Ana e errët: Bitcoin – një piramidë financiare planetare?!

18 Shkurt 2021, 10:18Ekonomia TEMA

Ngandonjëherë heshtja flet më shumë se fjalët. Kështu po ngjan këto ditë me shumë ekonomistë dhe financierë me famë botërore. Heshtja e këtyre personaliteteve me reputacion ndërkombëtar po shoqërohet edhe nga stepja e shumë institucioneve financiare, duke filluar nga Uoll Strit-i.

“Si mund ta kuptojmë dhe përcaktojmë këtë fenomen?! A kemi të bëjmë thjesht me një spekullim, me një flakë kashte që do shuhet shpejt, apo me diçka që po ndryshon praktikat monetare dhe financiare të vendosura prej qindra vjetësh?!”. Këto pyetje po ziejnë tashmë në kokën e tyre, pa ditur tu japin përgjigje.

Është fjala për monedhën virtuale Bitcoin. Suksesi i saj fenomenal i ka lënë me gojë hapur të gjithë ata që bënin be vetëm mbi kokën e dollarit, arit dhe euros. Ditët e fundit kursi i saj po çmend edhe bursat e botës.  E parë deri më tani me qësëndisje, si një trill adoleshentësh, apo maniakëve të internetit, sot me të po merren krerët kryesorë të ekonomisë botërore.

Si p.sh ish shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe tashmë presidente e Bankës Qëndrore Europian, Kristin Lagard. Dhe kanë të drejtë. Se bëhet fjalë për një treg me vlerë prej 923 miliardë dollarësh!

E pyetur mbi qëndrimin e institucioneve financiare ndërkombëtare rreth kësaj monedhe digjitale, Lagard veçse pohoi se një “ një studim po ndërmerret për të mbajtur nën kontroll këto kriptomonedha që po konkurrojnë sot monedhat e shteteve. Nuk kemi të bëjmë me një monedhë zyrtare, por me flluska spekulluese, – përgjigjet thatë zyrtarja e lartë e BE-së.

Por miliarderi i çartur Elon Musk, njëri nga njerëzit më të pasur të botës, pronar i veturave elektrike Tesla si dhe nismëtar i popullimit të planetit Mars, ka një mendim krejt tjetër. Megjithëse e pranon natyrën spekullative të Bitcon-it, ai prapë se prapë nuk ngurroi të hidhte në treg 1.5 miliardë dollarë dhe t’i konvertonte këto me monedhën Bitcoin!

Para pak ditësh edhe grupi i produkteve informatike MikroStrategy njoftoi se ka hedhur në treg 600 milionë dollarë për t’i shkëmbyer me monedhën virtuale Bitcoin.

Tregu i transfertave monetare u çmënd fare. Dhe pa kaluar dy ditë një bitcoin arriti të shkëmbehej me 50 000 dollarë!

Kjo “ethe e arit” shqiptarëve mund tu kujtojë vitin e mbrapshtë 1997, kur u sulën të gjithë duke lënë kursimet e tyre te Vefa, Gjallica, Sudja e kompani. Me shpresën e çmëndur se një ditë do të gdhiheshin të pasur, pa pasur fare nevojë të lodheshin.

Por ndryshe nga sa ngjau me “paratë më të pastrat në botë të shqiptarëve” Kristinë Lagardë  i drejtohet publikut duke u tundur gishtin tregues: “Duhet ta dini se mund të humbisni gjithçka duke spekulluar rreth këtyre monedhave  virtuale’ – i paralajmëron ajo qytetarët europianë !

Në fakt Bitcoin nuk ekziston materialisht. Pra nuk ka bankonota  dhe as monedha fizike me të cilat mund të blesh dhe të shesësh. Bitcoin-i bazohet në një protokoll informatik i shkëmbimeve të koduara, Peer to Peer, i përhapur në të gjithë botën i quajtur Blockchain. Pra është një para virtuale që qarkullon midis një kompjuteri dhe një tjetri.  Por Bitcoin-i mund të shkëmbehet në dollar dhe euro. Dhe kjo përbën forcën e tij.

Sikur të kishim të bënim këtu vetëm me një “dalldisje” të publikut të rrugës kjo do të ishte gjysma e së keqes. Por të dhënat dëshmojnë se gjithmonë e më shumë bankat dhe institucionet e tjera financiare po e drejtojnë vëmendjen drejt kësaj monedhe që lindi nga asgjëja.

Banka më e vjetër e Uoll Strit-it, BNY Mellon si dhe shoqëria e pagimit në çast të parave Pay Pal kanë filluar tashmë të bashkëpunojnë dhe planifikojnë përdorimin e monedhës së re. Master Card dhe Visa po ecin në gjurmët e tyre.  Në Japoni, Venezuelë, Argjentinë etj sot mund të blesh dhe të shesësh duke përdorur bitcoin-in. Kohët e fundit Bitcoin ka hyrë edhe në bursat e  shteteve të ndryshme.

Po si spjegohet ky sukses i një monedhe që nuk mbështet asgjëkundi?! Është thjesht çështje besimi, – vënë në dukje disa ekonomistë qê kanë ndjekur ecurinë e kësaj monedhe. Si çdo para e hedhur në qarkullim që ka nevojë të fitojë besimin e përdoruesve të saj edhe Bitcoin-i filloi pak nga pak, pas afro 10 vjet “rezistence” në tregun botëror të valutave, të fitojë besimin e përdoruesve.

Por ka edhe një arsye tjetër për këtë sukses. Kjo monedhë nuk mund të kontrollohet nga asnjë shtet dhe qeveri në botë. Veçse poseduesi i tij e di se sa bitcoin ka në portofolin e tij. Dhe vetëm ai ka « çelësin » e kthimit të tyre nga një vlerë virtuale në reale.

Xhanet Jellen, ministrja e re e Thesarit në kabinetin e presidentit të sapoemëruar amerikan, Xho Biden, nënvizoi se Bitcoin-i po përdoret gjithmonë e më shumë edhe nga mafia ndërkombëtare për të pastruar paratë e tyre. Ai po shndërrohet po ashtu në monedhën kryesore që po përdoret sot në darkweb ose rrjetin e errët për të blerë armë, drogë, për të fshehur paratë e pista etj etj. Sepse përdoruesit e tij mbeten anonimë dhe nuk mund të gjurmohen dhe gjenden nga asnjë institucion shtetëror.

Bitcoin në fakt ka filluar të përdoret që nga viti 2009, pas krizës financiare të vitit 2008. Vlera e tij reale atëhere llogaritej në 0,56 dollarë! Por më 2017 një bitcoin vlente 1 000 dollarë. Ndërsa sot vlera e tij është 50 fishuar!

Kjo shpjegohet se investitorët ndërkombëtarë kanë filluar të humbasin besimin te monedhat zyrtare. Si dhe te bankat që i administrojnë ato. Me krizën e fundit të pandemisë Covid 19 dhe me hedhjen në qarkullim të miliarda dollarëve dhe eurove për të përballuar pasojat ekonomike të kësaj krize shëndetësore, frika e investitorëve ndaj një çvlerësimi marramëndës të dollarit apo euros,  po rritet edhe më shumë. Sytë janë drejtuar tani rreth Bitcoin-it i krijuar nga dikush i vetëquajtur Satoshi Nakamoto, një gjeni i informatikës.

Por edhe sot e kësaj dite shumë pak vetë e dinë se kush fshihet  në të vërtetë pas këtij pseudonimi. Siç nuk e dinë se përse Satoshi Nakamato ka vendosur që numri i Bitcoin-eve që do hidhen në qarkullim nuk duhet ta kalojë kurrsesi shifrën e 21 milionëve. Deri më tani në qarkullim janë hedhur 18 milionë nga kjo kriptomonedhë me një vlerë të përgjithshme që po i afrohet pak nga pak 1 000 miliardë dollarëve!

Por problemi që shqetëson sot më shumë investitorët dhe institucionet financiare është: A të hidhemi edhe ne në ujë apo jo?! A ta kapim me vrap këtë tren që po merr shpejtësi apo të presim, me rrezikun që të ngelim me gisht në gojë?!

I pyetur rreth një mundësie të tillë drejtori financiar i Twiter-it pohoi se “një lloj investimi i kësaj firme miliardere në monedhat virtuale ishte në studim”. Ndërsa patroni dhe bashkë themeluesi i Twiter-it, Jack Dorsey pohoi se shërbimi i mesazherisë “Square” ka investuar 1 përqind të buxhetit të tij në kriptomonedha!

“Veprimi i padronit të “Tesla”-s dëshmon se monedhat virtuale mund të imponohen në tregun e valutave njëlloj si dollari, euro apo ari”, – nënvizon nga ana e vet Graham Tanaka, drejtor i Tanaka Capital Menagement.

Elon Musk nga ana e tij pohon se ka shumë mundësi që Bitcoin-i të mbetet monedha e vetme planetare në një të ardhme të afërt!

“Do të jetë e vështirë për grupet e tjera financiare që të rrinë mënjanë. Se mund tu kushtojë shtrenjt më vonë”, – tërheq vëmendjen nga ana e saj Maya Zehavi, eksperte në Blochchain.

Sidoqoftë është e sigurt se asgjë nuk është më e pasigurt. Askush nuk e di nëse kemi të bëjmë me një monedhë të së ardhmes apo me një marrëzi të re financiare në shkallë planetare! Si ajo që ngjau në vitin 1997 në një vend të vogël buzë Adriatikut.

Përgatitur për “TemA” nga Viron Gjymshana

9 komente në “Ana e errët: Bitcoin – një piramidë financiare planetare?!”

  1. Drenova says:

    Mos u habisni fare:
    Eshte nje MASHTRIM I MADH,njelloj si Fondacionet Piramidale te 97-tes!

    1. anticensurë says:

      duhet me pyt fred cakon!!
      ka shumë mundësi që sipas cakos të jetë lojë e cias,si janë të gjitha gjërat që ai thorë!!
      bile dip seteit ka shumë mundësi ta ketë bërë këtë!!
      iluminati janë në vënd të parë ata e kanë shpikur kurse masonët e kanë ndërtuar,grupi i të 300ve e ka mbështetur kurse billderberg e financon,klaus shvab do ta përhapë në tërë botën!!
      sidoqoftë duhet pyetur cako ose vëllai i tij binjak që do bëhej dhëndër ri xhorxh bushit!!

      1. Roland says:

        E ke gabim anticensure. Zyrat e manaxhimit te bitcoinit drejtohen fshehurazi nga kreret e piramidave shqiptare te cilet me sukses ja kane futur sa krahu gjithe budallenjve ne bote (perfshire Elon Muskun) qe merren me te. Madje edhe te gjitha atyre qeverive te globit qe mundohen ta legalizojne me rregulla ate. Por me trapat fare jane kinezet qe kane nxjerre juanin dixhital (vellain e vogel per momentin) te bitcoinit dhe i kane dhene kurs ligjor. Kushedi se ku do shkoje ky budallallek.

  2. Baliu says:

    Ajo qe e ben te dyshimt Bitcoin and Co. eshte dallimi perrallor i vleres se 1 Bitcon ndaj monedhave klasike. Me reale do te ishte 1 Bitcoin = 2 Euro.

  3. Durrsaku says:

    Esht e shpikur nga Cia per te ditur “kush “dhe “sa” lek te pista ka! Renci ka qe keto para te mos shkojn per terrorrizem, se keto para jan korrupsioni apo vijn nga droga nuk u intereson fare!

  4. Beni dhe Agimi says:

    Bitcoini tani eshte per kapitalin emadh tani. Kush e kapi ne fillim fitoj dicka. Ju te tjeret ngrohuni ne Diell, hagahahaaaaa

  5. beni says:

    1 Bitcoin = me 100.000 Dollar per disa vjet do te kini ket si monedhen dixhitale,letrat e shtypura te printuara,si dollare apo Euro do digjen ne fure pergjithnje,Para sdo te kete me!!
    Keshtu eleminohen te gjitha punrat e kundraligjshme ndaj Shtetit,dhe shteti kontrollon cdo Kapital nepermjet transaksjoneve ne Bitcoin!

  6. Cen says:

    Ky artikull eshte shume sakte per aq sa njihet tani ne siperfaqe. Ka spekullime se Satoshi Nakamato eshte Elon Musk kur krijoji PayPal .Nuk besoj se gjigande si USA rrine ne hije dhe presin cdo ndodhe si qeveria e nje vendi te vogel buze Adriatikut ne vitin 1997!!

  7. Roland says:

    Artikull shume i mire me perjashtim te frikes apo dyshimit te tepert qe shpreh ne pjese te caktuara te tij.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje