PROFIL: I vetëm kundër të gjithëve, jeta e trazuar e Diego Armando Maradonas

Është ndryshe nga secili prej nesh pasi çdo gjë që bën e bën mirë dhe e bën të bukur dhe nuk i përgjigjet asnjë programimi. Çdo cep i fushës është vendi i tij i natyrshëm, këmba e tij e majtë ndryshon lojë në sekondën e fundit të dobishme, kur duket se ndalet shpërthen dhe kur duket se shpërthen ndalet. Shkon nëpër stadiume duke sfiduar ligjet e ekuilibrit dhe shkon nëpër botë duke dhuruar lumturi. Nxit fantazma ëndërrash të lashta dhe argjentinasve u kujton tangon, pasi është një “pibe de mil anos” që përdor arte fisnike për ta ngritur futbollin nga mediokriteti.

Prolog

Në Wembley, në stadiumin – tempull të futbollit, Argjentina kampione e botës largohet duke u mundur 3 me 1 kur publiku i Londrës ngrihet në këmbë edhe njëherë akoma për t’u bërë homazh arabeskave të një djaloshi 20 vjeçar të shkurtër dhe këmbështrembër, një fytyrë e ngrysur dhe sytë dinakë prej të pandëshkuari nën një masë kaçurrelash të pakrehura, që vishte një bluze bardhekaltër. I hutuar midis publikut, Enzo Bearzot, komisari teknik i kombëtares italiane, një njeri që për futbollin botëror di gjithçka, ngrihet me ngadalë dhe i bashkohet korit. «Nuk më ndodh shpesh, të themi kurrë». Dhe për publikun italian i bën një elozh që është një portret i kalamanit që vetëm ka fituar një Botëror të rinjsh, që në vitin 1978 është përjashtuar nga seleksioni argjentinas i Menotti, “el Flaco” (që kish fituar pastaj Botërorin e tij të parë), dhe që kohët e fundit kish shkaktuar rreth emrit të tij një tender botëror: «Është një lojtar i jashtëzakonshëm për nga shpejtësia e reflekseve dhe teknika individuale, për si ka hyrë në futbollin modern, alla europian, pa humbur karakteristikat e driblimit dhe fantazinë e futbollit jugamerikan. Përdor sidomos të majtën, por i del i tepron.

Prekje më të brendshmen, me të jashtmen, një të rënë shumë të fortë dhe një gjuajtje të saktë. E shikon lojën, merr pjesë në lëvizjen e skuadrës, di të tërhiqet për të mbrojtur megjithëse parapëlqen sulmin. Nuk është shumë i gjatë, por ka një shkëputje të mirë me kokë falë muskluaturës të fortë elastike. Sigurisht që është një as». Dhe Menotti shqetëson dy hije gjigante për t’i kompletuar portretin: «Pothuajse më kujton Pushkashin dhe Pelé, bile ka akoma marzhe përmirësimi. Është një përzierje e cilësive të të dyve, por në të vërtetë është sidomos vetvetja». Është sidomos Diego Armando Maradona, i lindur në një barrìo të Buenos Aires, ku baballarët dalin nga shtëpia në 6 të mëngjesit dhe kthehen në 10 të natës pasi puna është e pakët dhe e keqpaguar dhe për të bërë një jetë pothuajse dinjitoze kushton kohë dhe lodhje. Fëmijë të zbathur që luajnë futboll midis pellgaçeve erëqelbura dhe shikojnë tek topi simbolin që i largon nga fatkeqësitë e pranishme dhe premton një rrugë arratie në të ardhmen. Në këtë fabrikë aftësie Diego i shtoi në vite teknikën imagjinatës së tij (sepse “nuk ka gjeni pa teknikë” na mësoi Picasso) dhe qysh shumë i ri u vu që të shfaqë mrekullira.

Brenda favelasve

E ëma merr trenin e mbushur plot me njerëz me fytyrë të trishtuar një mëngjes të vitit 1955; i jati e ndoqi disa muaj më pas, duke tërhequr pas vetes në trap posedimet e pakta dhe enët e kuzhinës që trokëllinin sipas lëkundjeve të valës.

Dy të martuar të rinj me dy vajza të vogla të ardhur nga fshat i quajtur Esquina, nga provinca shumë e varfër Corrientes, 700 kilometra larg nga Buenos Aires. Kërkonin një të ardhme në kryeqytet, një kokë gjiganteske mbi një trup ekonomikisht xhuxh që tërhiqte nga çdo cep i Argjentinës nullatenientes në kërkim të mirëqënies së dukshme që premtonte regjimi i Peronit. Përfundonin të gjithë në favelas me barakat prej dërrase e llamarine dhe rrugët e pashtruara me gropat e zeza në qiell të hapur dhe gazin e elektricitetin mirazhe të largëta për t’u fituar me luftëra në rrugë ku shpejt merrnin pjesë fëmijët.

Këtu u vendos familja Maradona. Vendi quhej Villa Fiorito dhe shtëpia e parë, e gjetur më vështirësi me qira, mund të dukej si pallat mbretëror me muret e saj prej tulle. Atë personale, në pronësi, don Diego Maradona, i quajtur Chitoro, e bleu me kursimet e vëna me vështirësi menjanë, duke bërë herëpasëhere hamallin në port, punëtorin në hekurudhë dhe së fundi në stabilimentin Tritumol. Një vend pune fiks. Ëndërra e çdo të varfëri, një bekim i Zotit, me atë sigurim shëndetësor të bekuar që mundësonte të kuroheshin fëmija dhe bile të shtrohej në Poliklinikën dona Dalma, luftarakja dhe shumë krenarja Tota e tij, kur i erdhi koha të lindëte fëmijën e pestë. Në mendjen e njerëzve poliklinika quhej akoma Evita (si gruaja e dashur e Peronit), edhe pse pushteti i ri puçist që kish përmbysur Gjeneralin e dashur e ndalonte këtë emër. Në hyrje kishte një yll të pikturuar në dysheme dhe sytë e dona Tota fiksohen mbi këtë mozaik, ndërsa zbret nga taksia duke kërkuar sigurime njerëzore dhe hyjnore për vuajtjet e saj. Lajmi i mirë vjen në orën 7 e 5 minuta të mëngjesit të 30 tetorit 1960 dhe ka tonin shakatar të një mjeku që njofton për një mashkull «gjithë bythë dhe këmbë». Dona Tota e kujton akoma në mënyrë të përsosur, thotë. Si atë yllin e pikturuar në dysheme në hyrje të spitalit… Është dita e lindjes, një e diel. Kujton edhe se atë natë kishin lindura të gjtha femra, vetëm ai, vetëm Diego Armando Maradona junior, mashkull. Dhe në kohëra të tjera anekdota me origjina të paqartë i shtohen historisë. Si fakti që në momentin kryesor ulërima e së jëmës ngjasonte me një «goooool».

Vjen Diego

Fëmijëria e vogëlushit në barrio është e shënuar nga të njëjtat kujtime, të njëjtat dhimbje, të njëjtat  gallata për të cilat mund të jenë protagonistë rrënjëshkulurit brazilianë në favelaset e Rios, zezakët e getove amerikane apo vagabondët napoletanë. Një jetë prej komune rruge. Të gjithë sëbashku për t’u argëtuar dhe për të luftuar kundër prapësive. Nuk ekzistonte mundësia e zgjedhjes për fëmijët e varfër në rrethinat e Buenos Airesit: o shkollën, o punën. Don Diego bëri të pamundurën që fëmijët e tij të studionin, ndërsa dona Tona jepte edhe shpirtin për t’i nxjerrë jashtë shtëpie të pastër. Edhe në varfëri ekzistojnë shkallë të ndryshme prekjeje. Ajo e familjes Maradona është një varfëri e privilegjuar, dinjitoze, ku vendi i sigurtë i babait shmang ankthin e urisë më të zezë dhe puna e palodhshme e nënës ruan dukjen e dekorit. Është një familje e bashkuar ajo e Diegos, por edhe ky është një luks në aglomeratet monstruoze ku degradimi mjedisor shoqërohet shpesh me atë familjar dhe moral. Diego sillet vërdallë me sandalle midis këmbëve të zbathura të shumicës.

Më i rritur, për dëshpërimin e së jëmës, konsumon një palë këpucësh shumë të çmuara duke brapuar gjithë ditën pas topit. Topin e parë ia dhuron xhaxhai, në moshën 2 vjeçare, dhe ai e mban në krevat duke e mbajtur të përqafuar gjithë natën. Duke u rritur, fillon të ndjekë futbollin e të rriturve. Ashtu si babai, bëhet tifoz i Boca dhe shkon me të në Bombonera për të parë shfaqjen e kampionëve të famshëm. Pastaj kthehet në lagjen e tij dhe në fushëzën e zhveshur që quhej Estrella Roja lëshon azat fantazinë duke ndjekur ëndërrat e tij. dhe kur dikush e pyet (si të gjithë djemtë e kësaj bote) se çfarë do të bëhej kur të rritej, ai informon me naivitet të çfrenuar: «Quiero ser campeon del mundo, me Argjentinën». Dhe qysh atëhere kishte një zakon që do të jetë pjesë përbërëse e legjendës së Maradonës: gjuhën jashtë. Herët a vonë, për shkak të këtij zakoni, diçka do t’i ndodhte. Tundnin kokën njerëzit e barrios dhe diçka do t’u ndodhë. Shumë kohë më vonë, në vitin 1983, në një gjatësi gjeografike tjetër, në Andaluzi, në një takim midis Seviljes dhe Barcelonës, dhe do t’i kushtojë katër qepje. Edhe nofka e tij e famshme e ka një histori të vogël të sajën të harruar midis rrugicave të Villa Fiorito. E quanin dhe akoma sot e quajnë ‘Telusa”, pasi kur ishte i vogël i rriteshin qime që nuk arrinin të transformoheshin në flokë. Kështu nofka i ka mbetur.

Le cebollitas

Sepse Maradona fëmijërinë e tij e ka marrë gjithmonë me vete, me difektet dhe të mirat e saj, me gëzimet dhe hidhërimet saj. Edhe më zakonet e saj. Ndoshta një prej gjërave të pakta të paprekura qysh kur paratë dhe fama i kanë marrë me vete intimitetin.

Pavarësisht përpjekjeve të tij, diku patetike, diku arogante, për t’u kapur pas tyre. Çfarë thonte el Flaco atë ditë në Wembley? «Të shpresojmë që kalamani të mos ndryshojë kurrë, të jetë gjithmonë Dieguito. Të vazhdojë të jetë i lidhur me familjen, të frekuentojë të njëjtit miq të përhershëm, të dëfrehet duke qenë në majën e valës prej kuriozitetit, jo pse i pëlqen realisht. Do të ishte e trishtueshme ta shikoje të ndryshonte». Të mbesë gjithmonë “Dieguito de la Paternal”, ai që me 5 dhjetor të 1970 qe bërë një qepujkë. Numri 10 i “Cebollitas”, skaudrës së fëmijëve të Argentinos Juniors të Buenos Airesit. Nuk i qe dashur të lodhej shumë për t’u pranuar.

Një fund nëntori i 1970. Kishte rënë shi dhe balta e bënte të pamundur të bëheshin mbajtje topi në Campetto ku Francisco Cornejo provonte zakonisht fëmijët që vinin me turma për të ndjekur ëndërrat e tyre. “Las Malvinas” quhej Campetto dhe atë mëngjez gëlonte nga fëmijët. I sapoardhuri ishte i shkurtër, i ngrysur, i shoqëruar nga babai. Edhe atij Cornejo i thotë që të presë. Por fëmijët vuajnë bezdisjen e pritjes, kërkojnë një cep jo me shumë baltë dhe fillojnë të mbajnë topin. Më pas, dora dorës, secili pushon dhe Diego mbetet i vetmi në rrethin e shokëve. Edhe Cornejo lë gjithçka dhe i afrohet, plot kuriozitet. Ajo që shikon e lë të ngurosur. Një fëmijë me talent të paimitueshëm. Cornejo as nuk pret që fusha të thahet për një provim ritual, as nuk pret të nesërmen për t’i propozuar të jatit firmosjen e një kontrate. Ndodh gjithçka sa të hapësh e të mbyllësh sytë.

Disa ditë më pas Dieguito hipën për herë të parë në furgonin me targë 578391, të cilin Yoyo Trotta i jep andej këtej nëpër provincë, duke çuar në destinacion “qepujkat” e tij. Është një grup i jashtëzakonshëm, një grup fëmijësh që në të voglën e tyre shkruajnë një pjesë të historisë dhe hyjnë me të drejtë në mitologjinë e lagjes. Në 3 vjet fitojnë 100, ndoshta 150 ndeshje, pa humbur asnjë herë dhe në dhjetor të 1973 shënojnë një arritje më të lakmuar, një fitore të bujshme ndaj Banda Roja të River Plate, të rinjtë e klubit më të pasur dhe më të fuqishëm të kryeqytetit. Fitojnë 5 me 4 dhe ndeshjen e zgjidh Maradona duke kaluar 7 kundërshtarë në 7, përpara se të deopozitojë topin në rrjetë.

Dëfrente një bote atëhere Dieguito, edhe pse tashmë bëhej i famshëm, edhe pse në moshën 12 vjeçare i kishin marrë intervistën e parë televizive.

Gjithçka shpejt

Kur ka ndodhur që gjithçka ka filluar të ndryshojë? Kush e di. Ndoshta midis tetorit 1977 dhe janarit 1979. “Imagjinoni gjithçka që më ka ndodhur: debutimi në kategorinë e parë, 10 ditë përpara se të mbushja të 16-at, dhe 4 muaj më pas grumbullimi në kombëtare, kundër Hungarisë. Kur dola në fushë dhe dëgjova ovacionet e publikit, besova se të gjitha thirrjet qenë për mua. E vërteta është se, ka mundësi, askush nuk e kish vënë re praninë time, por mua më pëlqente ta besoja…. Pastaj Venezuela me kombëtaren e të rinjve dhe sërish kombëtarja e madhe, kur shtypi më quajti “Peléja i bardhë i argjentinasve“. Dhe zhgënjimi kur u përjashtova nga Botërori ’78. Kësaj radhe qava nga zemërimi. Doja ta çaja më dysh botën dhe ta braktisja futbollin.

Më shpëtoi babai. Pastaj sërish me kombëtaren e madhe, për të hapur një cikël të ri, thotë Menotti; për ta hapur me mua. Nuk besoj se shumë njerëzve u ka ndodhur njëlloj”. Për Maradonën adoleshenca është fjalë pa kuptim. I është dashur të rritet shpejt. “…më është dashur të kuptoj me ngut të madh gjëra që do të kishin kërkuar më shumë kohë. Në futboll jam shtrënguar që të shikoj gjëra që nuk më pëlqenin, si për shembull zilia. Unë nuk e dija se çfarë ishte. Mbyllesha në një dhomë dhe qaja. Nuk kam shumë miq unë….“. Pastaj kanë mbrritur kontratat e para të rënda. Ato që ndryshojnë gjithçka, natyrisht.”...jo, domethënë po. Sigurisht disa gjëra kanë ndryshuar. Unë kam pasur gjithmonë një palë pantallona, i ruaja për të shtunën. Pastaj, si papritmas, kam mundur të blej gjithçka, këmisha, këpucë. Garderoba është bërë e pasur. Pastaj ka ardhur e fejuara, Claudia, të cilën e kam njohur kur nga Fiorito jam transferuar tek Paternal. Pastaj, më e rëndësishmja e të gjithave, më së fundi kam mundur të njerëzve të mi këtë…

“Këtë” është një plazh në Atlantida të urguajit, ku zhvillohet kampionati rinor jugamerikan. 7 muaj nga Botërori i të rinjve që do të zhnvillohet në Japoni. “Këtë” janë pushimet e para që dona Tota dhe Chitoro kanë bërë ndonjëherë në jetën e tyre («Ta dinit sesa kemi luftuar im shoq dhe unë! Nuk do t’i kisha imagjinuar kurrë këto ditë»). Diego kanë marrë me qira një shtëpi për të tijët dhe një për mikun Jorge. “…unë nuk e harroj origjinën time. Villa Fiorito është gjithmonë e tashmja ime, nuk është e kaluara. Disponoj më shumë para? Mirë. Sa më parë arrij ta sistemoj familjen, aq më mirë është. Por nuk do ta nënshkruaj kurrë një kontratë publicitare, nëqoftëse se me të do të donin të fusnin në dorë jetën time…“. Janari 1979. Nën regjinë e aftë të Jorge Cyterszpiler, djaloshit poliomielitik mik të fëmijërisë që ishte improvizuar menaxher i rij, gardian i hekur i imazhit dhe i interesave të Diegos, që kishin krijuar Maradona Produciones. Nuk është as 20 vjeç dhe, pa fituar as edhe një titull, djaloshi që vox populi e ka treguar prej kohësh si trashëgimtarin e Pelésë, fillon të bëhet ajo që premton arsyeja sociale e shoqërisë (ose kërcënon, gjejeni vetë)

Një njeri, një ndërmarrje

…nëqoftëse do të më duhej të kuptoja, kur të kem mbushur 22 vjeçët se futbolli ka pushuar së më apasionuari, do të braktisja gjithçka. Nuk do të shkelja as edhe për një minutë në një fushë sikur do të më mungonte dëshira për të luajtur…“. Por nganjëherë të kap ankthi që bota është më e fortë se ty, që në njëfarë mënyre po të gllabëron. Në aeroportin e Lagosit në Nigeri futbollistët e Boca Juniors qëndronin të lodhur, në pritje të udhëtimit cfilitës që do t’i përcillte në atdhe, në një ditë tetori të 1981. Kishte qenë një javë masakruese. Një transfertë në Bregun e Fildishtë pa kuptim dhe e keqorganizuar, për të luajtur një turne me 4 skuadra në Abidxhan. Vendi i fundit në faqe të Tokës ku të bëhej një ndeshje futbolli, kishin menduar të gjithë. Cepi i fundit i botës ku të gjeje tifozë dhe gjuetarë autografesh. Në të vërtetë Diego Armando Maradona, 21 vjeç, i vetmi titull në bilanc një kampionat botëror rinor, i kish kaluar të gjitha orët e ndodhura larg nga stadiumi i mbyllur në një dhomë të Hotelit lntercontinental. I ishte dashur ta bënte, për t’i shpëtuar rrethimit të filluar sapo kish shkelur në tokën afrikane.

As shkopinjtë e rëndë të gomës të policëve nuk do të bënin gjë kundra hordhisë njerëzore që qe derdhur në aeroport dhe në rrugë për të parë djaloshin argjentinas e ardhur nga Villa Fiorito. Kështu atë ditë tetori, në aeroport, teksa pret fluturimin e kthimit, diçka thyhet në shpirtin e kampionit. «Dua ta lë», i rrëfen pa doreza gazetarit mik që i ulet pranë. E thotë me qetësi të dukshme që i jep forcë dhe vërtetësi argumentit më absurd. «Dua ta lë futbollin. E di, do të më thuash se jam i çmendur, por nuk është e vërtetë. E kam maturuar vendimin këtë transfertë. Jam i lodhur, dëshiroj që njerëzit ta harrojnë Maradonan, që gazetat të mos flasin më për të, që babait të mos i duhet të përballojë ofendimet kur është në stadium dhe që të mos më vijnë e të më thonë fjalë të pahijshme në rrugë për shkak të asaj që botojnë gazetat. Ka dhe shumë gjëra të tjera… Duket se unë jam fajtor edhe për përmbytjet e fundit. Atëhere e lë profesionizmin». Ama vetëm atë.

Sepse për futbollin tjetër, atë që luhet nëpër rrugë, në fushat e këqija të periferisë dhe ka për protagonistë fëmijët Diego thotë se nuk do të heqë dorë kurrë. Nuk është as topi që e ka bërë me përzierje, as entuziazmi i njerëzve nëpër rrugë («afeksioni i zezakëve më ka prekur shpirtin»), por kritikat në atdhe.

Shpirt i brishtë

Sepse Maradona nuk i ka duruar kurrë kritikat. Kritikat janë e kundërta e dashurisë, ajo që kishte si fëmijë gjeni dhe si adoleshent i varfër, por i përkëdhelur nja një lagje fillimisht dhe nga një komb më pas. Kritikat janë dashakeqësia e botës, janë pa kuptim. Ai nuk ka faj. Është një moment i veçantë. Prej 1 viti ka lënë Argentinos për Boca Juniors, klubin e madh të qytetit që kish fituar konkurrencën e Barcelonës, Napolit e Juventusit, edhe falë një manifestimi nacional – patriotik për të mbajtur në atdhe talentin e njomë. Natyrisht që tifozët e vjetër të tij nuk e kanë pritur mirë. Për më tepër, Boca është një fuqi futbollistike dhe vuan kështu rivalitetin e fortë të River Plate dhe të Indipendiente. Një rivalitet që, qysh kur ka filluar futbolli, shfryhet mbi lojtarin kundërshtar. Boca me Maradonën nis të fitojë kampionatin, entuziazmi i tifozave është në qiell, por arkat e shoqërisë janë të boshatisura, të mara fund nga një blerje që nuk do të mund t’ia lejonin kurrë vetes. Kështu që herët a vonë Maradona do të duhet të emigrojë në Europë.

E di ai, e di shoqëria dhe e dinë edhe tifozat, që natyrisht janë në tension. Babai ofendohet në rrugë, nëna zihet me komshiet. Dhe të gjithë trajtohen si tradhëtarë. Edhe kjo është norma. Çdo futbollist profesionist e di, por Maradona është një tip gjenial instiktiv që nuk ka pasur shumë prej profesionisti. Një për të cilin futbolli është pasion dhe dashuria i është detyruar. Nganjëherë e jep, nganjëherë duket se ia japin.

Në Spanjë midis Barçës dhe Mundialit

Kur më së fundi zbret në Spanjë, në vigjilje të Botërorit, një vit pas shfryrjes në tokën e Afrikës, puth tokën e Camp Nou. E puth atë si një konkuistador. Ose si një që më së fundi ka mbërritur në shtëpi. Gazetave dhe tifozëve u jep këtë version të dytë. Katalanasit kalojnë në ekstazë. Presin Cruijff e ri për t’i dhënë fund dominimit të Real Madridit të urryer. Maradona vesh për fotografët bluzen blaugrana, i hedh një shikim hotelit luksoz ku do të ketë rezidencën e përkohshme në pritje të vilës faraonike dhe më pas niset për të arritur grumbullimin e kombëtares argjentinase. Ekspedita në botëror nuk është me shumë fat.

Ajo e Diegos është një dështim. Ai që kishte qarë nga zemërimi 4 vjet më parë pasi Menotti e kish ndaluar që të bëhej kampion bote në të njëjtën moshë sa Pelé, tani qan për trajtimin e Gentile, për krimin e futbollit të pisët që mbrojtësi italian ushtron në fushat e Spanjës. Sepse në thelb ai mendon atë që prej kohës shkruajnë argjentinasit: «Maradona është futbolli». Zemërimin e shfryn kundër brazilianëe, me një ndërhyrje të kote që nuk është në stilin e tij, gjithmonë jashtëzakonisht korekt në fushë dhe për këtë merr një të kuqe. «Alfredo, a keni dalë me të kuqe shumë herë?», kishte pyetur “pibe de oro” i ri një ditë tetorit të vitit 1980 Alfredo Di Stefano. Ishte mesditë dhe dielli vërtitej mbi çatitë e shtëpive të ulëta të distriktit Villa del Parque në Buenos Aires. Ata të dy qëndronin të ulur në sallën mikpritëse të restorantit “La Ronda”, miti i futbollit argjentinas që kish bërë të madh Real Madridin dhe djaloshi që në forma të tjera nëpërmjet rrugësh të tjera i kish marrë tashmë trashëgiminë.

«A keni dalë shumë herë me të kuqe, Alfredo?».

«Jo, në të vërtetë pak. Më kujtohet një herë, në fushën e River, kur luaja në kategorinë e katërt. U zemërova aq shumë me arbitrin, sa që fillova ta duartrokas».

«E pabesueshme, më ka ndodhur e njëjta gjë mua, në kategorinë e shtatë. Ndeshja kishte mbaruar. Ju afrova arbitrit, e duartrokita dhe i thashë: “Ju shpreh komplimentat e mia, vazhdo kështu dhe do të bëhesh arbitër ndërkombëtar”».
isha 15 vjeç. Ishte fundi i kampionatit dhe skualifikimin e sshleu sezonin e ardhshëm, në kategorinë e parë, pasi ndërkohë Argentinos e kishte mbledhur me ekipin e parë. Një fillim i veçantë. Një fillim alla Maradona.

Katalonja tokë e hidhur

Edhe debutimi në kampionatin spanjoll mban shenjat klasike të Diegos, shenjat e gjeniut. Gola magjepsës dhe shpikje gjeniale në barin Camp Nou që nga arti futbollistik kupton. Pastaj lodra fillon që të shkërmoqet, midis vuajtjesh dhe moskuptimesh. Dhe pashmangshmërisht prishet. Një hepatit viral e mban 3 muaj larg nga fushat e lojës. Diego është i hutuar, edhe zotat sëmuren. Kur merr veten, arrin akoma në kohë të dhurojë cifla dhuntie të rrallë dhe një Kupë Spanje, rrëmbyer Real Madridit. Por nuk mbërrin titulli dhe kjo i shton zjarr pakënaqësisë që ndërkaq gjallon poshtë hirit. Sepse krenarët katalanas, që e kishin zhvatur me tingëllima miliardash mrekullinë e re të topit konkurrentëve të kalibrit të Gianni Agnelli, nuk kënaqen me pak. Bile do të donin diçka më shumë. Nga njeriu që ka kushtuar si asnjë më parë në historinë e futbollit presin një kopje të Johann Cruijff dhe këtë jo vetëm në një fushë futbolli. «Këtu ne kemi parë mbretër, presidentë, kryeministra, ama një si ai…», zëri i Francisco Molina, në pritjen në Avenida Palace, një prej hoteleve më ekskluzivë të Barcelonës, humbet në një asgjë që nënkupton një det historishë të parrëfyeshme për veshët e gazetarëveqë e pyesin. Diego ka marrë të gjitha katin e parë për ta bërë selinë qëndrore të oborrit të tij gjatë 4 muajve. 4 muaj trazire të patolerueshme nëpër sallat e mermerta dhe stukot e praruara dhe ndjeshmërinë e rafinuar të personelit. «Është një njeri që vjen nga shumë poshtë, besoj, dhe merret për më shumë se një mbret». Gjithçka tjetër, marrëzitë, grindjet, orgjitë për të cilat pëshpërit qyteti, zoti Molina me zotnillëk i mbulon. Fillimisht shoqëria e mbron. E kënaq me gjithçka, edhe në ndryshimin e trajnerit: largohet Lattek dhe vjen Menotti. Zëvendëspresidenti Casas thotë se e do më shumë se një fëmijë, për këtë është aq i hidhëruar kur detyrohet që të dorëzohet: «Ka ndryshuar, shumë.

Ai është si një pemë e cila ka nevojë për të mbajtëse që të qëndrojë drejt. Por nuk mund t’i flitet më, ashtu siç është i rrethuar nga klani i tij». Për botën, klani i tij famëkeq; për të, familja e tij. dhe, siç e thotë nënë Tota, «nëqoftëse mbërrijnë lekët, është e natyrshme, është e bukur, ta përziesh në të edhe familjen». Familja nuk llogaritet në gjendjen civile. E mbledh në rrugicat e pluhurosura të lagjes, ato ku nuk banon më, dhe ndoshta e kërkon edhe më larg, 700 kilometra nga Buenos Aires, ku, duke ndjekur gjurmët e babait, ruan lidhjet me njerëzit e Esquina, me “o Soldadito” që ta ka ndjekur në Spanjë, dhe me “el Mudo“, një djalë që ke kërkuar me çdo mënyrë që të flasë duke e sjellë me vete në Buenos Aires pasi kishte nevojë për kura të vazhdueshme. Gjithsesi, Barcelona nuk e do Diegon dhe Diego nuk e do Barcelonën, këtë qytet kaq të ndryshëm, kaq të largët nga shpirti latin që ai mendonte të gjente. Është se katalanasit janë veriu i Spanjës, një lloj Lombardie, e pasur, kozmopolite, punëtore dhe me shije të rafinuara.

Le më pastaj çfarë mund të mendohet për miqtë argjentinas të Diegos, ata që qenë rritur me të në favelas, dhe vilën e tij që është si shumë Hollywood! Kështu Diego bëhet nervoz, duke ëndërruar fole të tjera, dashuri të tjera. Sezoni i dytë fillon keq. Ankohet se shokët e bojkotojnë (i kish ndodhur tashmë tek Boca, do t’i ndodhë akoma tek Napoli). Dezerton stërvitjet, por edhe ky është refren i jetës së tij. ishte akoma fëmijë dhe tashmë e urrente atë izolim të kotë që nuk i shtonte asgjë talentit të tij dhe i cënonte dinjitetin, duke e mbajtur ndërkohë larg nga familja. “Lojicidi”, kështu do ta quajë një gazetë ndërhyrjen vrastare të Goicoetchea që frakturon pjesën e sipërme të kaviljes dhe copëton ligamentet e Diego Armando Mozart Maraviglia Maradona, konsumohet në Camp Nou me 23 nëntor 1983. Rekuperimi është i ngadaltë dhe i dhimbshëm, kthimi aspak entuziast. Maradona spanjoll duket se ka humbur magjinë dhe atëhere kritikat deri më atëhere të pëshpëritura në sallonet dhe nëpër ramblas bëhen një turbinë që shtyp krenarinë luciferiane të Maradona, sepse tashmë shpërthejnë në racizëm. Zhduket magjia e lojtarit, mbetet vetëm sudacas, jugamerikani, që katalanasit e përbuzin.

Zbarkim në gji

Është koha që të kërkohen fole të tjera, porte të tjera, në detëra të tjera. Edhe pse e kërkojnë financat që shpenzimet e çmendura të Diegos dhe investimet pakuptim të Jorge Cyterszpiler i kanë katandisur në një gjendje të mjerë. Zbarkimi është gjiri më i famshëm i botës. E shikon një natë korriku, me 4 korrik 1984. Në një jaht në lundrim midis Capri dhe Mergellina nënshkruan kontratën që e lidh me Napolin për 1 miliard e gjysëm lireta rrogë vjetore, 2 miliard të tjera si përqindje për transferimin, 25 përqind të arkëtimeve, premio dyfishe. Kusuri, domethënë shumica, do të vijë nga kontrata publicitare të panumërta. Janë Ferlaino e Gianni Punzo për Napolin dhe vëllezërit Jorge e Silvio Cyterszpiler që kurojnë interesat e Diegos. Kur gjithçka ka përfunduar dhe 3 kopjet e kontratës të nënshkruara, Diego largohet nga të gjithë, ngjitet në kuvertën e jahtit dhe qëndron duke shikuar qytetin e ndriçuar që si mirazh i afrohet dhe i largohet. Realiteti e godet me 5 korrik, në mesditë. Dhe lëkundet nën peshën primordial që 60 mijë njerëz i derdhin përsipër në stadiumin San Paolo. 60 mijë njerëz të ardhur vetëm për të asistuar në prezantimin e një futbollisti. Kurrë nuk ishte parë një gjë e ngjashme.

Lëkundet dhe mbështetet tek femra që e shoqëron. «Ndihmomë Claudia!». Ndihmomë që t’i rezistoj kësaj vale dashurie. Ndihmomë që mos t’i zhgënjej. Ndihmomë, pasi janë kaq të ngjashëm me mua! Fytyrat e padallueshme do të mësojë t’i njohë në ditët që do vijnë, jashtë stadiumit, në grumbullim, në piceri, në zdërhalljet nokturne dhe në rrugicat e qytetit të vjetër. Bile i njeh, sepse aty i ka parë gjithmonë, në rrugët e pluhurosura të Villa Fiorito, në vendet e takimit argjentinas ku shkon të kërcejë tango, në mizerjen e Esquina.  Për një moment të gjatë i qetë krimbi që e gërryen qëndron brenda pa u ndjerë. Më së fundi ka mbërritur në shtëpi. Shtëpia është atje ku të këndojnë «Oh! mamma, mamma, mamma, sai perché mi batte il corazon. Ho visto Maradona, innamorato son». Shtëpia është ku jetojnë njerëz me njëmijë probleme që kërkon t’i harrojë duke i rënë mandolinës. Njerëz të gëzuar, njerëz bujarë, njerëz të dëshpëruar, njerëz të përbuzur. Si lexonte ajo banderola në shkallët e San Siro? «Hitler, ke harruar napoletanët!». Formonte çiftin me ato kore raciste në Verona. O Zot çfarë tërbimi! Nuk kish qëndruar asnjëherë urtë Diego, në asnjë rast, kurrë. Ato në fund kanë qenë gjithmonë betejat që preferon. Ndoshta me pak viktimizëm dhe me pak dinakëri.

I vetëm kundër të gjithëve

Dinakërinë e përdor mjeshtërisht gjatë Botërorit 1990, kur çon në finale një Argjentinë të hutuar. Dhe qan nga zemërimi kur arbitri ua dhuron fitoren gjermanëve. Qan për ato fishkëllima ndaj himnit të tij që i vijnë nga shkallët e stadiumit faraonik që ka kushtuar një mal me para. E kishin ribërë trukun italianët dhe ndjeheshin në botën e parë. Kurse Argjentinën e tij e kish trajtuar më keq se Kameruni. Ama jo në San Paolo. Në San Paolo për të vinin vetëm duartrokitje dhe ndonjë fishkëllimë për italianët. Nga ana tjetër, ku mund t’i kishte mundur superfavoritët kaltëroshë përveçse në San Paolo? Kishin ulëritur skandalin, deliktin e madhërishëm, dhënë fajin diplomacisë së ndyrë të Maradonës. Po atëhere? Çfarë kishte thënë vallë false?

Çfarë kanë vallë të përbashkët yuppies elegantë të skuadrës italiane me djelmoshat e basifondeve të Napolit? Ai, Diego, është shumë më napoletan se të gjithë ata. Është bërë në ato muaj të parë të dobët në të cilat është vendosur në Hotel Royal, në rrugën Partenope, dhe mbrëmjeve shkon në piceri, gjithmonë të njëjtën. Thonë, kanë thënë më pas, se ditët dhe netët i kalonte midis orgjive dhe drogës. Por femrat me virtyt të pakët dhe shumë zemër që frekuentojnë rrugët e zonës rrëfejnë histori të tjera. «Darkonte dhe më pas vinte të na kërkonte që t’i bënim shoqëri. Nuk ishte punë orgjishë. Në fakt, diskutonte gjithë natën. Një djalë i sjellshëm, që kishte frikë nga vetmia». Nuk ka vetmi në Soccavo, në qendrën sportive të Napolit, ku furgonat e policisë duhet të stacionohen në mënyrë të përhershmë për të qetësuar trazirat dhe drejtuar trafikun. Një turmë për të ndjekur jo stërvitjen, por thjesht çdo lëvizje të njeriut të fatit. Ai që do të duhet të përmbysë kursin e historisë dhe analizat e një “sociologjie” të caktuar që e do Napolin kushtetueshmërisht të paaftë për t’u futur në terrenin e gjuetisë të rezervuar shoqërive të mëdha të veriut. Viti i parë është një vend i 8-të zhgënjyes, i ëmbëlsuar nga shpresa e vitit të ardhshëm: të 3-ët.

Mbret në Napoli, ama me çfarë çmimi?

Titulli, titulli i parë i historisë së Napolit, vjen në vitin 1987, në përfundim të një sezoni triumfues me Diegon që praktikisht ka marrë përdore skuadrën. Natyrisht, është lideri i padiskutueshëm, natyrisht. Është bërë një ditë janari të 1985 kur kthehet nga një pushim ristrukturues në tokën e tij, me familjen e tij, dhe gjen Napolin në grumbullim në Vietri sul Mare. Nga e marta në të dielë. Një prej këtyre grumbullimeve që bëhen kur gjërat nuk ecin mirë. Ato grumbullime për Maradonan kanë pasur gjithmonë aromën e ndëshkimit të pamerituar.

I urrente edhe 16 vjeçari që Argentinos sapo e kishte bashkuar me ekipin e parë. Tani është i rritur, i pasur, i famshëm dhe fatet e skuadrës varen nga ai. Mund ta trashë zërin më shumë dhe nuk i lejon askujt që t’i shkelë dinjitetin, nuk heq dorë nga liria e tij, as edhe për të gjithë makinat Mercedes e Ferrari me të cilat Ferlaino i mbush garazhin. Ai grumbullim është një fyerje ndaj dinjitetit njerëzor. Kështu foli Maradona. Dhe çdo diskutim me natyrë praktike kalon në radhë të dytë. Çfarë rëndësie kanë fajet e skuadrës dhe motivet e drejtuesve? Për Maradonën ka qenë gjithmonë e drejtë ajo që i është dukur e drejtë. Ndoshta ajo që i vjen për mbarë të besojë si të drejtë. Shokët lavdërojnë, drejtuesit gëlltiten dhe tifozët mbështesin. Gjithmonë. Por Maradona, Maradona më i mirë, atë që merr e jep. Jep në terma fitoresh. Titullin, për saktësi, dhe menjëherë më pas Kupën e Italisë. Forca Napoli. Era ka ndryshuar. Forca. Copëzat ose të paktën shenjat e tyre vijnë një vit më pas. Është një vend i dytë i barsur me helme kampionati 1987-88. 5 pikët që Napoli gëzon ndaj ndjekësve më të afërt vetëm 5 javë nga fundi po daraviten nën shikimin e befasuar të shumë tifozëve.

Sfumojnë në grindjet e skuadrës, në arratitë e Maradonë, në ndarjet e një skuadre që është në shumicë me Diegon, por që tek ndonjë fillon të parandjejë trazirën e një mënyre të vepruari që është fyese ndaj çdo bashkëjetese civile. Por në momentin vendimtar, në sfidën e drejtpërdrejtë me Milanin, që mund të vendoëë gjithçka, në San Paolo që asiston i ngurosur avantazhin e kuqezinjve, Maradona, i vetëm me vetveten, me një top midis këmbëve dhe një goditjeje dënimi për të gjuajtur, gjen për një moment fëmijën që luante, luante. Një goditje dënimi që mund të vlejë titullin, që mund të fshijë shumë hipoteza të tmerrshme. I përqëndruar,  i qetë, Diego heziton për një çast, pastaj vrulli i shkurtër dhe gol. Goli i barazimit, goli i iluzionit. Pastaj do të vijë furtuna e golave kuqezi, humbja e pabesueshme brenda me Veronën dhe ajo transfertë fatkeqe e Firenze në të cilën Maradona refuzon që të marrë pjesë duke u ankuar për dëmtime që herë të tjera nuk e kanë ndaluar kurrë, i mësuar të dalë në fushë në raste që vlejnë, ato të dashura për zemrën e tij, i fryrë me injeksione dhe analgjezikë.

Akuza dhe tradhëti

Atëhere lulëzojnë akuzat fillimisht, hipotezat më pas. Akuzat e tifozëve në këtë rast thonë gjithmonë “tradhëti”. Ato të të penduarit Pugliese tregojnë një Maradonë në duart e një kamorre që kishte shumë për të humbur, me bastet klandestine, nga një fitore e Napolit. Kështu vendos dhe urdhëron që t’ia dhurojë titullin Milanit të Berlusconi. Bile tregon i penduari Pugliese se, pas humbjes me Veronën, Diego dhe Ciro Ferrara fluturojnë në Gjermani për të festuar hapjen e një lokali nate të një miku kamorrist. Fluturojnë akuzat në këtë sezon italian të baltës dhe të helmeve ku të penduarit e vërtetë u shtohen të penduarve falsë dhe e vërteta është një vrimë e zezë e madhe. Është e vërteta e fotografiove, ato që e tregojnë Maradonën me kamorristë të njohur, në lokalet e tyre, në martesat e tyre, në pagëzimet e tyre. Është edhe e vërteta e njerëzve, të çmendurve të tribunave dhe të intelektualëve të Te Diegum që të paktën me një gjë bien dakord: cilatdo të kenë qenë fajet dhe frekuentimet e Maradonës, ai kurrë nuk do ta kish shitur një ndeshje, tradhëtuar futbollin. Sepse futbolli është pjesa më e mirë e vetes, ajo që absorbon dhe mund të gjitha të tjerat. Ndoshta Napoli, një Napoli i caktuar, e ka ndihmuar të gabojë, ndoshta në një mjedis tjetër, midis njerëzish të ndryshëm, veset e njeriut nuk do të kishin fituar kurrë kaq bujshëm ndaj virtyteve të tij. Ndoshta do të kishte qenë më mirë sikur të ishte larguar në përfundim të sezonit të parë të lavdishëm, kur ata që e rrethonin qenë akoma miqtë e fëmijërisë dhe jo fauna e paemër që do t’i zëvendësonte më pas ata. Është një pëshpërimë e ndrojtur që fluturon në rugicat e Napolit, menjëherë e mbytur nga arsyet e dashurisë dhe të shifrave. Shifrat flasin akoma për një vend të dytë në vitin 1989.

Dhe ajo e Kupës UEFA të fituar në Shtutgart që mbetet trofeu i vetëm ndërkombëtar në raftet e shoqërisë partenopease. Në qytetin e mrekullive kampioni i mrekullive arriti në kohë që të rifitojë një titull, në vitin 1990. Pastaj edhe Superkupa e Ligës. Janë momentet e fundit të lumtura. Rrjeta e merimangës e veseve, rreziqeve dhe kërcënimeve tashmë vjen duke u mbyllur rreth tij. largohet mbrëmjen e Pashkës të vitit 1991, kokaina e gjetur në urinën e tij në përfundim të një Napoli-Bari të disa javëve më parë i ka sjellë një skualifikim të gjatë. I hipën avionit natën në Fiumicino dhe në Itali nuk do të kthehet më. Lë një djalë jo të njohur, të cilit i ka mbetur fati të quhet Diego Armando dhe të ketë në kurriz fotografë dhe telekamera qysh nga kontaktet e para me topin; lë një mal me brenga dhe shumë polemika. Ndoshta tentakulat e qelbura të qytetit e kërcënonin vërtet jetën e tij, siç tha sapo arriti në Argjentinë. Sigurisht Napoli tjetër ka shpallur zinë për këtë humbje…

Frika e pas-it

Pas-i është një zinxhir i gjatë tërheqjesh në litarin gjithnjë e më të copëtuar të kampionit. Arrestimi për drogë, pas kthimit të tij në atdhe, rekuperimi agonistik me Sevilla, polemikat e reja dhe kthimi i ri në Argjentinë, tek Neëell’s Old Boys, nga ku do të arratiset pas disa muajsh. Dhe kthimi i brohoritur në kombëtare, për ta siguruar me një magji në asistim në ndeshjen kualifikuese me Australinë vajtjen në Botërorin USA 94. Së fundi, Botërori. Diego kthehet në skenë si lojtar i papunë, i luçiduar, i rënë ndjeshëm nga pesha në pak javë për të konsumuar një hakmarrje të dëshpëruar. Ulërima jonjerëzore telekamerës pas golit të shkëlqyer ndaj Greqisë dhe mrekullitë kundër Nigerisë janë vetëm preludi i një skualifikimi të ri: përjashtohet nga Botërori për doping të marrë në funksion dobësues. 15 muaj të tjerë, domethënë kthime të tjera, në stolm tek Mandiyù e më pas tek Racing, së fundi në fushë me ngjyrat e Boca, për polemika dhe rrëfime të reja me bazë pluhuri të bardhë të përjetshëm. Me Claudia shumë besnike gjithmonë në krah dhe vajzat Dalmita e Giannina që e shoqërojnë në zinxhirit të rënieve dhe ngritjeve. Por kjo, siç e kemi thënë, është krejtësisht histori tjetër, historia që na pëlqen, që dashurojmë, ajo e Maradonas lojtar dhe magjepsës përfundon këtu. Dhe zemra nuk ka sesi të mos gëzohet kur shikon Maradonan “tjetër”, atë të pasfutbollit, pasi ka shmangur për qime dhe ndoshta ka prekur fundin, ka tejkaluar djallin e tij më të rrezikshëm, drogën.

Një zot i futbollit

Maradona ishte një Mozart i vogël, i aftë që të transformonte në muzikë hyjnore rrugëtimet e topit, duke e mbajtur të ngjitur pas këmbës së tij të majtë në kundërshtim më çdo ligj graviteti. Për të vlen ajo që Gertrude Stein tregonte për Picasso: «Kishte lindur duke bërë piktura. Dhe jo piktura prej fëmije, por piktura prej piktori». Çfarë do të thotë? Do të thotë se Diego Armando Maradona nuk i ka mësuar kurrë nga askush gjërat fenomenale që bënte të shikoheshin në fushë. I prekur nga një cifël e së pafundmes, e ka gjetur atë në ADN. Pastaj, shumë thjesht, i transformonte në mbajtje topi, driblime, asistime, rrotullime trupi dhe gola. «Kur ndjehesha mirë në fushë, e dija se mund të bëja çdo gjë», përsërit akoma tani Maradona. Dhe nuk po tallet. Është edhe një vetëdije që lind nga montazhi i copëzave të jetës dhe ciflave të mrekulluara, të copëtuara dhe të vendosura sëbashku. Në fund të punës, mbetet evidente një gjë: Maradona nuk ka qenë një shembull jete, por një Zot i futbollit, kjo po. Qetësohej duke hyrë në fushë, duke filluar të luajë, duke u dëfryer si fëmijë. Kjo ishte mënyrë e tij e ndaljes së kohës, e lënies së botës menjanë dhe e futjes në xhep të pavdekësisë. Sikur të kishte qenë për të, nuk do ta kishte lënë kurrë. Fusha ishte elementi i tij, aty sindroma e tij e plotfuqishmërisë kishte një provë reale. Jashtë ishte një gjë tjetër. Ishte dhe është: si të nxjerrësh një fokë nga uji dhe ta shikosh duke lëvizur ngadalë, e pamësuar dhe e rëndë, në tokë të thatë, e cila në fakt është habitati më i frekuentuar nga njerëzorët. E njëjta gjë.

Përgatiti ARMIN TIRANA. TemA

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “PROFIL: I vetëm kundër të gjithëve, jeta e trazuar e Diego Armando Maradonas”

  1. Benevent says:

    A ju dhjefsha mu ne perkthim o tapiciere.

Lini një Përgjigje te Benevent Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *