Personalitetet që u vaksinuan dhe mallkuesit e tyre, meritojnë një falënderim të madh

Nga Altin Ketro

Ditët e fundit, procesi i vaksinimit të personaliteteve të fushave të ndryshme të jetës të cilat kanë mbushur moshën 80 vjeç, ka ngjallur debate të forta në media dhe rrjetet sociale. Ka një ndarje në dy llogore ku, një pjesë i japin të drejtë qeverisë që u dha prioritet vaksinimit të tyre në vijim të procesit të vaksinimit për të gjithë këtë fashë moshe, dhe një pjesë tjetër që e mallkojnë (në kuptimin e plotë të kësaj fjalë) këtë ndarje në të privilegjuar e në të paprivilegjuar.

Faktikisht asnjë nuk është privilegjuar në këtë rast, por thjesht një grup prej atyre që sot janë 80 vjeç dhe që i kanë dhënë me dekada vendit tonë në art, kulturë, shkencë etj., do të vaksinohen në ditët e para që mund të jetë, le të themi një javë, dhe në vijim procesi do të vijojë edhe me individë që nuk janë persona publikë.

Pala e atyre që e sulmojnë këtë proces, duhet të kenë parasysh që të dytët në radhë që u vaksinuan pas mjekësve dhe infermierëve, ishin azilet e të moshuarve të cilët përbëhet nga shtetas që janë braktisur nga familjet e tyre dhe që në vetvete janë njerëz “anonimë” në kuptimin e njohjes publike. Jo vetëm kaq, po në këto azile nuk u vu fare si kriter mosha, por qenia e tyre në atë institucion.

Gjithsesi, për të dalë nga kjo grackë që për mua është shumë e rrezikshme, aq më tepër kur disa individë po kërkojnë edhe linçim publik ndaj personaliteteve, unë dua ta shoh më me shumë gjakftohtësi dhe t’i marr anët pozitive edhe këtij linçimi.

Ende pa ardhur partia e parë e vaksinave, kryeministri Rama tha shprehimisht që, “Vaksina është e këshillueshme, po jo e detyrueshme”. Dihet që prodhimi dhe nisja e procesit të vaksinimit, kudo në botë, u shoqërua me teori të shuma konspirative rreth rrezikut që shfaqnin këto vaksina.

Vetë fakti që prodhimi i tyre ishte një proces që shkeli gjithë historikun e mëparshëm të të njëjtit lloj, duke ulur afatet normale që i duhet një vaksine për të dalë në treg, ishte një argument i mirë për ta vënë në dyshim efikasitetin e tyre.

Në Shqipëri pati, dhe ka ende, personazhe që edhe nëpërmjet valëve të televizionit përcjellin pasiguri për ta bërë vaksinën. Natyrisht që kjo ndikon për keq në psikologjinë e shumë njerëzve duke rritur dozën e mosbesimit. Kësaj i shtohen edhe lajmet nëpër portale ku herë pas here nxirren njoftime të tipit, “Në filan shtet vaksina solli iks komplikacion dhe pacienti / vullnetari vdiq”.

Frika ka lindur bashkë me njeriun dhe as ky proces i vaksinimit nuk mund të bënte përjashtim kur vjen puna tek siguria që duhet të të japë ajo.

Duke përmbledhur gjithë sulmet që iu bënë vaksinës, vetvetiu kjo mund të çonte në një trajektore të paparashikuar siç është dështimi i procesit. Fakti që vaksinimi nuk ishte i detyrueshëm me ligj, pra që një individ që e refuzon nuk do të kishte penalitet për këtë gjë, i jepte më shumë siguri dështimit.

Atëherë, e vetmja gjë që mund ta thyejë këtë barrierë të fuqishme në psikologjinë e njerëzve është “dhënia e shembullit personal”. Dhe shembullin personal nuk mund ta japin të parët njerëzit “anonimë”, sepse konspiracionistët menjëherë do të vinin kujën që ata, “anonimët”, po përdoren si kavie eksperimentale laboratori. Do të mjaftonte një komplikacion për atë “anonimin”, po që s’ka lidhje me vaksinën, që i gjithë procesi të rrezikohej.

Mjafton të kujtojmë si shembull rastin e doktor Piperos, që është një personazh publik e mediatik, për të cilin çfarë nuk u tha pasi mori dozën e parë të vaksinës dhe ku rastësisht ky proces qëlloi që ai paralelisht të identifikohej me Covid-19. Ishte një moment delikat sepse portalet gëluan nga teoria që doktori ishte mirë e bukur dhe sapo bëri vaksinën u infektua. Një koleg i tij shkoi edhe më larg duke njoftuar publikun se doktori ishte nisur urgjent drejt Italisë në gjendje të rënduar, ndërkohë që ai ishte në Shkodër.

Duke analizuar sa thashë më lart dhe duke i parë gjërat në kompleksitetin e tyre, tashmë që nëpër media gurguleja se përse personalitetet kanë prioritet përpara popullit të thjeshtë, për mua kjo është diçka shumë pozitive për të cilën duhen falënderuar nga zemra, si personalitetet ashtu edhe mallkuesit e tyre.

Personalitetet, për shkak se dhanë një shembull kuptimplotë drejt popullit, që të kenë besim tek shkenca dhe tek shpikja e saj, vaksina. Mallkuesit, sepse i dhanë më shumë besueshmëri vlefshmërisë së vaksinës.

Rëndësi tashmë ka vetëm një gjë. Ata që do të refuzojnë bërjen e vaksinës do të jenë një grusht shumë i vogël njerëzish, kurse shumica e popullit do ta bëjë atë pa hezitim.

Në këtë kontekst, do i sugjeroja qeverisë që procesin e vaksinimin nga “i këshillueshëm”, ta bëjë “i detyrueshëm”.

Personalitetet dhe mallkuesit e tyre e lehtësuan shumë këtë proces.

REMOTE_ADDR:[]

4 komente në “Personalitetet që u vaksinuan dhe mallkuesit e tyre, meritojnë një falënderim të madh”

  1. Taruba says:

    Ke plotesisht te drejte. Ne duhet t’u perkulemi me respekt Aleksander Meksit, Tome Meksit dhe Fedhon Meksit per qendrimin sup me sup me Saliun, po ashtu edhe plot me nder personaliteteve qe kane lepire cdo bythe dhe jane mesuar te perfitojne ndere e privilegje, si menyre mbijetese.

  2. Ideali says:

    C fare u kane dhene o Altin injoranti. Vendimi i Rames eshte percares dhe do te kete nje ndikim te paimagjinueshem ne te ardhmen. E kuptoi shpejt edhe truri i prishur i tij sa brenda 24 oreve nxori zv ministren e shendetesise te thote nje genjeshter qesharake se listen e kane vendosur mjeket e familjes. Po vone o injorant, vone. Vone o lepires i pushtetit, vone. Edhe nje here:Cfare i kane dhene keta artiste shqiperise. E ke degjuar te flitet ndonjehere per Zhdanovin. Te gjithe ata ishin nxenes te tij ne institutin e arteve. U arsimuan me parrullen e tij qe arti eshte mbeshtetes i pushtetit. Dhe ata ia zgjaten jeten atij diktatori pervers si Hoxha, duke u nisur nga Kadare, Agolli e poshte deri tek Anagnosti e Tinka. Sa turp me mend e tua. Nje shoqeri qe nuk ka force te dale nga prengat e diktatures edhe pas 30 vjeteve. Histori tragjikomike o Altin.Ta gezoc haracin e kryeministrit. Po dije je shitur per nje therrime.

  3. Leci says:

    O Ketro,po turp nuk ke?!
    Po pse mundohesh ta justifikosh kot këtë veprim të ulët diskriminues?!
    Ky veprim është vetëm i Ramës!.Dhe jo i një grupi që paskan menduar kështu e ashtu!
    Është një veprim i pastër elektoral,ku Ramës në llogari i del se ata që do e miratojnë janë më shumë se ata që do fyen dhe do e përbuzin.
    E megjithatë,ky veprim është diskriminues ndaj qytetarëve.Dhe jo për efekt “nxjerje frike”për të tjerët.
    Po të ish kjo arsyeja,nuk kish pse vaksinonte në që ditën e parë gjith ata personalit.
    Të vaksinonte edhe popullin e thjeshtë edhe ndonjë prej tyre.
    Turp për Ramën që veproi kështu dhe turp për ju që e mbroni për interesat tuaja të ngushta.

  4. Mandi says:

    O artikullshkrues.
    Nuk behet gurguleja se u vaksinuan keta persona, jooo. Puna eshte shume me thelle.
    Problemi qendron se Kryeministri jone nuk eshte i kthjellet dhe po shnderrohet ne nje ” une i di te gjitha” .
    E para:
    Disa jave me pare shfrynte kundra vendeve te Evropes Pernedimore, DHE ME TE DREJTE, duke argumentuar qe jeta e nje francezi nuk vlen me shume se jeta e nje shqiptari…
    Sot , po i njejti person na thote ne shqiptareve qe jeta e nje ” personaliteti” vlen me shume se jeta e nje njeriu te thjeshte (babes tend per shembull).
    Kjo tregon nje devijim nga linja e mendimit dhe kontradikte te thellle me vetvehten
    E dyta:
    Kryeministri merr persiper te beje politiken e vaksinimit mbi kritere totalisht subjektive (personalitet apo jo), ne nje kohe qe ne gjithe boten caktohen kritere nga specialiste shkencore: te paret mjeket dhe infermieret, pastaj rradhe vazhdon me grupmoshat ne baze te shkalles se rrezikut…ne disa vende diskutohet qe ne prioritet te futen eshe mesuesit neper shkolla, qe eshte e diskutueshme.
    Keto dy faktore qe permenda jane ato qe krijojne ” gurgulene” . Dhe vertet qe jane esenciale per Shqiperine:
    E para tregon qe Rama nuk eshte konsistent ne mendime.
    E dyta tregon qe eshte kthyer ne autokrat dhe vendos cdo gje.
    Per kete beheet gurguleja. E kupton ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *