Bilushi i Metës shpjegon rekordin e shtetësive për merita të veçanta

Pas publikimit të shifrave skandaloze, që tregojnë se Ilir Meta ka dhënë shtetësi “për merita të veçanta” më shumë sesa janë dhënë sipas ligjit, Bilushi i Metës bëri këtë sqarim për gazetarët:

“Siç e dini, shqetësimi kryesor i presidentit Meta mbetet shpopullimi i Shqipërisë.

Ju e dini se qeveria Rama dhe Rilindja kanë boshatisur Shqipërinë nga shqiptarët dhe vendi ndodhet në situatë dramatike.

Në këto kushte, presidenti ka vendosur që përmes një projekti personal, të kompensojë sa mundet këtë boshatisje të vendit.

Për këtë, ai ka aplikuar të drejtën që i jep ligji për të dhënë shtetësi për “merita të veçanta” dhe ka bërë sa ka mundur, që të mbushë boshllëkun e krijuar në Shqipëri me shtetas të vendeve të tjera, përfshi dhe shqiptarë në rajon.

Të gjithë ju qe keni ndjekur aksionin politik të Ilir Metës kohët e fundit, jeni të bindur se ai ka shqetësim të vetëm boshatisjen e Shqipërisë dhe ky akt është një reagim ndaj këtij realiteti të hidhur që ka krijuar Rilindja.

Presidenti Meta nga ana tjetër ju garanton se ai nuk i shet shtetësitë dhe nuk i keqpërdor nderet që bën, pasi ai e bën këtë për Shqipërinë, dhe jo për vete, apo interesin e tij personal.

Nga ana tjetër, presidenti ka në dorë dhe heqjen e shtetësisë për shumë shtetas shqiptarë që marrin pasaporta gjermane, holandeze apo austriake.

Ai e ka shtrënguar këtë procedurë dhe nuk është treguar dorëlëshuar, siç tregohet për shtetësitë.

Kjo ka rritur spekulimet dhe njerëzit ofrojnë shumë para për të lënë shtetësinë, por ne nuk blihemi me para.

Ne dhe shtimin e shtetësive, dhe pakësimin e heqjeve të shtetësive, e kemi në funksion të mos zbrazjes së Shqipërisë, dhe jo të mbushjes së xhepave.”

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *