Klementin Mile në rubrikën Universitas në Gazetën Liberale: Imoraliteti i taksava

28 Nëntor 2020, 18:57Ekonomia TEMA

Nga Klementin Mile

Në një kohë kur taksat rriten gjithmonë e më shumë për të financuar aktivitetet, zakonisht të dështuara, të shtetit social, filozofi libertarian amerian Robert Nozick na thotë të mos paguajmë taksa, pasi kjo gjë është krejt imorale. Por si arrin Nozick në këtë konkluzion?

Pronësia mbi veten

Pozicioni i Nozickut rrjedh nga një parim moral bazë i zhvilluar nga Immanuel Kanti, specifikisht nga formulimi i dytë i Imperativit Kategorik: “Vepro në atë mënyrë që ta trajtosh aspektin human, në personin tënd apo atë të një tjetri, gjithnjë si qëllim dhe kurrë vetëm si mjet”. Këtu ideja është që një qenie njerëzore, si agjent racional i pajisur me ndërgjegje, vullnet të lirë, dhe mundësinë për të formuluar një plan për jetën, ka dinjitet të lindur dhe nuk mund të trajtohet në mënyrën e duhur po ta shohim vetëm si send të thjeshtë, ose ta përdorim kundër vullnetit të vet si instrument apo burim, siç do mund të vepronim me një objekt që nuk ka shpirt.

Në përputhje me këtë, edhe Nozick i përshkruan individët si zotërues/pronarë të vetes së tyre. Teza e pronësisë mbi veten, një nocion që po të shohim pas në kohë mund ta gjejmë edhe në filozofinë politike të Lockeut, pohon se individët zotërojnë veten e tyre – trupat, talentet, aftësinë, energjinë për të punuar, dhe për pasojë edhe frytet ose produktet e ushtrimit të talentit, aftësisë dhe punës së tyre. Me fjalë të tjera, individët gëzojnë mbi veten ato të drejta që një skllavopronar gëzon mbi skllevërit që zotëron. Por në fakt teza e pronësisë mbi veten do ta përjashtonte skllavërinë si të paligjshme, duke qenë se secili individ, në cilësinë e pronarit të vetvetes, nuk mund të zotërohet nga ndokush tjetër. Libertarianët argumentojnë që arsyeja pse skllavëria konsiderohet imorale është se presupozon një lloj vjedhjeje, presupozon që një individi t’i jetë vjedhur personaliteti (tërësia e cilësive që e lejojnë një individ të shfaqet si person).

Por nëse individët janë qëllime të padhunueshme në vetvete, siç thotë Kanti dhe zotërues të vetvetes, sipas Nozickut rrjedh se ata kanë disa të drejta dhe, veçanërisht të drejtën për të jetuar, për të qenë të lirë, dhe për të gëzuar frytet e punës vetjake. Në fund të fundit, të zotërosh diçka do të thotë të kesh të drejta mbi të – të drejtat për ta poseduar, për të vendosur për të, për të përcaktuar se çfarë mund të bëhet me të etj – të cilat konstituojnë pronësinë si koncept. Kështu që të zotërosh veten do të thotë që të kesh të drejta të tilla në lidhje me elementet që konstituojnë veten. Këto të drejta funksionojnë si kufizime anësore mbi veprimet e të tjerëve. Ato vendosin disa kufij lidhur me atë se si të tjerët mund ta trajtojnë moralisht një person. Kështu psh, duke qenë se individi zotëron veten dhe ka të drejta mbi veten, të tjerët janë të kushtëzuar/detyruar moralisht që të mos e vrasin apo gjymtojnë (sepse kjo do të ishte shkatërrim ose dëmtim i pronës individuale), apo rrëmbejnë ose t’i heqin kundër vullnetit të tij organet jetësore për t’ia transplantuar dikujt tjetër (sepse kjo do të ishte vjedhje e pronës individuale). Gjithashtu të tjerët janë të kushtëzuar moralisht që mos të të detyrojnë, kundër vullnetit tënd, të punosh për të realizuar qëllimet e dikujt tjetër, edhe pse këto mund të jenë qëllime të mira. Sepse nëse zotëron vetveten, rrjedh që ke të drejtën për të përcaktuar vetë nëse dhe si do ta përdorësh trupin dhe energjinë për punë. Kjo do të thotë se ke të drejtën për të vendosur të punosh ose të mos punosh.

A duhet të paguajmë taksa?

Deri këtu mund të thuhet se rrjedhojat e tezës së pronësisë së individit mbi veten janë të kuptueshme, logjike dhe të pranuara gjerësisht. Por ajo që rrjedh logjikisht prej kësaj teze është konkluzioni radikal i Nozickut se taksimi (pra vendosja e taksave) është moralisht i paligjshëm. Ai i ngjan një lloj pune të detyruar, sepse shteti e strukturon sistemin e taksave në mënyrë të tillë që sado të punosh, një pjesë e kohës tënde të punës – pjesa që prodhon të ardhurat që të merren me detyrim nëpërmjet taksimit – është koha që punon kundër vullnetit tënd për interes të shtetit. Në të vërtetë, një taksim i tillë sjell një skllavëri të pjesshme, sepse duke i dhënë çdo qytetari të drejtën për të pasur një sërë përfitimesh (mirëqënie, siguri sociale etj.) faktikisht shteti u jep të gjithëve të drejtën për të zotëruar një pjesë të fryteve të punës tënde, pasi është kjo ajo pjesë që merret në formë takse për të financuar programet e mirëqënies apo sigurisë sociale. Në një sistem të tillë (pra në shtetin e mirëqënies sociale) çdo qytetar bëhet një zotërues/pronar i pjesshëm i yti, duke qenë se secili ka një të drejtë pronësie të pjesshme mbi ty, pra mbi energjinë tënde të punës. Dhe e gjithë kjo është krejt e papajtueshme me parimin e pronësisë së individit mbi veten.
Prandaj, programet e shtetit liberal modern të mirëqënies sociale janë imorale jo vetëm sepse administrohen në mënyrë inkompetente dhe inefiçente, por mbi të gjitha sepse i shndërrojnë qytetarët në skllevër të shtetit. Sipas Nozick, i vetmi shtet që mund të justifikohet moralisht është “shteti minimal”, pra një qeveri që mbron individët me anë të policisë dhe ushtrisë, nga ushtrimi i forcës, mashtrimi dhe vjedhja, dhe administron gjykatat, por nuk bën asgjë më shumë se kaq. Në veçanti, shteti minimal nuk rregullon se çfarë hanë ose pinë qytetarët (kjo do të binte ndesh me të drejtën për të përdorur trupin sipas dëshirës vetjake), nuk kontrollon publikimet dhe leximet (do të binte ndesh me të drejtën për të përdorur pronën e përftuar nëpërmjet punës individuale), nuk administron skema të detyrueshme të sigurimit social ose edukimit publik (do të binte ndesh me të drejtën për të përdorur frytet e punës vetjake sipas dëshirës), dhe nuk rregullon jetën ekonomike nëpërmjet pagës minimale ose ligjeve për kontrollin e qirave (dhunohet e drejta për të vendosur vetë çmimin për përdorimin e pronës vetjake).

Rreziku i anarkizmit

Por nëse nuk paguajmë taksa, a nuk rrjedh që shteti nuk mund të kryejë dot asnjë aktivitet dhe për pasojë do të ketë anarki? Nozick mendon se nuk ekziston rreziku i të pasurit të një shoqërie anarkike, pra pa rregulla. Sipas tij, edhe duke u nisur nga premisat e një shoqërie anarkike gjithmonë do të mund të zhvillohej një shtet minimal.
Imagjinoni një zonë të caktuar gjeografike ku nuk ekziston shteti, dhe gjithkujt i duhet të mbrojë të drejtën e vet për të jetuar, për të qenë i lirë dhe për të pasur pronën e vet, pa u mbështetur tek qeveria, policia dhe ushtria për këtë. Duke qenë se kjo do të ishte me kosto të lartë, e vështirë dhe do kërkonte mjaft kohë po të bëhej individualisht, sipas Nozick, njerëzit pashmangshmërisht do të grupoheshin për të formuar shoqata mbrojtje vullnetare, duke rënë dakord që secili me rradhë të ruante pronat e të tjerëve, do të vendosnim së bashku se si t’i ndëshkonin dhunuesit e të drejtave të tyre etj. Pas një farë kohe disa prej anëtarëve të këtij komuniteti anarkik do të vendosnin t’i kushtonin gjithë kohën e tyre mbrojtjes, duke e kthyer në një lloj biznesi, do të ngrinin një kompani private që ofron shërbimin e sigurisë për anëtarët e tjerë të komunitetit kundrejt një tarife të caktuar. Anëtarë të tjerë të komunitetit mund të fillonin kompani konkurruese dhe në këtë mënyrë do të zhvillohej një treg i lirë në sektorin e shërbimeve të sigurisë.
Si pasojë e zhvillimeve konkurruese njëra nga këto kompani do të fitojë një pozitë dominante në tregun e shërbimeve të sigurisë, dhe kjo do të ishte një organizatë që kryen funksionet e policisë, forcave të armatosura dhe gjykatave të drejtësisë. Në këtë mënyrë, nga një komunitet anarkik (pa rregulla) kemi arritur tek zhvillimi i një shteti, edhe pse kjo agjenci dominante është ende një kompani private, jo qeveri. Kjo agjenci mund të vërë re se përveç klientëve të saj janë edhe individë të pavarur nga ajo. Agjencia dominante duhet t’i ndalojë të pavarurit që të mbrojnë të drejtat e tyre kundër klientëve të vet (në raste konflikti ndërmjet të drejtave të individëve të pavarur dhe të drejtave të klientëve të agjencisë). Ajo duhet t’i atribuojë vetes të drejtën ekskluzive për të vendosur se cilët nga klientët e saj meritojnë ndëshkim dhe ç’lloj ndëshkimi duhet të jetë ky. Por duke bërë këtë, kjo agjenci ka marrë njërin nga tiparet karakteristike të shtetit: monopolin e përdorimit të ligjshëm të dhunës. Ajo është bërë, siç e quan Nozick, një “shtet ultra-minimal”.

Por duke bërë këtë, agjencia dominante duket të ketë vënë në rrezik të drejtat e individëve të pavarur (atyre që nuk janë klientë të agjencisë) – pasi edhe pse me të drejtë i ka ndaluar të pavarurit ta vendosin vetë drejtësinë ndaj klientëve të saj (me fjalë të tjera të bëjnë vetgjyqësi), i ka lënë ata të paaftë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Për të shmangur kryerjen e një padrejtësie ndaj individëve të pavarur, atëherë, agjencia dominante apo shteti ultra-minimal duhet t’i kompensojë për këtë – ajo duhet t’i mbrojë të drejtat e tyre duke u ofruar të njëjtat shërbime të sigurisë që u ofron klientëve të saj. Nozick thotë se agjencia mund t’u vendosë atyre një tarifë legjitime për mbrojtjen që u jep, por kjo nuk duhet të jetë më shumë se sa do të shpenzonin gjithsesi për mbrojtjen e tyre me mënyra të tjera. Rezultati final i këtij procesi është se shteti ultra-minimal ka marrë një tjetër tipar shtetëror: sigurimin e mbrojtjes për të gjithë ata që ndodhen brenda kufijve të tij. Për më tepër, duke u vendosur të gjithëve tarifa për mbrojtjen që ofron, kështu zhvillohet një lloj sistemi taksimi. Por ky taksim nuk dhunon të drejtat e pronësisë së individit mbi veten, pasi klientët origjinalë (klientët e vjetër të agjencisë, pra jo individët e pavarur) paguajnë vullnetarisht, ndërkohë që klientët e mëvonshëm (ata që dikur ishin të pavarur) paguajnë vetëm aq sa do ta paguanin gjithsesi për mbrojtjen e tyre. Në këtë mënyrë, shteti ultra-minimal është shndërruar në një “shtet minimal” në kuptimin e plotë të fjalës. Prandaj rreziku i anarkizmit nuk është real.

3 komente në “Klementin Mile në rubrikën Universitas në Gazetën Liberale: Imoraliteti i taksava”

  1. dikur says:

    Ky qeka per kthimi e prncipatave mesjetare qe ne thelb ishin minishtet private per qelline perfitimi.

  2. tekniku says:

    Ky trumpist filozof konservator sic e prezanton vehten ka mbetur pak prapa ne predikimet e tij.Nuk ka shtet ne bote qe qytetaret te mos paguajne taksa.Ceshtja shtrohet sa keto te ardhura buxhetore dhe si vihen ne sherbim te taksapaguesve.

  3. Tuti says:

    Ca i perkthen keto idiotesi or ti Klementina

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje