak të njohura, megjithëse aty jetoi dhe vdiq i mbytur në Drin në vitin 1622 një prej shkruesve më të hershëm të shqipes, Peshkopi i Sapës dhe Sardës, Pjetër Budi.

Në librin  për Sardën, “Shurdhahu – Sarda qytet i fortifikuar mesjetar shqiptar”, arkeologët Hëna Spahiu dhe Damian Komata, përshkruajnë një qytet të zhvilluar. Pjesë të qytezës u mbulua nga uji pas ndërtimit të rezervuarit të Vaut të Dejës, ndërsa gërmimet arkeologjike të shpëtimit në vitet 70’ zbuluan monedha dhe enë të viteve 1100.

Sarda mendohet të ketë qenë një prej qendrave të rëndësishme kulturore dhe pikë takimi mes kulturave kryesore të gjithë trevës së Veriut të vendit, ku piqej Malësia e Shkodrës, Mirëdita dhe Zadrima. Edhe në mesjetë ajo ka qenë e rrethuar prej një sërë qytezash të ngjashme, mes Shkodrës dhe Lezhës.

Jo shumë larg saj, ndodhet vendbanimi i hershëm i Gajtanit, vendbanimi i Jubanit, kalaja e Danjës (sot Vau i Dejës) dhe kalaja e Dalmacës.  Sipas arkeologëve Spahiu e Komata, qyteti i rrethuar prej ujit që në fillimin e tij, mund të jetë shkatërruar nga zjarri.

Lekaj mendon se bashkë me një sërë destinacionesh të njohura, si Velipoja, Thethi dhe Vermoshi që vizitohen prej shumë vitesh, Sarda ashtu si grykëderdhja e lumit të Shalës, mund të pasurojnë turizmin e qarkut të Shkodrës.

Njëkohësisht kryetari i shoqatës “Sarda”,  ai ka investuar prej vitesh në përpjekje për ta bërë ishullin dhe rrënojat e qytezës një vend turistik, por përpjekjet e tij kanë mbetur personale, ashtu si ato të pronarëve të lokaleve nga ana tjetër e liqenit që dërgojnë herë pas here vizitorë në ishull.

Ai është i bindur se ishulli dhe udhëtimi në liqen janë një përvojë interesante. Uji siç thotë ai është i pastër në këtë zonë, pasi mbetjet nga zonat urbane të mësipërme mbeten në liqenin e Komanit.

Pamja që të mbetet në mendje nga udhëtimi për në ishull është ajo e shpateve të gjelbra e shkëmbore që pasqyrohen në ujërat e Vaut të Dejës.

Artef  Lekaj thotë se prej vitesh po përpiqet të nxisë kureshtjen për kalanë, kishat dhe vetë ishullin, ndërsa i tha BIRN se këtë vit vizitat ditore kanë filluar në mesin e mesin e muajit korrik – për shkak të pandemisë, dhe përllogariten rreth 1000 vizitorë që kanë parë ishullin.

Ai tregon se shumica e vizitorëve, janë shqiptarë, por megjithë bllokimin e udhëtimeve ka pasur edhe dy duzina të huaj, kryesisht italianë. Uji i kthjellët përreth ishullit afron mundësi për plazh dhe vizitorët vendosen në brigjet e tij dhe e shfrytëzojnë për tu larë.

Dy lokale të vogla në brigjet e ishullit afrojnë shëtitje me varkë ose skafe të vegjël dhe kanë kapacitet akomodues për rreth 50 persona. Megjithatë, mjaft vizitorë e përdorin ishullin për piknik dhe e përgatisin vetë ushqimin.

“Kjo pasi vizitorët e Sardës vijnë kryesisht të grupuar,” shpjegoi Lekaj.

Liqeni është i pasur me peshk dhe ofron mundësi të mira turizmi.

“Dikur këtu ka qenë një fushë shumë pjellore që lumi Drin në dimër e mbushte me lym, me mjaft gjelbërim gjatë gjithë vitit,” kujton Lekaj.

“Zona ka një peizazh mjaft të bukur, ujë të kulluar,” përfundoi ai..

7 komente në “REPORTAZHI: Përpjekja për të vendosur në hartën turistike qytezën mesjetare të Sardës”

  1. Dash says:

    Nje potencial shume te madh historik, arkeologjik, kulturor etj….. Bravo per informacionin

    1. Ilir says:

      Shume mire qe i publikoni, por ca fotografi osé ndonje filmim do te benin me shume se shkrimi.Une u bera kurjoz por… kaq!

  2. Poko says:

    Po nje fotografi, per te na rritur kurreshtjen dhe interesin, pse nuk e ve o artikullshkruajtes.Mjafte bukur e ke pershkruar.

  3. Plehraaaaaaaaa arabe.... says:

    E si mund te investohet apo kujdeset per nje vend kristian me themelet e 12 kishave(sipas autores) nje shtet arab si Albanistani!?

  4. Jimi says:

    Te bene pershtypje ngjashmeria e emrit te ketij “ishulli Sard” me e ishullin e Sardenjes!? Te jete thjesht koincidence!?

  5. DinPak says:

    Per ata qe duan te shuajne kuriozitetin me disa pamje dhe foto te ishullit te Sardes, shkoni ne Google Map, shkruani Sarda, Albania dhe do te shfaqet ne harte ishullit ne mes te lumit Drini, si she disa foto ne pjesen e poshtme te cilat mind t’i klikoni dhe te shikoni pamjet e rrenojave te qytetit mesjetar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje