Dritëhijet e shqetësimit të papritur të Lulzim Bashës dy ditët e fundit

16 Tetor 2020, 09:20Politika TEMA

Nga Ylli Pata

Ka bërë përshtypje në opinionin publik një acarim i kreut të opozitës, Lulzim Basha, në daljet “batare” në konferencat për shtyp në selinë e PD-së.

Nëse ulje volumin e televizorit, kreu i PD-së ngjante më shumë me Metën të hënën kur i binte tavolinës me pëllëmbë vazhdimisht e sytë i kishte të hapura, gati të “shqyer”.

E pikërisht ky shqetësim, apo rritje e toneve papritur ka “rastisur” pikërisht me hapjen e petëve të një lakrori që opozita, por edhe vetë Lulzim Basha, prej kohësh e kishin paraqitur sipas “midesë” së tyre.

Ky shqetësim i Bashës dje dhe sot, nuk duket se ka lidhje thjesht me replikat e ashpra të Edi Ramës, pasi në fund të fundit një duel politik, qoftë edhe i fortë në tone, i jep vizibilitet secilit prej protagonisti.

Dy ditët e fundit, një nga kauzat e pompuara shumë prej PD-së, siç është ajo e menaxhimit të mbeturinave urbane, ka nisur të trajtohet me hollësi, që në themelin e saj, pra që nga koha kur kjo çështje menaxhohej nga një institucion që drejtohej nga Lulzim Basha, siç është Bashkia e Tiranës.

E ky trajtim ka nxjerrë pjesë nga kapitulli jo shumë i lavdishëm i menaxhimit të çështjes së mbetjeve urbane, nga kunati i Bashës, Erion Isufi.

Në kohën kur Basha drejtonte Bashkinë e Tiranës, për herë të parë nisi të “kanalizohet” një kompani private jo vetëm trajtimi, por edhe mbledhja e mbetjeve nëpër kazanë e grumbuj brenda qytetesh.

Policia bashkiake shkepte në dru çdo fëmijë apo rritur që mblidhte kanoçe bakri apo metale të tjera për t’i shitur në treg të skrapit.

Kjo, sepse atëherë nisi një “përqëndrim” i kësaj pune, ku siç shkruajnë këto ditë mediat në vend, shfaqej emri i kunatit të Bashës.

E për këto lajme që po dalin në vijëmisi për të kujtuar aferat që kanë prekur kunatin, nuk do të duhej të shqetësohej kreu i opozitës. Pasi dialektika e politikës është e qartë: korr ç’të mbjellësh. Po nise sulme batare e akuza pafund, do të vijë dita të presësh.

Ndërkohë një formacion serioz politik si opozita, që ka ambicjen të jetë alternativa për të marrë në dorë qeverisjen e vendit, merret me idetë, programin, strategjinë dhe fazat dhe i përçon tek qytetarët duke i kërkuar votat. Doemos së bashku me skuadrën që ke menduar të drejtosh vendin.

Nëse ka akuza, fakte, dokumente, prova, indicje, e gjëra të këtij lloji, çdo subjekt serioz shkon në Prokurori dhe pret me qetësi që drejtësia të bëjë punën e saj.

Ose, së bashku me mediat, të inicojë një proces të plotë investigimi të çdo fakti, apo indicje, që më pas publiku të hetojë ftohtë, duke përballur të gjitha palët në gjininë e materialit mediatik: reportazh, kronikë, reportazh apo shkrim hulumtues.

Rrugët e tjera kur një parti politike kthehet në një tribunë ku çdo ditë jepen copa qëndrimesh ku akuzohet e sulmohet, e më pas përgënjeshtrohet me prova, do të sjellin logjikisht kundër reagimin dhe në fund janë si ato rrugët pa krye, ku nuk ka kalim në fund të rrugicës.

Politika nuk mund të jetë reality show ku garuesit për të marrë votat e publikut bërtasin e gërçasin për të qenë protagonistë, por është një ndërmarrje serioze, madje shumë serioze. Ka në dorë fatet e të gjithë njerëzve që më pas do të zgjedhin në fund…

2 komente në “Dritëhijet e shqetësimit të papritur të Lulzim Bashës dy ditët e fundit”

  1. Berti says:

    Eshte komplet ne gjume! Nuk zgjohet dot! Lyli!

  2. Arqile says:

    Luli Basha eshte turp i botes kerkon te vere vetulla e nxjerr syte.Ky njeri u be kot kryetar bashkie pa vota por keshtu desh sala dhe numuroi votat e pavlefshme per lilin.Pastrim nuk beri por vetem i dharp r kujton popullin budalla leke kubatit qe e kishte fitues te tenderit .Vetem per faktin se ka futur kunatin ne punen gjoja te pastrimit te Tiranes duhet te denohej luli.Por ai nuk ka turp e kujton popdritullin budalla kerkon te mari prape leke me valixhe.Nuk arin dot me .Nusja doli e prishur nuk mund te rikthehet me tek shtepia e dhendrit.Punet e bera nga Lali Eri duken ashi qare skane te krahesuar.Luli duhet te pergjigjet ne organet e drejtesise e ka vendin ne burg.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje