Shënime rreth librit “Tepelena-shënime historike,1012,1944” të Xhezo Canaj

12 Janar 2021, 01:03Kulturë TEMA
Shënime rreth librit “Tepelena-shënime

Vladimir Durmishi

Idealet e mëdha të Rilindjes shqiptare që njohën trupëzimin e vet në Lidhjen e Prizrenit, i kishin paisur shqiptarët, elitën e saj me qartësinë e duhur se vdekja e pushtimit osman nuk do të thoshte apriori triumf i lirisë e pavarësisë për shqiptarët e për Shqipërinë për arsyen e vetme se fqinjët,  dhe jo vetëm ata, do të zgjonin nga nënvetëdija e vet qëllimet e vjetra e të reja për të zëvendësuar në trojet shqiptare osmanët me të tjerë pushtues; e thënë më qartë;  Shqipëria do të jetë sërish shesh lufte, ku toka e shqiptarëve do të jetë sërish pre e thonjve të armiqve tradicionalë të saj, ndaj uniteti politik dhe lufta e bashkuar në mbrojte të territorit shqiptar, do të ishte edhe  detyra kryesore pas nëntorit të viti 1912. E këtë kërkon të rrokë edhe libri  më i ri i stjudjuesit tepelenas Xhezo Canaj që  me një referencë tepër të pasur, pra, me një brum të ardhur mirë, të nxjerrë nga arkivat shqiptare, ka mundur të sjellë në një libër të plotë gjithë historinë e viteve 1912-1944 për Tepelenën e viset rreth saj, ku ka qënë edhe arena e përpjekjeve të reja të shqiptarëve për të formësuar shtetin e ri të tyre, kur tej e tej ishin vetëm hijena që kërkonin ta mbysnin këtë shtet që në djep.

Ky libër, veç materialit të pasur arkivor, ka edhe kujdesin e dy profesorëve të nderuar të fushës së historisë, Bardhosh Gaçe e Bektash Mema.  Libri e ka fillesën e vet pikërisht atë vjeshtë të tretë, kur si një rrufe ishte dhënë lajmi aq i shumëpritur i ngritjes së flamurit të Pavarësisë në Vlorë. Tre ishin edhe delegatët e Tepelenës që do të ishin edhe protagonistë të atij akti të madh. Por edhe moti nuk ishte me ta. Rruga ishte e gjatë me kuaj dhe një mot i keq ua pamundësoi mbërritjen në kohë të delegatëve. Ata mbërritën ditën tjetër të shpalljes së Pavarësisë. Ishin Aristidh Ruçi, Kristo Meksi dhe  Feim Mullai nga Mezhgorani i cili do të jetë edhe zëvendësministër i drejtësisë  e që vinte nga një shkollë drejtësie nga Stambolli dhe do të ishte i pari që do të bënte  strukturën juridike e cila do të  finalizohej me një sistem të ri drejtësie, duke siguruar së pari e së fundi shkëputjen e gjithë sistemit të ri të drejtësisë nga sistemi i vjetër otoman. Dhe pak ditë më vonë pas ikjes së osmanëvë, në Tepelenë u shfaqën andartët grekë që u duk se ishin pas dere.  Grekët  zbarkuan në Delvinë, Tepelenë, zbarkuan në Himarë e më 28 dhjetor iu afruan Kuçit të Vlorës, zemrës së Labërisë.

Pushtuesi i ri ishte fqinji ynë jugor, lakmitë e të cilit shqiptarët i njihnin nga koha në kohë. Ai ishte i mbytur nga idetë e tij shovene dhe që ditën e parë që prekën Tepelenën e Vlorën u dërguan një letër të zotërve të vendit ku u shkruanin “Po të mos dorëzoheni brenda tre ditëve, do të sulmoheni me forca të mëdha”. Tani ishte një realitet i ri historik. Sërish shqiptari do ta mbante supit armën. Ndaj në këtë situatë, në disa zona të Jugut, krerët vendas  krijuan ato që u quajtën ”Komiteti i mbrojtjes kombëtare”  Komiteti i kërkoi qeverisë së Vlorës mbështetje më armë për të mbajtur forcat greke larg tokës së vet, por qeveria ishte në pamundësi të mëdha. Dhe dokumentat arkivore flasin qartazi se qeverinë e re e mbështetën italianët dhe  austro-hungarezët, ndërsa fqinjët ballkanikë mezi e paskan pritur ikjen e osmanëve për t’u bërë ata pushtuesit e rinj me një synim të largët; eleminimin e shqiptarëve e shqiptarisë si komb, si popull, pra ndarjen e tij të mëtejshme.

Ishte një vit tepër i vështirë për shqiptarët. Grekët përdorën të gjitha mënyrat për t’i  mbajtur të përçarë.  Ata bënin thirrje në popull se duhej të bëhej një referendum ku populli vetë do të firmoste se ata dëshironin të mbeteshin nën Greqinë. Dikush më tej mbante fjalime ku Greqinë e quante “mëma Greqi” e cila ka “derdhur” gjakun lumë për   lirimin e këtyre viseve. Banda të helmuara nga nacionalizmi, herë të fshehta e herë  qartësisht të kuptueshme në qëllimet e tyre, silleshin rreth trojeve tona; në Londër ishte thirrur një konferencë ambasadorësh e cila kërkonte të vendoste disa kufijë ekuilibrues në Ballkanin që “prodhonte intrigë më tepër se sa konsumonte”, ndërkohë si një re e zë në Ballkan po shfaqej lufta ballkanike e që  Shqipëria nuk mund të ishte jashtë vëmendjes së palëve që   po e nxisnin këtë luftë.   Nga ana e saj Evropa nuk ndenj  larg hapësirës shqiptare. Ata i dërguan një notë protestë qeverisë greke ku i kërkonte të zbrazte Jugun e  Shqipërisë. Por ecuria e mëtejshme e ngjarjeve dëshmoi se kjo ndërhyrje ishte vetëm një taktikë nga ato që shqiptarët i kanë njohur në kohra dhe grekët, duke përdorur edhe autoritetin e kishës së tyre, nxituan të  mbajnë një kuvend gjoja me inisiativën e vetë shqiptarëve për të shpallur “Autonominë e Epirit”. Pas dorëheqjes së Ismail Qemalit në Shqipëri vjen princ Vidi dhe tani Shqipërinë e drejtonte “E gjashta evropiane”, ku ngjarjet në Shqipëri i vrojtonte një general holandez De Veer i cili ishte vendosur në Tepelenë dhe u bënte fuqive të mëdha  njoftimin e rradhës ku shprehej “Unë, si i paanshëm, po them se më barbar  komb se grekët, më gjakpirës dhe më të pamëshirrshëm, s’ka në botë”. Eshtë një citim që autori i librit e ka marrë nga gazeta “Dielli”, nr 306, data 24 prill 1915.

Çështja shqiptare lëviz nëpër kancelaritë e Evropës nëpërmjet kanaleve diplomatike të cilat janë shumë herë të fshehtë,  ku vihen re  përpjekjet ushtarake, diplomatike  të dy fqinjëve tanë, njeri në Jug e tjetri në Veri, herë të koordinuara e herë secili për hesap të vet, për të realizuar planet e vjetra që  ata i mbanin në sëndukët e vjetër të nacionalizmit të sëmurë ballkanas,  njeri me “Naçertnjen” e tjetri me “megali idenë” që 60 vjet më parë.  Qartazi ata kërkonin fqinjësinë e njeri- tjetrit në Shkumbin.

Kështu gjithë ngrehina e librit  jep një tablo të qartë të qarqeve jashtëshqiptare ndaj çështjes sonë kombëtare  ku Londra, Franca, Rusia mbështet Serbinë, ndërsa italianët  u paraqitën të lëkundur në sjelljen e vet, gjermani neutral, ndërsa austriaku, nëpërmjet Kontit Berchtold, ishte tërësisht në mbështetje të faktorit shqiptar duke kërkuar moscopëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare. Autori Xhezo Canaj ka mundur në mënyrën më akribike të mundshme të ndërtojë një libër me strukturë e cila i ka lejuar të rendisë faktet, ngjarjet, rrethanat e tyre duk na krijuar një mundësi të qartë komunikimi e  duke e bërë këtë libër të afërt për lexuesin e aq komunikues.

Skrupuloz është autori duke mundur të evidentojë çdo fakt, apo grimcë fakti duke u nisur nga setenca se asgjë që gjendet në arkiva nuk është pa vlerë. Dhe studjuesi, edhe pse është një mësues matematike, është një hulumtues i veçantë; ai ka mundur të rrokë gjithë  skenat dhe prapaskenat e kohës në çdo skaj të Tepelenës e më gjerë që nga çështje çame, deri te lufta italo-greke, nga të dhënat demokrafike të Tepelenës deri te arsimi në çdo fshat të saj,  nga luftrat me pushtuesin italianë te masakrat e padëgjuara kund të andartëve grekë, nga njerëzit që lanë gjurmë në këto vite deri te arkelogjia, nga funksionimi i pushtetit vendor në këto treva deri te prapaskenat  që janë luajtur në dëm të çështjes shqiptare.

Të  shumta janë detajet  në të cilat lexuesi e kupton fare qartë se dëndësia e ngjarjeve në ato vite ishte marramendëse, torturuese, ngjarja e sotme nuk  përsëritej më,  një tjetër i zinte vendin, pasnesër një tjetër e lexuesi sheh qartazi  përpjekjet e mëdha që kanë bërë njerëzit patriotë të kësaj treve për të mbajtur gjallë patriotizmin si armën e vetme me të cilat ata do të përballonin atë teatër ngjarjesh të vështira të cilat i ndizte shovinizmi sllavo-grek për të zbatuar planet e vjetra që vinin që nga koha e traktatit të Shën Stefanit i marsit 1878.

Libri i Xhezo Canajt “Tepelena-shënime historike, 1012-1944” është një libër jo interpretues, por hulumtues; ai ka plotësuar më së miri  një periudhë e cila për shumë arsye është lënë në hije, por aty ka aq gjurmë që e bëjnë këtë kohë një periudhë tepër të vështirë, një periudhë që siguroi një mbijetesë, kur gjithçka përreth saj ishte për vdekjen e saj. Ka zbulime interesante, ka dëshmi  autentike nga personazhë të kohës të cilat thuhen për herë të parë,  por që jo për herë të parë  dëshmojnë se ne mundëm të mbijetonim falë përpjekjeve të shumta e titanike të njerëzve që  përveç atdheut nuk deshën gjë tjetër, falë përpjekjeve  të njerëzve të shquar të kombit që  trokitën dyerve të Evropës  edhe me një revole rezervë të fshehur në brez e duke kërkuar “Vatanet e mia….”

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje