REPORTAZHI: ‘Keqtrajtimi i natyrës’, rrëshqitjet e tokës kërcënojnë dhjetëra banesa në Lezhë

13 Janar 2021, 20:26Sociale TEMA
REPORTAZHI: ‘Keqtrajtimi i natyrës’, rrëshqitjet e

Ekspertët fajësojnë shpyllëzimet pa kriter të dekadave të fundit si shkak për erozionin e tokës dhe rrëshqitjet e dheut, të cilat pas reshjeve të dendura të javës së fundit kërcënojnë të shkatërrojnë dhjetëra banesa në qarkun e Lezhës.

Nga Elvis Hila

Familja e Mark Majamalit në Torovicë të Lezhës u detyrua të shpërngulet nga banesa e saj pasi u bë e pabanueshme nga rrëshqitja e një masivi gurësh.

Ata morën orenditë shtëpiake dhe u strehuan në një shtëpi të siguruar nga një i afërm i tyre. Kryefamiljari tregon se rrëshqitja e tokës nisi pas reshjeve të dendura të shiut dhe më pas situata u përkeqësua edhe më shumë.

Mark Majamali kujton se rrëshqitja e tokës ka filluar natën e të enjtes së kaluar, kohë kur pati reshje të dendura shiu.

“Kur jam zgjuar atë mëngjes pashë se mali kishte shkarje dhe dheu kishte rrëshqitur pranë banesës, por nuk pata dëme, mendova se nuk do ketë më probleme dhe nuk e bëra të madhe si problematikë,” tha ai.

Por pas dy ditësh mali nisi të rrëshqasë sërish edhe më shumë, derisa shtëpia e Markut pësoi plasaritje.

“Atëherë njoftova bashkinë [dhe punonjësit e saj] erdhën këtu e vlerësuan shtëpinë dhe më thanë se këtu nuk do të banosh më se ka rrezik,” thotë Marku.

“Tani po me ndihmojnë dhe fqinjët e po nxjerri të gjitha pajisjet e do vendosem në një vend që ma ka siguruar një i afërm i imi,” shpjegoi ai.

Familja Majamali nuk është e vetmja në Torovicë që kërcënohet nga shkarja e dheut.

Në një situatë të ngjashme janë edhe dy familje të tjera, ndërsa rreziku është i njëjtë edhe për të tjerët. Edhe këto familje janë evakuuar, pasi banesat e tyre u bënë të pabanueshme nga rrëshqitjet e tokës.

“Që prej ditës së hënë e kam lënë shtëpinë sepse më është dëmtuar nga rrëshqitja e tokës,” tha Nikoll Pjetra, banor i Torovicës.

Pjetra shpjegoi se pasi e kanë verifikuar rrëshqitjen e tokës, autoritetet i kanë thënë se duhet të largohet nga banesa pasi ka rrezik të madh.

“Ka lëvizur i gjithë shpati i malit dhe problematika është shumë e madhe, pasi rrezikohen edhe disa banesa tjera që janë poshtë shtëpisë time,” tha Pjetra.

“Njëherë po qëndroj tek disa të afërm të mi derisa të gjendet ndonjë zgjidhje,” shtoi ai.

Në Torovicë ku janë dëmtuar më shumë banesa masivi i malit është tërësisht i zhveshur nga bimësia, ndërsa banoret thonë se fenomene të tilla nuk ka patur më parë.

“I gjithë mali është zhveshur nga bimësia dhe ky mendoj që është shkaku,” tha një banor i zonës që preferoi të mbetej anonim. “Po bien çdo gurë e po rrëshqasin dhera dhe në këtë situatë është e rrezikuar e gjithë zona,” shtoi ai.

Reshjet e dendura të shiut të javës së fundit e kanë rikthyer frikshëm fenomenin e erozionit në qarkun e Lezhës.

Përveç Torovicës probleme të ngjashme ka patur edhe në njësinë administrative Ungrej, në qytetin e Lezhës dhe disa fshatra të Mirditës.

Në total numërohen 10 banesa të dëmtuara në këtë qark, ndërsa shumë të tjera janë në rrezik. Në mënyrë të veçantë shqetësuese paraqitet situata në lagjen “Varosh”, poshtë Spitalit Rajonal të Lezhës.

Një masiv i madh dherash dhe gurësh ka rënë nga kodra, duke vënë në rrezik shumë ndërtime që ndodhen aty pranë.

Rrëshqitjet e tokës kanë krijuar probleme edhe në infrastrukturën rrugore. Rruga Kallmet-Ungrej e ndërtuar në vitin 2014-të është shembur në një gjatësi prej 100 metrash pranë zonës së Kreshtës, duke izoluar mijëra banorë. Po ashtu shembje të rrugëve ka në aksin Rrëshen-Bukmirë në Mashterkor të Mirditës dhe në aksin e vjetër Milot-Rubik.

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu thotë se situata është mjaft problematike dhe se po bëhet studimi gjeologjik i zonës për të parë mundësinë e ndonjë ndërhyrje.

“Kemi patur shumë probleme me rrëshqitjen e dherave në disa zona,” tha Ndreu, ndërsa theksoi se janë dëmtuar “disa banesa dhe kemi evakuuar disa familje.”

Ai nënvizoi se situata më problematike është në lagjen “Varosh” ku ka një rrëshqitje masive dhe rrezikohen banesa.

“Aty situata është parë nga afër dhe nga vetë Kryeministri Rama,” theksoi Ndreu, ndërsa shtoi se po bëhet studimi gjeologjik në të gjitha zonat ku ka patur rrëshqitje për të parë mundësinë e ndërhyrjeve.

Edhe Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku thotë se rrëshqitja pranë lagjes “Varosh” është në një zonë mjaft të rrezikuar nga erozioni, ku nuk duhet të ishte lejuar që të ndërtohet.

“Nga pikëpamja gjeologjike e gjithë zona aty është erozive,” tha Jaku, i cili shtoi se në këtë zonë nuk duhet të ishte lejuar që të ndërtohet dhe të legalizoheshin objektet.

“Ky alarm për këtë territor të rrëshqitshëm është dhënë këtu e 20 vjet më parë dhe nuk di të them nëse këto godina janë formalizu,” shtoi ai.

Eksperti i Mjedisit Jak Gjini thotë se fenomeni erozionit ka ardhur nga keqtrajtimi që i është bërë mjedisit, sidomos me shpyllëzimin e pyjeve.

“Reshje të dendura ka patur edhe më përpara, por nuk kemi patur kaq fenomen agresiv të erozionit,” tha Gjini.

“Kjo situatë është bërë evidente gjatë viteve të fundit dhe vjen nga keqtrajtimi që i është bërë natyrës nga vetë dora e njeriut dhe nga papërgjegjshmëria e institucioneve,” përfundoi ai.

1 komente në “REPORTAZHI: ‘Keqtrajtimi i natyrës’, rrëshqitjet e tokës kërcënojnë dhjetëra banesa në Lezhë”

  1. p.m.p. says:

    Nga sa shifet Fotua per ndertimin ne ate vend ne Lezhe, Prefekti GJOK JAKU, ka shume te drejte kur thote:

    1.-“………………rreshqitja prane lagjes Varosh, eshte ne nje zone mjaft te rrezikuar nga erozioni, ku nuk duhet te ishte lejuar te ndertohet”.
    2.- Me posht, Prefekti ka vazhduar: “Nga pikpamja gjeologjike, e gjithe zona aty eshte erozive dhe se ne kete zone nuk duhej lejuar te ndertohej
    dhe te LEGALIZOHESHIN objektet”, dhe me posht vazhdon prap:
    3.- “Ky alarm, per kete teritor te rreshqitshem, eshte dhene ketu e 20-vjet me pare dhe nuk di te them nese keto godina jane formalizu”.

    Mua si qytetar me vjen shume keq per ato familje qe u demtohet dhe u behet e pa banueshme banesa e ndertuar me mund e djerse, POR NESE QYTETARI KA NDERTUAR NE NJE TERREN PA STUDIM GJEOLOGJIK DHE PA LEJE NDERTIMI, CFAR KUSURI KAM UNE QE TAKSAT TONA TE SHKOJNE VETEM PER TE MBYLLUR VRIMAT E SHKELSAVE TE LIGJIT ?

    Po pushtet vendor dhe te plotfuqishem zone, te cilet kane lejuar keto ndertime, a ka patur aty ?

    Nese ato objekte jane legalizuar ne menyre korruptive, pa nje studim gjeologjik, CFAR KUSURI KAM UNE QE TAKSAT E MIJA TE SHKOJNE VETEM PER SHKELSAt E LIGJIT ?

    Kam mendimin qe KLSH-ja dhe organet ligjzbatuese, mbi keto shkelje duhet te vene DORE, MBASI NA ESHTE MBUSHUR VENDI ME “TIRE” DHE ASKUSH NUK MBAN PERGJEGJESI.
    HISTORIKU I NDERTIMEVE VERIKOHET SHUME KOLLAJ NE GOGLE, ME VIT DHE ME MUAJ NDERTIMI.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje