Shqiptarët "me zor po presin" sa të bëhet Basha, Kryeministër!

15 Janar 2021, 21:37Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Ka një qasje sa delirante, naïve e shejtanbudallaqe në dukje, aq edhe qesharake, mitomane e jashtë realitetit, në diskursin publik të Lulzim Bashës për 25 prillin. Nëse je dikush që nuk e di se çka ndodhur këto 30 vite apo në 2 mandatet e fundit në Shqipëri dhe ke mundësi të dëgjosh vetëm Kryetarin e opozitës, nis e mendon se zgjedhësit kanë filluar që tani të zenë rradhën për të votuar.

Nis e takohesh me këtë ide fillimisht, pas humbjes së 60 bashkive të vendit nga “Opozita e Bashkuar” në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, pas të cilave Lulzim Basha tha se pavarësisht se nuk kishin për herë të parë asnjë përfaqësim në asnjë lloj pushteti, atë e mbështesnin 85% e shqiptarëve. Vetëm aritmetika e një lideri opozite si kjo, mund ti dali në rregull llogaria, që sa më pak pushtet menaxhon aq më shumë mbështetje popullore gëzon!

E si të mos mjaftonte kjo, sa më shumë e linte opozitën rrugëve dhe sa më pak shpresa u jepte përkrahësve dhe mbështetësve të vet, aq më shumë i shtoheshin shifrat. Kështu derisa vitin e kaluar, nga selia e PD u bë deklarata qesharake, se opozita jonë tani kishte arritur në nivelin e mbështetjes së më shumë se 90% e shqiptarëve. E me këto ritme, nëse vazhdohet kështu, e sigurtë është se Lulzim Basha do të fitojë me të paktën 99.99% të votave si njëherë e në kohën e qoftëlargut.

Derisa mbrëmë niveli i fluturimit mbi retë e gjumit letargjik të një lideri që i ka humbur sistematikisht të gjitha betejat e tij politike qëshkurse u ngjit në krye të PD më 2013, u artikulua fraza që i shkuli së qeshuri të mëdhenj e të vegjël, të majtë e të djathtë e deri edhe tek indiferentët e përjetshëm politikë dhe elektoralë:

“Pas 25 prillit nuk do të keni vetëm kryeministrin e parë që nuk është rritur dhe edukuar në komunizëm, por ka një botëkuptim perëndimor, por do të keni edhe ekipin me më shumë integritet në këto 30 vite”!

Në estradat e kohës së komunizmit, kësaj qasje dhe këtij vetpërcaktimi ia vunë diçiturën: “A doni më për Belulin”?! Ndërsa në Shqipërinë e Mesme, për këtë ka një shprehje tjetër: “Lavdëromë o gojë, se të çapleva”!

Me këtë që tha, Lulzim Basha vetëm sa i vuri një veshje konkrete, vetisë kameleonike të udhëheqësve politikë si ai. Këta lloj liderësh bëjnë gjithçka që të shfaqen përpara përkrahësve dhe mbështetësve të vet, si njerëz që kanë lindur vetëm për të udhëhequr. Sepse kanë qenë që në krye të herës, të destinuar, për ta pushtuar shpejt e për ta dominuar njëherë e përgjithmonë skenën e madhe politike.

Ndaj herë nxjerrin ndonjë foto me udhëheqësit e vendit të shkrepur rastësisht në fëmijëri e adoleshencë, e herë herë, tregojnë histori sesi në moshën 16 vjeçare (sa ç’ishte Lulzim Basha më 1990) kanë qenë të angazhuar në krye të lëvizjes antikomuniste. Apo kur ishin 18 vjeç (1992) ishin vendosur me koshiencë, për të kontribuar në vijën e parë të luftës, për fitoren e demokracisë.

Ndërsa tani që e kaluan këtë fazë e ndihen të sigurtë në krye të opozitës, aspirojnë për tu bërë Kryeminitra të Shqipërisë. Por jo një Kryeministër dosido. Jo Kryeministër si këta të tjerët: Sali Berisha, Fatos Nano, Ylli Bufi, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko apo Ilir Meta. Por një Kryeministër ndryshe, që nuk është rritur dhe edukuar në komunizëm, por në Hollandë. Një kryeministër as me botëkuptim shqiptar, as ballkanik, por që “ka një botëkuptim perendimor”!

Për Lulzim Bashën më shumë sesa e vërteta, ka rëndësi realitet virtual që ai ka krijuar në kokën e tij, për veten. Një realitet se ai është i dërguari i Zotit mbi dhe’, për të na qeverisur deri në 2030, sipas ciklit 8 vjeçar të ndërrimit të pushteteve, që e ka ndjekur prej 24 vjetësh Shqipërinë.

Ndaj Lulzim Basha as e ka vrarë ndonjëherë mendjen, për të krijuar një lidership të spikatur, përmes punës së dikurshme si ministër apo kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, ku mbahet mend vetëm për gjumin e tij olimpik. Sepse atij i del e i tepron e vërteta e vet. Ajo e vërtetë, që deri dje ishte brenda kokës së tij, e më pas mbushi zyrat dhe koridoret e SHQUP, për të dalë më pas jashtë gardhit të saj, e për tu artikuluar me zë të lartë nëpër studiot e televizioneve kombëtare të Tiranës.

Kjo e vërtetë për Kryetarin e PD, tashmë është fare e thjeshtë dhe këtë duhet ta mësojnë të gjithë: Shqiptarët, me zor po presin sa të bëhet Basha, Kryeministër! Kështu, derisa një dorë ta shkundë njëherë e përgjithmonë në mëngjesin e 26 prillit e ti thotë: Çohu Luli, çohu. Boll pe ëndrra me karrike!

2 komente në “Shqiptarët “me zor po presin” sa të bëhet Basha, Kryeministër!”

  1. Selim Rroshi says:

    Shqiptaret po presin mos shohin me surratin tend o vemje.

  2. balo says:

    Artikull shum i bukur…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje