Letra për Ramiz Alinë: Vera Grabocka përhap modën e huaj, Agron Çobani mori në punë të bijën e …

23 Shkurt 2021, 10:13Kulturë TEMA

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat i përkasin muajit korrik të vitit 1982, ku ndodhet një raport-informacion i funksionarit të lartë të aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Leko Mako, drejtuar eprorëve të tij në sektorin përkatës që mbulohej nga Ramiz Alia, lidhur me dy mbledhjet e zhvilluara në Radio-Televizion Shqiptar ku ai ka qenë i deleguar, ku është marrë në analizë figura morale-politike e punonjësve të atij institucioni. Të gjitha akuzat se çfarë thuhet në atë raport për drejtuesit kryesorë të Radio-Televizionit Shqiptar që ishte një nga institucionet më të rëndësishme të informacionit e propagandës së asaj kohe, si: Çajup Rusmali, Marash Hajati, Agron Çobani, Shaqir Rexhvelaj, Liri Çeli, regjizorët, redaktorët e gazetarët, si; Vera Grabocka, Ilir Keko, Leonard Gjata, Engjëll Ndocaj, Agim…., Arjan Bakiri, Shpresa Musliu, Peçi Fiku, Mirela Llakaj, Siera Vaso, etj, e deri tek operatorët e grimierët e thjeshtë që punonin aty…

Nga Dashnor Kaloçi

Edhe pse kishin kaluar plot dhjetë vite nga ‘furtuna’ e madhe që përfshiu Radio-Televizionin Shqiptar, pas Festivalit të XI-të Kombëtar të Këngës, ku mjaft prej kuadrove drejtues kryesorë, bashkë me disa kompozitorë, këngëtarë, regjizorë, redaktorë, gazetarë etj., u shkarkuan dhe u dërguan në prodhim, apo përfunduan burgjeve politike e internimeve në skajet më të largëta të vëndit, dukej se aty akoma s’kishte qetësi…?! Kontrolle pas kontrollesh, inspektime, mbledhje, informacione, raporte, relacione, letra me denoncime për gjithçka ndodhte aty, me intriga, spiunime, thashetheme, sajesa, të verteta, gjysëm të vërteta, etj., etj., i dërgoheshin udhëheqjes së lartë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që kishte në vartësi direkte atë institucion, nga më të rëndësishmë të propagandës dhe informimit masiv të atij regjimi.

Këtë gjë veç të tjerash e tregon mësëmiri, edhe ky dokument arkivor i datës 12 korrik 1982, i cili publikohet për herë të parë në faqet e këtij libri, ku në gjashtë faqe të daktilografuara, i deleguari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Leko Mako, i bën me dije shefave të tij në sektorin e Edukimit që mbulohej nga Ramiz Alia, mbi gjithçka ka mbajtur shënim në bllokun e tij, rreth atyre ç’ka ka parë, dëgjuar dhe konstatuar nga dy mbledhjet e organizatave bazë të Partisë të Radio-Televizionit Shqiptar, ku ai ka asistuar. Dokumenti ka si temë: “Mbi figurën morale politike të punonjësve të Radio-Televizionit”, por siç duket dhe nga përmbajtja e tij, realishit mbledhjet që merren në analizë aty, kanë tjetër qëllim, gjë të cilën do e shohim më poshtë.

Koha kur janë mbajtur këto mbledhje që përshkruhen në dokumentin e mëposhtëm, përkon me periudhën pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu, u gjet i vdekur në dhomën e tj të gjumit nga plumba pistolete. Dhe pas kësaj ngjarje, në të gjithë vëndin zhvilloheshin mbledhje të shumta, ku diskutohej dhe merrej në analizë letra që Komiteti Qëndror i PPSH-së kishte derguar organizatave bazë të partisë, me temë: “Tablo sinoptike, mbi veprimtarinë armiqësore të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në këtë kontekst, janë mbajtur edhe dy mbledhjet në Radio-Televizionin Shqiptar, ku komunistët e organizatave bazë të partisë të atij instuticioni mjaft të rëndësishëm, kanë diskutuar ‘në frymën’ e asaj letre të Komitetit Qëndror, duke akuzuar mjaft ashpër kolegë të tyre dhe deri tek drejtuesit e Radio-Televizionit. Në pamje të parë, ajo çka bie në sy nga sa shkruhet në atë informacion, janë kritikat me akuzat ndaj disa emrave e personazheve nga më të njohurat e Radio-Televizionit Shqiptar, si: Agron Çobani, Shaqir Rexhvelaj, Liri Çeli, Vera Grabocka, Ilir Keko, Leonard Gjata, Engjëll Ndocaj, Shpresa Musliu, Zhaneta Petushi etj., e deri tek operatorët e grimierët e thjeshtë të atij institucioni.

Duket qartë se etiketimi që bëhet “për paaftësi”, ndaj emrave të tillë si; Keko, Gjata, Ndocaj apo dhe Bakiri, ka qenë tendencioz, pasi për hir të së vërtetës, duhet thënë se ata ishin dhe mbetën deri në fund, nga më profesionistët e Radio-Televizionit Shqiptar. Ndërsa regjizorja e njohur Vera Grabocka e cila kishte bërë emër të madh që në atë kohe me programet e saj, apo dhe kolegia, Shpresa Musliu, kanë akuza mjaft të rënda. Apo thënë më saktë, akuzat ndaj tyre në raport-informacionin e të deleguarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, duket qartë se janë të karakterit politik, pasi përhapja dhe ekspozimi i modës së huaj si dhe veshjeve që vinin nga jashtë, në rastin më të mirë konsideroheshin si “shfaqje të huaja”, por kur ato bëheshin me tendencë për të goditur persona të veçantë, në bazë të ligjeve të asaj kohe, quhej “agjitacion e propaganda” dhe kodi penal i asaj kohe, parashikonte; nga tre, deri në shtatë vjet heqje lirie!

Por akuzat më të rënda i janë bërë Agron Çobanit, një prej profesionistëve më të spikatur apo siç konsiderohej ndryshe (para dhe pas viteve ’90-të), si: ikonë e Radio-Televizionit Shqiptar, i cili akuzohet se ka ndërhyrë për të marrë në punë në RTSH dhe se i kishte nxjerrë shkollën e lartë, punonjëses Mirela Llakaj, vajzës së Veli Llakaj, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes të asaj kohe dhe njëkohësisht zëvëndës i parë i ministrit Kadri Hazbiu. Dhe gjithashtu “lidhja e tyre”, vazhdonte më tej, pasi dy tre persona të tjerë nga familja Çobani (Astriti, Petriti etj.), ish-ushtarëkë të lartë të diplomuar me rezultate të larta në shkollat dhe akademitë ushtarake të Bashkimin Sovjetik, shërbenin ende në Ushtri si oficerë madhorë, vartës të Kadri Hazbiut e Veli Llakaj!

Përveç kësaj, Agron Çobani akuzohet në atë raport edhe për favoret që u ka bërë dy punonjësve të tjera të Radio-Televizionit, (Teuta Meçaj e Siera Vaso), ku njëra prej tyre, ishte e motra e një drejtuesi të lartëtë Sigurimit të Shtetit në Tiranë, (vartës direkt i Feçorr Shehut), që mbulonte inteligjencën, pra dhe Radio-Televizionin. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Agron Çobani ishte vëllai i gruas së Feçor Shehut, ministrit të Punëve të Brendëshme të asaj kohe, i cili vetëm dy tre muaj më vonë, në tetorin e atij viti, u arrestua së bashku me Kadri Hazbiun, duke u akuzuar si “pjestarë të grupit armiqësor të kryesuar nga Mehmet Shehu”.

Ndërsa Veli Llakaj i shpëtoi ndëshkimit vetëm me degradim, Kadri Hazbiu dhe Feçorr Shehu, pas një viti hetuesie dhe torturash, u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim. Dhe në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve asokohe, duket qartazi se gjithçka ka qenë e parapërgatitur dhe “kopsitur hollë”, deri me detaje që më parë, për të gjetur lidhjet e mundëshme të Agron Çobanit me Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun dhe Veli Llakajn! Këtë hipotezë apo më saktë deduksion llogjik, e përforcon edhe më tej fakti që në raport, i deleguari i Komitetit Qëndror, ku midis të tjerash sugjeron: “Të thërritet Agron Çobani dhe të thotë se përse ka ndërhyrë për vajzën e Veli Llakaj, etj.…”?!

Kështu, kritikat e akuzat që u bëheshin personave të sipërcituar, nuk ishin gjë tjetër, veçse një skenar i mirëmenduar dhe përgatitur nga udhëheqja e lartë e asaj kohe, me në krye Enver Hoxhën, në kuadër të goditjes dhe eliminimit të Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut, Llambi Ziçishtit, Llambi Peçinit, etj., që u pushkatuan si pjestarë të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i kryesuar nga Mehmet Shehu”. Për më shumë na njeh dokumenti në fjalë që po publikojmë në këtë pjesë të librit, i cili ashtu si pjesa më e madhe e materialeve arkivore publikohet i plotë dhe pa pasnjë ndryshim.

Informacioni i të deleguarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së mbi mbledhjet e mbajtura në Radio Televizionin Shqiptar

INFORMACION I SEKTORIT TE EDUKIMIT NE KOMITETIN QENDROR TE PPSH PER KETE PROBLEM: FIGURA MORALE-POLITIKE E PUNONJËSEVE TE RADIO-TELEVIZIONIT       

                                                   I n f o r m a c i o n

Më datën 5 dhe 8 korrik 1982, morra pjesë në dy mbledhje të organizatave bazë të partisë të Radio-Televizionit, në atë të Radios së brendëshme dhe të Televizionit, ku u diskutua për problemet që ngrihen në letrën e Komitetit Qëndror të Partisë, drejtuar organizatave bazë të Partisë; njëkohësisht u informova dhe për zhvillimin e mbledhjeve për këtë problem dhe në organizata të tjera të këtij institucioni.

Komunistët ishin njohur me përmbajtjen e letrës disa ditë më parë, mbledhjet ishin përgatitur në përgjithësi mirë, kish preokupacion nga komunistët, të cilët u solidarizuan me letrën dhe në diskutimet e tyre bënë përpjekje të kritikonin të metat e shfaqjet e huaja që vihen re në organizatat e tyre, në institucionin e Radio-Televizionit dhe jashtë tij.

Në tërësi në këtë mbledje u theksua se në Radio-televizion ekziston një gjëndje morale dhe politike e shëndoshë. Ka luftë e përpjekje për zbatimin e detyrave që ka shtruar Partia dhe është formua në një shkallë më të lartë unitei i kolektivit dhe i vetë organizatave bazë të partisë. Komunistët dhe kuadrot në përgjithësi kanë luftuar për pastëtinë e figurës moralo-politke të tyre.

Por nga diskutimet që u bënë nga komunistë në këtë mbledhje dalin dhe këto probleme:

Ka të meta dhe dobësi në punën që duhet bërë për të rritur rolin udhëheqës të organizatave bazë të Partisë. Të forcohet Kritika dhe autoktritika. Vumë re se brenda organizatës-bazë, komunistët zhvillojnë pak kritikë dhe autokritikë për njëri tjetrin, ka hezitime për të reflektuar ndaj të metave që vihen në dukj, ka justifkime.

U shtua deyra që komunistët të bëjnë më shumë përpjekje e të jenë në rolin pararojë, duhet të luftojnë më shumë, që të rrisin cilësinë në krijmtari dhe në përgatitjen e emisioneve. U tërhoq vëmëndja dhe u bënë kritika në organizatën bazë të Partisë të Radios së brendëshme se dhënia llogari e kuadrove para masës, nuk bëhe si dhe sa duhet, në këtë drejtim mungon dhe shëmbulli personal i komunistëve.

Nuk punohet mirë në marrjen e kuadrove në të gjithë sektorët e Radio-Televizionit. Shqetësimi i komunisëve ishte se në Radio-Televizion vijnë mjaft kuadro me hatëre, me ndërhyrje. Kjo ka bërë që të futen në këtë institucion shokë dhe shoqe të paaftë për detyrën që kryejnë, këta përbëjnë rreth 40 veta.

Njëkohësisht vhet re, u tha në diskutimin e komunistëve, se ka shumë lidhje farefisnie: vëlla-vëlla, vëlla-motër, kushërinj, si dhe 27 çifte, këta përbëjnë 90 veta. Ekziston tendenca për të sjellë dikush nipin a mbesën, duke bërë presion, pasi i dinë vëndet vakante: ekziston dhe tendenca tjetër tek ata që dalin në pension për të prurë në Radio-Televizon, dikush vajzën dhe dikush djalin.

Liri Çeli, përgjegjëse e Redaksisë së Programacionit, tha se na sjellin kuadro në sektor dhe nuk na marrin asnjë mendim. Puna e kuadrit është mbyllur në “kullën” e drejtorit. U muarrën në punë tha ajo, Mirela Llakaj, e bija e Veli Llakaj, nuk u pyetëm. Mirela kishte dy muaj në punë dhe mori të drejtën nga Agron Çobani, për vazhdimin e shkollës, shumë të tjerëve nuk u jepet.

Në organizatën e Partisë të Radios së brendëshme u tha se kemi pasur ndërhyrje për vazhdmin e shkollës së lartë, për t’u dhënë të drejtë disa daktilografisteve etj., në një kohë që u është refuzuar kërkesa për t’u dhënë të drejtë studimi disa redaktorëve!

Në organizatën e Partisë të Televizionit, u kritikua marrja në punë e Teuta Meçaj e Siera Vaso, duke mos marrë më parë mendimin e pergjegjësve të sektorëve ku ato punojnë. Teuta Meçe, u tha, është motra e Vladimir Meçe, oficer në Drejtorinë e Punëve të Brendëshme të Tiranës, që mbulon Radio-Televizionin. Teuta ka ardhur nga Vlora, veprimin për marrje e saj në punë, e ka bërë Agron Çobani.

Në praktikën e punës së kuadrit vitet e fundit vihet re se nga ndërhyrjet e shumta merren kuadro nga rrethet e disa herë edhe nga rrethet e vogla, si Puka, Gramshi, etj., që kanë nevojë për kuadro. Gjatë tre vjetëve të fundit janë marrë nga rrethet 28 kuadro.

Komunistët kritikuan këtë praktikë, dke vënë në dukje edhe emra kuadrosh që janë marrë si; Engjëll Ndocaj, Ilir Keko, Leonard Gjata etj., që nuk janë sa duhet të aftë. Ndërhyrje të shumta ka pasur për të sjellë në Radio-Televizion Vilma Bletën, e shoqja e Maqo Bletës, e cila është laborante në Kombinatin e Autotraktorëve “Enver Hoxha” dhe ka ardhur arkiviste, këtë lëvizje disa komunistë që diskutuan nuk e quajtën të drejtë.

Ndërhyrje ka pasur edhe për Arjan Bakirin, që ka mbaruar Fizkulturë, punon sot në Programacion, i paaftë etj.

Shoku Çajup Rusmajli, në diskutimin e tij tha se ka pasur shumë ndërhyrje, këto kanë ndikuar që të marrim njerëz të paaftë. Shoku Çajup dhe shoku Marash Hajati, nuk thanë se kush ka ndërhyrë.

Këta shokë ato ndërhyrje që i quajnë të padrejta të mos i pranonin, kjo thyrje e panevojëshme e tyre dëmton punën e Partisë në këtë institucion. Njëkohësisht mendoj që këtë të thirren e të thonë shokët që kush ka ndërhyrë padrejtësisht.

Duke lejuar shfaqjet e liberalizmit në punën me kuadrin ka hyrë në Radio-Televizion, Agim …., ardhur nga fshatrat e Tiranës, i cili ka vjedhur dhe maifestuar disa shfaqje të huaja. Komunistë kritikuan rendë mbajtjen e këtij personi në këtë institucion dhe për ardhje e tij në fillim thanë se është bërë me hatër!

Nga shumë duhe të ishte punuar për të përmirësuar përbërjen e kuadrit nga klasa punëtore, ndonëse në rradhët e punëtorëve në qëndra të ndryshme punë në rrethin e Tiranës, ka punëtorë me arsim të mesëm dhe të lartë, është punuar pak për t’i kërkuar këta, për t’i marrë në provë dhe më të përgatiturit, të tërhiqeshin në punë në këtë institucion.

Njëkohësisht duhet të bashkërendohet më mirë puna midis Radio-Televizionit e institucioneve të tjera për qarkullimin e mjaft kuadrove që punojnë për një kohë të gjatë në Radio-Televizion, pasi ka lindur nevoja e qarkullimit.

Përfundimisht mund të themi se është punuar keq si për qarkullimin e kuadrit dhe për zëvëndësimin gradual të kuadrove të paaftë me të aftë. Që nga Pleniumi i 8-të i Komitetit Qëndror, nuk ka lëvizur asnjë kuadër i paaftë.

Vërejtje u bë edhe për njerzit që ngarkohe me detyra jashtë shtetit, që të jenë nga më të aftit, të justifikojnë sa dhe si duhet detyrën e ngarkuar. Ka pasur në këtë drejtim persona që nuk e kanë justifkuar si duhet detyrën e ngarkuar. U bënë vërejtje që të shfrytëzihen sa më mirë materialet që janë filmuar nga grupet tona të xhirimit, e sidomos në Kosovë, jo sa duhet janë grumbulluar dhe sistemuar materialet e filmuara, ka nga ato që i kanë akoma operatorët.

Organizmi i punës nga drejtoria e përgjithëshme, drejtoritë vartëse e sektorët duhet të përsosen sa më mirë. Në këtë drejtm bënë vërejtje e kritika. Nuk shfrytëzohet sa duhet koha e punës, ka shfaqje të thyerjes së disiplinës. Kur dilet me shërbim, ndërtohet një orar pune tjetër, ka zvarritje. Puna ndërtohet më shumë në disa rrethe, për shëmbull, në Sarandë, tha një komunist, kemi shkuar më shumë.

Ndonjëherë disa shokë qëndrojnë në rrethe me dietë pa punë. Vërejtje u bënë edhe për shfrytëzimin më të drejtë të automjetevetë institucionit. Në diskutimin e saj, Liri Çeli, tha se: Shaqir Rexhvelaj për një koncert, niset me të gjithë mjetet ku dëshiron, ky përkrahet nga drejtoria.

Ngrihet problem se ka shpërdorime të pronës së përbashkët e deri në vjedhje etj. Janë vjedhur bobina, radio, magnetofonë, thanë diskutmin e tij Peçi Fiku, ka mos-organizim, lihen çelsat, hyn kushdo në programacion. Janë kapur dhe persona duke vjedhur, por nuk është marrë asnjë masë!

Ka pasur ankesa edhe nga personat e jashtëm kur vinë në Televizion për t’u regjistruar, u kanë humbur sende të ndryshme. Nuk janë vendosur rregulla të forta në materialet muzikore që riprodhohen. Kaseta të shumta vijnë në Radio për t’u mbushur me këngë të reja. Disa herë janë riprodhuar dhe janë shpërndraë kaseta me këngë greke.

Mjaft vërejtje u bënë për ruajtjen pastër të figurës morale të punonjësve të Radio-Televizionit. Ka pasur raste që operatorë dhe redaktorë kanë marrë material në ndërrmarrjet ku kanë përgatitur kronika. Operatori Sazan M…., ka marrë në fabrikën e llampave në Vlorë, disa llampa nenon, po mbushet një vit dhe drejtoria e ka lënë në heshtje.

Fenomene negative vihe re edhe në shfaqjen e modës së huaj në disa punonjës dhe kuadro, si dhe te disa bashkëpunëtorë të jashtëm. Te këta persona ka një mani, thanë në diskutimet e tyre disa komunistë, për të veshur rroba të jashtëme. Kjo u ka bërë që t’u kërkojnë dhe të tjerëve.

Shpresa Mysliu bën miqësi me një familje që ka njerëz në Greqi për të marrë plaçka dhe i reklamon mallrat e ardhura nga Greqia. Vera Grabocka ekspozon modën e fundit. Zhaneta P…, grimiere, ka gati dhjetë vjet që tërheq materiale nga Alb-importi të padokumentura, këto materiale pjesërisht i ka pëvetësuar e shpërdoruar.

Në kontrollin e fundit, i’u gjetën kampione të painventarizuara. Reklamon modën me këto sende të rralla. Pë të rregulluar flokët e saj, njëherë në javë harxhon 200 lekë nga Televizioni. Ndonëse kontrollet e bërë ndaj Zhaneta P…, e kanë konsiderur fajtore, nuk po merret asnjë masë!

Problemet e mësipërme tregojnë se organizata bazë e Patisë në Radio-Televizion, organizatat e masave, si dhe drejtoria duhet të zhvillojnë një luftë më konsekuente ndaj shfaqjeve të huaja të indiferentizmit e të liberalizmit. Atje u tha se ka heshtje, nuk luftohe sa duhet!

Në diskutime e disa komunistëve në Radion e brendëshme, u bënë disa vërejtje edhe për shokun Çajup Rusmali. Të jetë më i komunikueshëm me punonjësit, të mos bëj dallime etj., për të cilat, sekretari i organizatës bazë të Partisë, si dhe vetë shoku Çajup, tha se nuk qëndrojnë. Megjithatë, ne mendojmë nga që vërejtjet u bënë nga disa shokë, ka vënd edhe për autokritikë, për të krijuar një ambient afrimi e kërkesë llogarie më të mirë me vartësit.

Problemet që u ngritën, i biseduam me sekretarët e organizatave-bazë, t’i reflektojnë e t’i analizojnë thellë, duke nxjerrë detyra në mbledhjet për dhënie llogarie e zgjedhje që po i zhvillojnë gjatë kësaj jave.

12 korrik 1982                            

Leko Mako     

9 komente në “Letra për Ramiz Alinë: Vera Grabocka përhap modën e huaj, Agron Çobani mori në punë të bijën e …”

  1. Shkodrani says:

    Marash Hajati zotëri burrë! Edhe në foto dallon nga liliputi spiun e Alija skuth. Njerëzit me karakter e rrezatojnë vetveten…me çiftin Flloko & Grabocka respekt reciprok në profesion e në jetë.

  2. asd says:

    Asnje nga emrat e permendur nuk ka qene objekt i ndonje raprezalje komuniste. Thjeshte kane krijuar “ca presion” qe punonjesit e perkedhelur te RTSH te ktheheshin ne binare. Sa per Grabocken, ajo binte ne sy per ekspozimin ne maksimum te nje “mireqenie falso” ne kontrast me nivelin e pergjithshem te jeteses. Nuk ka qene vetem ajo. I gjithe sektori i perkthimit te filmave, ndjeshin me te privilegjuar edhe per arsye sepse udhetonin jashte vendit per zgjedhjen e filmave ne “festivalet nderkombetare”, kryesisht ne Canes. Te gjithe imitues dhe oportuniste te vegjel, qe kishin filluar ti “binin ne sy” sistemit per ekstravagancen qe shprehnin (cizme, ora dore, xhupa lekure), por …duke qene kryekeput “vegla pune” te tij, madje me “biografi te shkelqyer” e “partishmeri te larte”, nuk denoheshin (as qe behej fjale) por thjeshte u kerkohej te “kishin kujdes” mos binin keq ne syte e “klases punetore”. Pra lexuesit te mos mendojne qe kane te bejne me Vera Grabocken apo keta te tjeret si grup disident i sistemit, perkundrazi keta ishin “maja e hekurit” te propagandes, bashkepuntore te vyer te komunisteve.

  3. a says:

    …shume i sakte e i vlefshem momenti i “asd”!

  4. Dorian says:

    Ky raport i brendshem konfidencial i organizates se Partise ne Televizion
    (sic ishte edhe raporti per biografite e artistve te teatrit) nuk duhej te publikohej nga gazeta TemA,
    qe ka nje profil te qarte si organi me profesionist i shtypit te shkruar qe ka sot Shqiperia.
    Pse e bej kete verejtje? Per te mos hyre ne hollesira, po permend vetem shembullin
    e punonjeses se talentuar te grimit Zhaneta Petushin, e cila vazhdoi punen e nderuar ne televizion
    deri sa doli ne pension, duke iu besuar edhe grimi i kufomes se Enver Hoxhes.
    Edhe redaktoret e regjisoret e tjere te permendur si te “paafte”,
    u aftesuan dhe me kontributet e tyre u bene figura te respektuara nga teleshikuesit.

  5. Andi says:

    Bravo asd! Komenti juaj është një analize shumë e logjikshme. “maja e hekurit” të propagandës…shprehje brilante.

  6. Illo says:

    Leko Mako, nga Lunxheria , njeri korrekt , modest dhe i ditur . Ka ushtruar rolin e nje specialisti te thjeshte , ne K.Q . Nuk mbahej rende , per vendin e punes , qe kishte . E kam pasur bashgjimnazist , por deri kohet e fundit , nuk e dija , qe punonte ne K.Q. Baeazohej me njerzit e zakonshem publike . Si profesionalist ka qene i shkelqyer . Ka shkruar nje liber shume te argumentuar, per Koto Hoxhin . Raporti , qe na ka paraqitur z. Kaloci , tregon se sa thelle e ka analizuar gjendjen ne K. Q. Mos harrojme , qe ishte koha , kur KQ bente gjemen , por Leko eshte treguar shume radikal .Raporti i Lekos eshte nje liber i shkruar me trimeri , per kohen , kur eshte shkruar . Nuk besoj se dikush tjeter e ka analizuar ne kete menyre KQ. jane kritikuar me emra Funksionare te larte , dhe jeta fallco , qe zhvillohej pas kuintave te Radio-televizionit . Jane permendur hateret vjedhjet e metarjeleve te importit . Nuk kam pare ndonje raport te ngjashem , per ish administraten moniste . Leko i ben nder emrit te tij te pa kompromentuar , familes dhe Krahines , nga ku ka origjinen . Qofte i pa harruar ! Illo Foto

  7. Bekim Bregu says:

    Sa për saktesi, Agron Çobani, ishte kunati (vellai i gruas) i Kadri Hazbiut dhe jo i Feçor Shehut.

    1. Shqiptari says:

      Bekim Bregu, kur nuk di, ben mire te mos flasesh dhe te mos besh « saktesime » idiote.

  8. lato says:

    ASD,pershendetje per komentin.
    Vera Grabocka ashtu si ka qene nje fallco e llastuar ne kohen e diktatures,ashtu pa ndryshuar karakterin vazhdoi te ndertonte Fallsitete gjithe shkelqim,shale,breke dhe prostitucion te veshur me mode perendimore,ne Shqiperine e mjeruar postkomuniste.
    Kjo pjelle e krimineleve vandale te komunizmit,prezanton Kulturen Perendimore,ASHTU SI E KUPTON AJO.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje