Kudo nëpër botë po nxiten shitësit e rrugës

29 Shtator 2020, 17:02Bota TEMA

Qytetet në të gjithë botën janë duke u rimëkëmbur nga pandemia dhe gradualisht po i lejojnë të gjitha aktivitetet që të rifillojnë. Por diçka që vërehet këto kohë në qytete të ndryshme të botës është se rrugët bllokohen për makinat në mënyrë që të dalin shitës në rrugë. Kjo praktikë po ndiqet nga Kina dhe kryeministri Li Keqiang.

Ky i fundit njoftoi se ndër planet e tij për rritjen ekonomike përfshihet krijimi i 9 milionë vendeve të reja të punës dhe një surprizë ishte se do të nxitej edhe shitja në rrugë. Njëjtë si shumë shtete të tjera, ku prej vitesh ka pasur përpjekje për të “ pastruar” shitësit, tani ata po shihen si një burim i ri punësimi dhe i rritjes ekonomike.

Statistikat tregojnë se më shumë se 2 miliardë njerëz në të gjithë botën, mbi gjysma e popullsisë së punësuar të planetit, punon në ekonominë informate dhe kryesisht në vendet në zhvillim.

Praktika e mbylljes së rrugëve për makinat, që të sistemohen shitësit ambulantë bëhet edhe në shumë shtete europiane. Për shembull në shtete si Greqia dhe Italia, çdo muaj bllokohen rrugë të caktuara në qytete për t’i lënë vendin shitësve të rrugës, të shërbejnë produktet e tyre për qytetarët. Kjo praktikë në Greqi është një formë panairi kur shitësit prezantojnë dhe shesin produktet e tyre. Në Itali quhet markatë dhe kjo praktikë bëhet një herë në javë dhe qytetarët janë të informuar për këtë gjë. Ndërkohë ka vende si Gjermania ku shitësit e rrugës janë të lokalizuar vetëm në një ambient. Ndërsa në shtete si Spanja dhe India, shitësit e rrugës janë të lirë të shesin në ambientet që duan.

Historia shitësve të rrugës është një traditë e hershme.

Shitësit në rrugë, të cilët tregtojnë gjithçka, që nga ushqimi e deri tek sendet e ndryshme, ka nisur fillimisht në SHBA dhe karroca e parë që shiti në rrugë ishte që në vitin 1886, ndërkohë deri në vitin 1900 kishte 25.000 shitës me karroca që shisnin gjithçka.

Shitja në rrugë është konsideruar si një punë fillestare me kosto të ulët dhe shërbeu si një shkallë për rrugët e suksesit tek shumë qytetarë.

Por deri më tani reformatorët urbanë i shihnin shitësit në rrugë si shqetësime dhe rrezik të shëndetit publik dhe u përpoqën t’i dëbonin.

Ndërsa shitësit e dyqaneve i shihnin si një konkurrencë të padëshiruar, ndërsa qytetarët i shihnin si njerëz të varfër dhe të pistë, ndërkohë tashmë po shihet nga këta organizatorë si një indikator i rëndësishëm ekonomik. Në një studim në vitin 2017, nga studiuesja Lina Martines, shpjegoi se shitja në rrugë ofronte paga më të larta se ekonomia zyrtare.

Ndërkohë shumë programe zhvillimi në vendet me të ardhura të ulëta nga vitet 1950 deri në fillim të viteve 2000 u përpoqën të zhduknin shitjen në rrugë. Qeveritë lokale shpesh ndërmerrnin veprime agresive për të larguar shitësit ambulantë nga hapësirat publike.

Një draft projekt i WIEGO (Women in Informal Employment Globalizing and Organizing) një organizatë politike me bazë në Mançester e fokusuar në përmirësimin e kushteve për shitësit në rrugë shkruan se gjëja më e mirë për hapësirën publike është se hapësirat publike janë për t’u përdorur nga të gjithë dhe për t’u shijuar nga të gjithë dhe është përgjegjësia e autoriteteve të qytetit për të siguruar që kjo të ndodhë.

Sipas organizatës rregulloret, aktet nënligjore ose politikat komunale përcaktojnë se ku, kur dhe si mund të punojnë shitësit në hapësira publike. Ndërkohë në këtë projekt përcaktohet se një raport me të dhënat nga shitësit në rrugë tregon se ata janë pro rregullatorëve, por me kushtin që të jenë të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Si një shembull se shitja në rrugë është efikase për rritjen e ekonomike, drafti i organizatës tregon edhe citimin e kryetarit të Shoqatës së Shitësve dhe Shitësve Informalë të Ganës (IHVAG) Anass Ibrahim, i cili ka shprehur:
“Çështja e shitjes në rrugë është duke u bërë një fenomen në të gjithë botën, dhe unë besoj se rregulloret e duhur,monitorimin dhe arsim, nga autoritetet tona të qytetit, gjithçka do të jetë shumë e suksesshme.

Në IHVAG, ne besojmë se duhet të ketë shitje në rrugë. Me rregulloren e duhur gjithçka do të zgjidhet,” është shprehur Ibrahim.

Duke u mbështetur në këto të dhëna, më shumë qytete tani po kërkojnë të promovojnë shitjen në rrugë të caktuara për t’i hapur vend shitësve. Një sërë avokatësh në Nju Jork ka bërë fushatë që nga viti 2016 për të rritur numrin e lejeve dhe licencave për shitje në rrugë, e cila ka qenë e kufizuar fort që nga fillimi i viteve 1980. Dhe ushqimi në rrugë është bërë një tërheqje turistike në të gjithë vendet.

John Rennie Short, një profesor në Shkollën e Politikave Publike në universitetin e Maryland, Qarkut Baltimore, e sheh shitblerjen në rrugë si një mënyrë të shkëlqyeshme për rimëkëmbjen e qyteteve pas mbylljes së COVID-19.
Short argumenton se shitja në rrugë lejon një distancë më të lehtë sociale sesa qendrat tregtare dhe baret e restorantet.

“Shitësit ambulantë kanë qenë disa nga njerëzit më të ndikuar nga kjo pandemi. Shumica e tyre nuk morën një ndihmë financiare, nuk kualifikohen për pagë biznesi dhe kanë humbur shumicën e të ardhurave të tyre me urdhrin “Qëndro në Shtëpi, ”shprehet ai.

Sipas analistit të ekonomisë dhe çështjeve mjedisore, Will de Freitas, shitja në rrugë ofron akoma më shumë përfitime. Gjallëron hapësirat publike urbane dhe rrit sigurinë publike, duke i bërë rrugët të gjalla dhe mikpritëse. Ai shkruan se promovimi i shitjes në rrugë mund të gjenerojë punësim, t’i mbajë njerëzit të sigurt dhe të krijojë gjallëri dhe komoditet, që është shenja dalluese e qyteteve sociale.

“COVID-19 na ka detyruar të ri-mendojmë jetesën në qytet. Besoj se duhet të shfrytëzojmë rastin për të imagjinuar një qytet më të gjallë, më interesant dhe më të drejtë post-pandemik,” shton ai. (StreetBlog, WIEGO, The Conversation, gazeta “Si”)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje