KPA ia ‘dorëzon’ vendimmarrjen Gjykatës së Apelit Administrativ për Evelina Qirjakon

21 Janar 2021, 12:53Kronika TEMA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, me shumicë votash, vendosi të pranojë kërkesën e ish-anëtares së Gjykatës së Lartë për të administruar si provë vendimin e Apelit Administrativ për procesin që po gjykon padinë e saj dhe të ish-koleges Arjana Fullani kundër vendimmarrjes së KLGJ-së që deklaroi përfundimin e statusit të magjistratit për këto subjekte rivlerësimi, pasi nuk preferuan të emëroheshin në një pozicion në Apel.

Nga Edmond Hoxhaj 

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA pranoi të enjten kërkesën e radhës së ish-anëtares së Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako për të shtyrë seancën ku po shqyrtohet ankimi i saj ndaj sanksionit të Komisionit që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, deri kur Gjykata e Administrative e Apelit të shprehet për kërkesë-padinë e saj kundër Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ që vendosi mbarimin e statusit të magjistratit.

Vendimi i ndërmjetëm i trupës në praktikë do të thotë se determinues për dëbimin e Qirjakos nga sistemi i drejtësisë për një periudhë 15 vjeçare do të jetë vendimi nga Gjykata Administrative e Apelit.

Në tetor 2017, Qirjako dhe 4 anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë njoftuan largimin nga detyra pas përfundimit të mandatit. Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ u ofroi pozicione në Gjykatat e Apelit, por të pesë gjyqtarët i refuzuan pozicionet e ofruara. KLGJ e lexoi refuzimin si dorëheqje dhe vendosi mbarimin e statusit të magjistratit për secilin prej tyre.

Sipas KPK, pesë ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit dhe vendosi të ndëpresë vetingun, si dhe u hoqi të drejtën që në 15 vitet e ardhshme të punonin në sistemin e drejtësisë.

Evelina Qirjako ankimoi në KPA vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK dhe paralelisht filloi edhe një proces administrativ, duke kërkuar pavlefshmërinë e vendimit të KLGJ-së për përfundimin e statusit të magjistratit.

Ajo e quan vendimin e KLGJ-së si një sajesë, duke pretenduar se vendimi kishte ardhur 19 muaj pasi i kishte përfunduar mandati dhe ndërkohë ushtronte profesionin e avokatit.

Qirjako shpjegon se vendimi i KPK bazohet vetëm në vendimmarrjen e KLGJ-së dhe me këtë pretendim argumenton se procesi në KPA është i lidhur me atë që po zhvillohet në Gjykatën Administrative të Apelit.

Në seancën e të enjtes, kryesuesi i trupit gjykues të Kolegjit, Sokol Çomo bëri me dije se Apeli Administrativ kishte konfirmuar se çështja me palë paditëse Evelina Qirjako dhe Arjana Fullanin është duke u shqyrtuar.

E pyetur nga Çomo, Qirjako shpjegoi se ishte vendosur mbyllja e shqyrtimit gjyqësor për çështjen në Apelin Administrativ dhe se vendimi përfundimtar do të shpallej më datë 26 janar. Ajo kërkoi që Kolegji të shtynte seancën deri në administrimin e vendimit të Apelit Administrativ. “Mendoj se kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa u zgjidhur tjetra”, pohoi Qirjako.

Pasi u tërhoq, Kolegji vendosi me shumicë votash të pranojë kërkesën e Qirjakos dhe njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 3 shkurt, ora 10:00.

1 komente në “KPA ia ‘dorëzon’ vendimmarrjen Gjykatës së Apelit Administrativ për Evelina Qirjakon”

  1. Lumi says:

    Dmth kerkojne te ri-futen ne sistem pa vetting? Pasi abuzuan dhe u larguan me dashje per te maskuar vjedhjet marramendse, tani kerkojne te rifuten per te vazhduar vjedhjet. Ju duhi shtypur si asfalti o barbar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje