“Lexova Xhevahir Spahiun, nuk më pëlqeu se është fantazist dhe ka kopjuar Sartrin, por të kemi kujdes për këngën e Çelo Picarit…”/ Fjala e Enverit më 9 janar ‘73

28 Shkurt 2021, 11:11Dossier TEMA

Memorie.al publikon një document arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), që i përket datës 9 janar të vitit 1973, ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, me temë: “Zhvillimi i letërsisë dhe arteve të bëhet në luftë kundër çdo ndikimi të huaj ideologjik”, ku udhëheqësi kryesor u ndal gjatë tek problemet e artit, kulturës dhe letërsisë, duke përmëndur me emra edhe disa shkrimtarë e poetë, siç ishte Xhevahir Spahiu, për të cilin ai u shpreh se: kishte lexuar poezinë e tij dhe nuk i pëlqente, pasi i dukej si fantazist që kishte kopjuar Sartrin. I gjithë diskutimi i Enver Hoxhës që mbajt në atë mbledhje të Presidiumit të Kuvendit Popullor vetëm pak ditë pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio – Televizionin Shqiptar, i cili i parapriu Plenumit të III-të Komitetit Qëndror të PPSH-së, që do të shënonte dhe zanafillën e ‘furtunës’ së madhe ndaj njerëzve të artit e kulturës, ku një pjesë e madhe e tyre me në krye Todi Lubonjën e Fadil Paçramin që u etiketuan nga Enveri si “Koka e grupit antiparti në art e kulturë”, do të përfundonin burgjeve internimeve, apo kantiereve të prodhimeve e fshatrave më të largët të vendit.

Nga Dashnor Kaloçi

“Ndikime të huaja vërehen edhe në letërsi, në gjinitë e ndryshme të saj. Në revistën “Nëntori”, në numrin e fundit të vitit, lexova një vjershë të Xhevahir Spahiut. Unë nuk e njoh atë, po i kam lexuar disa shkrime të tij. Përshtypja ime është se ky letrar është… disi fantazist. Unë i lexoj krijimet e të rinjve, sepse dua të shikoj zhvillimin e tyre politik, mendor, ndjenjat dhe frymëzimet e tyre. Nga këto krijime të të rinjve ka pjesë që më pëlqejnë, ka nga ato që nuk më pëlqejnë, ka edhe shkrime të errëta ose tepër ekstreme, ka dhe nga ato që nuk vlejnë fare. Mirëpo të gjitha këto botohen. Kjo nuk është politike, nuk është një kriter i drejtë. Revista “Nëntori” dhe gazeta “Drita”, si organe të shtypit letrar, janë të interesuara jo për të botuar lakra që nuk vlejnë, por për të botuar pjesë të bukura, që të frymëzojnë masat për qëllime të larta, për ndërtimin e socializmit. Po pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse ka redaktorë që nuk udhëhiqen në mënyrë konsekuente nga idetë e mëdha të socializmit, që nuk zbatojnë me konsekuencë vijën e drejtë e porositë e vazhdueshme të Partisë! Në redaksitë e këtyre organeve ka subjektivizëm, ka hatëre, ka prirje të njëanshme, pa përjashtuar prirjet për të botuar shkrimet e disave dhe për të kritikuar të disa të tjerëve, bile, në mënyrë denigruese, edhe për t’i fyer”. Kështu është shprehur mes të tjerash Enver Hoxha në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor të datës 9 janar të vitit 1973, e cila mbahej vetëm pak ditë pasi kishte mbaruar Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizion, i cili siç dihet do të bëhej më pas objekt goditje fillimisht në mbledhjen e Plenumit të III-të të Komitetit Qendror të PPSH-së, që u mbajt në datat 15 dhe 16 mars të atij viti. Plenum i cili ishte dhe zanafilla e goditjes nga Enver Hoxha ndaj organizatorëve kryesor të atij festivali, siç ishin Todi Lubonja, Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit, Fadil Paçrami, sekretar i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën, të cilët u etiketuan edhe si “Grupi antiparti në art, letërsi e kulturë” dhe do të përfundonin burgjeve e internimeve së bashku edhe me disa shkrimtarë dhe artistë e personazhe të njohur të artit e kulturës, siç ishin Mihal Luarasi, regjisori i Festivalit të 11-të, dramaturgu Minush Jero, shkrimtari e gazetari Ibrahim Uruçi, etj., etj. Për më shumë se si çfarë problemesh diskutoi Enver Hoxha në atë mbledhje që ishte dhe prologu i një ‘furtune’ të madhe që do të shpërthente më pas ndaj njerëzve të artit e kulturës, na njeh dokumenti në fjalë, që Memorie.al e publikon të plotë në këtë shkrim.

Fjala e Enver Hoxhës në mbajtur më 9 janar 1973 në mbledhjen e Presidiumin e Kuvendit Popullor

ZHVILLIMI I LETERSISE DHE I ARTEVE TE BEHET NE LUFTE KUNDËR ÇDO NDIKIMI TE HUAJ IDEOLOGJIK

Diskutim në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH

 9 janar 1973

Meqenëse u bë një pyetje këtu nga shoku Kahreman Ylli për çështjet e Arsimit dhe të Kulturës, dua të flas pikërisht për këto dy probleme, sido që duket sikur ato janë jashtë temës që po diskutojmë sot në këtë mbledhje. Megjithatë mendoj se jam brenda temës, sepse organet e pushtetit, duhet të merren me të gjitha çështjet e zhvillimit të vendit tonë, aq më tepër për kulturën e artin që janë probleme shumë të rëndësishme e të ndërlikuara. Unë desha të flas për kujdesin dhe ndihmën që duhet të japin komitetet ekzekutive të këshillave popullorë të rretheve dhe Partia atje për këto probleme, për ndihmën që këto organe duhet të japin për kulturën dhe artin. Kultura dhe arti, si dy fusha shumë të rëndësishme të jetës së vendit tonë, janë mjete të fuqishme për realizimin e një edukate të domosdoshme politike dhe ideologjike. Ata shërbejnë për zgjerimin e horizontit të masave punonjëse, për zbukurimin e ndjenjave dhe të jetës së popullit tonë. Prandaj këto probleme kaq të rëndësishme, në asnjë mënyrë nuk duhet të nënvleftësohen përballë problemeve shumë të mëdha ekonomike që kemi përpara.

Nuk duhet të thjeshtësojmë rolin edhe kuptimin e tyre, domethënë nuk duhet t’i kuptojmë ata. vetëm si mjete dëfrimi. Sigurisht, ata e kanë edhe këtë qëllim, por në asnjë mënyrë nuk kufizohen vetëm në të, bile ai nuk është kryesori. Kultura dhe arti luajnë një rol të madh shoqëror edukativ. Zhvillimin e kulturës dhe të artit ne duhet ta bëjmë në bazë të principeve të vijës së Partisë sonë, në bazë të ideologjisë sonë marksiste-leniniste, në luftë kundër çdo ndikimi të huaj ideologjik, të vjetër ose të ri. Dhe duhet ta themi e ta theksojmë me forcë këtë, sepse ekzistojnë ndikime të huaja ideologjike, sepse duhet të ruhemi nga depërtimi i ideologjisë së huaj në jetën shpirtërore të shoqërisë sonë në ndërgjegjen e njerëzve tanë.

Ideologjia borgjeze, e krahas saj edhe ndikime të ndryshme revizioniste, hyjnë te ne nëpërmjet kanaleve të shumta të komunikimit e të informacionit social, nëpërmjet artit e kulturës borgjeze e revizioniste. Ky nuk është vetëm një rrezik potencial, që nuk ka shfaqje konkrete, siç minimizohet gabimisht ndonjëherë. Ai shfaqet në jetën shpirtërore të shoqërisë sonë,. në kulturën tonë, në letërsi e në arte, sidomos në disa fusha ku ne kemi më pak traditë, siç janë muzika e kultivuar, artet figurative etj. Edhe ju në rrethe duhet të ruheni nga këto ndikime, në çfarëdo formash të maskuara e të sheqerosura që ato të paraqiten, nëpërmjet çfarëdo teorizimesh «estetike» që mund të mbrohen. Përndryshe, në qoftë se këto ndikime nuk luftohen me forcë e nuk bëhen në kohë korrigjimet e pastrimet e nevojshme, atëherë ato mund të na çojnë në rrugë jo të drejtë, mund të dëmtojnë interesat e ndërtimit të socializmit në vendin tonë, mund të pengojnë zhvillimin e socializmit, të pengojnë sidomos zhvillimin e artit dhe të kulturës në rrugën revolucionare socialiste, sepse krijojnë konfuzione, çojnë në çoroditjen e shijeve, të mendimeve dhe të ndjenjave të masave të popullit, sidomos të rinisë.

Masat e popullit, që të edukohen, kërkojnë nga njerëzit e artit dhe të kulturës vepra e krijime të bukura jo vetëm nga forma, por edhe nga përmbajtja. Por, qoftë forma, qoftë përmbajtja duhet të jenë të harmonizuara me vijën e Partisë, me interesat e popullit, si dhe duhet të frymëzohen nga idetë e Partisë sonë në bazë të mësimeve të marksizëm-leninizmit. Çdo shkëputje nga ky parim, qoftë në formë, qoftë në përmbajtje, shkakton turbullira dhe këto turbullira kanë konsekuenca jo të mira. Socializmi kërkon zhvillimin me ritme të shpejta, kërkon që ai të jetë një zhvillim i gjithanshëm i masave punonjëse — politik, ekonomik, shoqëror, kulturor artistik. Por, për t’ia arritur këtij qëllimi, kultura jonë socialiste nuk duhet të shartohet me ato forma dhe aq më tepër me atë brendi që janë karakteristike për kulturën, artin, muzikën, teatrin etj., të vendeve kapitaliste e revizioniste.

Ne nuk duhet të lejojmë që ideve dhe ndjenjave tona socialiste, që shprehen nga njerëzit e artit dhe të kulturës sonë, t’u veshim rrobën e huaj të një shoqërie dekadente, kapitaliste ose revizioniste qoftë. Ne duhet të mos kopjojmë zhvillimin e kulturës e të artit të këtyre vendeve dhe të mos imitojmë format e paraqitjes së tyre. Arti dhe kultura jonë duhet të ruhen nga pamja e gënjeshtërt, nga efektet formaliste dhe plot nuanca të të tilla formave të kulturës borgjeze, për të mos folur për brendinë e tyre, e cila është në çdo pikëpamje e dëmshme dhe e dënueshme. Pra, të mos tërhiqemi nga pamja e gënjeshtërt, të mos lejojmë që ajo të ndikojë në jetën e shëndoshë të shoqërisë sonë, në ndërgjegjen e masave tona punonjëse, që janë bartëset e zhvillimit të kulturës, të artit dhe të muzikës sonë socialiste.

Ne jemi vendosmërisht kundër këtyre ndikimeve. Ne duam një kulturë dhe art që të zhvillojnë botën shpirtërore të popullit tonë në formë dhe përmbajtje të lartë marksiste-leniniste. Të marrim rrethin e Tepelenës ose ndonjë rreth tjetër si ky. Mund të ketë mendime se Tepelena është një nga rrethet më të humbura në zhvillimin e kulturës dhe të artit, por këto mendime nuk janë të drejta, nuk janë reale, sepse populli i Tepelenës tërë jetën e tij ka kënduar e ka vallëzuar në mënyra të ndryshme; në mënyra të ndryshme këngët e vallet e tij kanë shprehur ndjenjat e popullit. Nëpërmjet këtyre valleve e këngëve u këndohej njerëzve, virtyteve të tyre të larta, trimërisë, dashurisë për atdheun e për popullin; këndohej nëpër dasma e në ngjarje të tjera të jetës ku pasqyrohej edhe humori i hollë i popullit. Pra, në të gjitha këto këngë e valle të popullit, ka një pasuri të madhe kulture e arti, që kanë mbajtur gjallë, gjatë shekujve, traditat luftarake e kulturore të masave popullore.

Ka nga ata njerëz, të cilët nxjerrin teori dhe thonë se kjo muzikë vlen vetëm si folklor që pasqyron jetën e kaluar, po nuk vlen më për të përmbushur nevojat e sotme shpirtërore të popullit. Për këta njerëz muzika labe, muzika popullore nuk ka më sot ndonjë vlerë të veçantë dhe shpesh janë po këta njerëz që përkrahin ato krijime dhe ato shfaqje artistike, që nuk kanë ndonjë brendi apo karakteristikë të muzikës sonë shqiptare. Sigurisht, ne nuk mbetemi e nuk kemi mbetur vetëm te folklori. Edhe këtë ne e shohim në zhvillim. Mbi bazën e folklorit lindin edhe drejtimet e reja të zhviIlimit muzikor e artistik, për më tepër, muzika e arti i kultivuar zhvillohen në rrugë të reja më të ndërlikuara e më të përsosura. Ata duhet të mbështeten gjithmonë në shpirtin e popullit, në jetën e veprën e tij, ata duhet të kenë gjithmonë një formë të qartë kombëtare të bazuar fort në artin dhe në muzikën e popullit tonë dhe të përshkohen tejembanë nga ideologjia marksiste-leniniste.

Ne duhet t’u japim kulturës, artit, muzikës sonë fizionominë dhe karakterin shqiptar. Kjo që them nuk është nacionalizëm. Çdo vend i botës ka dashur t’i japë gjithmonë muzikës së tij karakterin dhe fizionominë kombëtare. Le të marrim Italinë, në emisionet televizive të së cilës dalin disa artistë, me paraqitje të shëmtuar, të këtij vendi, megjithatë, edhe në Itali, ka pasur e ka njerëz që luftojnë për t’i dhënë muzikës së vendit intonacionin dhe ngjyrën e muzikës italiane. Kjo luftë në shkallë të ndryshme e me intensitet të ndryshëm bëhet jo vetëm në Itali, por edhe në vende të tjera. Kurse këtu te ne ka muzikantë shumë të mirë, të cilët kanë bërë kompozime të bukura e origjinale, me frymë me të vërtetë revolucionare e kombëtare, krijime këto që mund të krahasohen me shumë krijime muzikore nga më të mirat që kanë bërë të huajt, në vendet e tyre. Këto krijime muzikore të kompozitorëve tanë janë aq të mira e të bukura sa, kur i dëgjon, të – entuziazmojnë. Dhe këto krijime muzikore, që janë shumë të mira, nuk janë pak. Në to u këndohet shumë bukur atdheut, popullit, Partisë, fushës, detit, punës, jetës e ndjenjave të njerëzve, pra një larmi e tërë krijimesh në të cilat i këndohet jetës sonë socialiste.

Duke folur për boshllëqet e të metat e krijimtarisë muzikore artistike, është e domosdoshme t’i njohim e t’i theksojnë këto suksese të muzikës sonë (për të cilat këtu nuk është rasti të zgjerohemi), ashtu si dhe të gjithë letërsisë e artit, pasi ato janë edhe një mbështetje e domosdoshme për të ecur përpara, për të krijuar vepra akoma më të shëndosha e të bukura. Por disa nga këta artistë e shkrimtarë, të cilët kanë krijuar të tilla vepra të bukura, kanë nxjerrë edhe disa gjëra pa vlerë, si nga përmbajtja, ashtu dhe nga forma. Dhe më e keqe është se me këto krijime pa vlerë, siç e shikojmë, këta gjejnë mbështetje nga disa drejtues të fushës së kulturës, duke dhënë mendimin se këto i pëlqen rinia, se këto janë krijime “novatore”, që u përshtaten kohës sonë, ritmeve tona të zhvillimit, dinamizmit të jetës etj., etj.

Jo vetëm kaq, por, për t’u mbyllur shtegun vërejtjeve, këta sulen me egërsi kundër kritikuesve të kësaj muzike dhe u vënë gjithfarë epitetesh si “konservatorë”, “njerëz që kanë mbetur prapa, se nuk i kuptojnë kërkesat e kohës e të rinisë”, se “kanë shije të vjetruara”. Dhe këto krijime jepen në televizor e në radio, të shoqëruara me reklamën që u bëjnë disa tifozë të tyre. Sot që po zgjerohet televizioni, këto probleme marrin një mprehtësi të veçantë, sidomos në fazën e parë të përhapjes së tij. Televizioni ndikon fuqishëm në formimin e shijeve të njerëzve, veçanërisht të rinisë. Në këtë vështrim televizioni ynë duhet të bëjë një punë shumë të kualifikuar, me frymë të shëndoshë kombëtare e revolucionare, në luftë me ndikimet e këqija të programeve të huaja televizive. Sigurisht, televizioni te ne është i ri. Ai është në hapat e parë. Duhet akoma kohë që ai të rregullohet edhe nga ana teknike. Megjithëkëtë tani për tani nuk duhet të pretendojmë shumë në këtë drejtim, por Partia të ketë kujdes më shumë që ai të ruhet nga ideologjia e huaj, nga kultura dhe arti dekadent.

Ndaj shfaqjeve të huaja Partia duhet të marrë masa dhe për to të jetë e vendosur e konsekuente, sepse nga kjo nuk humbet, por vetëm fiton. Kultura, arti dhe muzika jonë duhet të përfitojnë edhe nga përvoja e kulturës, e muzikës dhe e artit të huaj. Unë e kam theksuar edhe herë të tjera, se ne nuk jemi ksenofobë. Por ne mbajmë qëndrim kritik revolucionar ndaj kulturës së huaj, përpiqemi të përfitojmë vetëm nga ajo kulturë që përmban vlera për kohën tonë, që u përgjigjet kërkesave kulturore të masave punonjëse. Prandaj luftojmë me vendosmëri kundër çdo ndikimi çoroditës, sidomos kundër atij arti që në televizionet e vendeve kapitaliste, propagandohet për qëllime tregtare dhe vihet në shërbim të një shijeje e mode kalimtare, si mjet zbavitjeje boshe e trullosjeje të masave. Atë muzikë që vuan nga ndikime të tilla ka raste që disa nga organizatorët e programeve muzikore dhe spikerët e paraqesin si një muzikë që e pëlqen rinia. Bile ata s’mungojnë të thonë se këto këngë i kërkojnë të rinjtë, punëtorët, studentët etj., se nga ana e këtyre kanë marrë shumë letra, nga të cilat rezulton se këto këngë rinia i pëlqen shumë.

8 komente në ““Lexova Xhevahir Spahiun, nuk më pëlqeu se është fantazist dhe ka kopjuar Sartrin, por të kemi kujdes për këngën e Çelo Picarit…”/ Fjala e Enverit më 9 janar ‘73”

  1. veronika says:

    Dashnor Kaqoli na shkruaj ndonje histori per Enverin e pas demografis shokun Sali Berisha se eshte me interesant se shkrimet e Enverit te para demografise qe ju Kaloshet e quajtet “demokra-cia”!Na i pershkruaj ndopak herolin lexhendar T’uajin o Kalosh e na trego pak per bemat e tij se Enveri i pare nuk la gje pas vehtes por ky i dyti do lere prona,pasuri te paimagjinueshme,2 Prill 92,97 ,98 ,11Janare 2011 vrasjet e vjedhje!Ndaj me interesante eshte te na lexosh ditarin e “prijsit Tuej” se sa Enverin qe rreth 70 % e rinise nuk e njohin fare !
    Shpresoj o Kalosh qe mund te fitosh edhe ndonje desertacion me figuren e “kaçakut te maleve” e material mund te gjeshe pertej Atlantikut si i deklasifikuar qe eshte!

    1. Lala i Lushnjes says:

      Me shumë respekt ” veronika,, një korigjim të vogël, Enveri nuk ju la gjë femijëve, por i la popullit Shqipërinë.

  2. Sokrat says:

    Sapo humba 5 minuta te jetes time duke lexuar kete lajm ku vec Celo Picari nuk permendet ne asnje vend

  3. Davidi says:

    Ju sikur ka filluar Mero tju paguaje me kile.

  4. Tironci says:

    Xhevahir Spahiu poet i shkelqyer dhe njeri i mrekullushem , por Enveri ka dhen nje mendim te tijin per nje botim te Xhevos , ktu nuk ka asgje te keqe , Xhevo vazhdoi botimet e tija dhe poezit per kenget e festivalit pa kurr far problemi .

  5. Pokeristi says:

    Po te kemi parasysh sloganin:
    “Kur themi Enveri nenkuptojme partija,kur themi partija nenkuptojme Enveri,te gjitha fjalimet,diskutimet,analizat,sygjerimet e enver hoxhes,jane :
    “A doni me per Belulin”.Kjo e thene popullorçe sipas monologut te Belulit,te z.Kulla.
    Te zbertyera objektivisht,realisht te gjitha ato fjalime……..
    s’jane asgje tjeter,veçse paranoja ekstreme te nje diktatori te pashembullt,qe gjithçka ne kete bote duhet te ish ashtu siç e perceptonte dhe e shprehte ai dhe vetem ai.
    Ndryshe çmimi paguhesh me koken,burgosjen,internimin,poshterimin dhe çvleresimin human.
    Kjo them duhet te jete vlera e te gjitha fakteve,qe boton z.Kaloçi,ne lidhje me ate vagabondin e “Sokakut të të marrëve
    të Gjirokastres”.

  6. Pokeristi, komenti yt eshte briliant . A e shikon se si revoltohen tru shperlaret nga çdo botim qe ben i nderuari Kaloçi te Tema ,arsyeja eshte ma se e thjashte , ata tru bunkeret nuk deshirojne qe brezi i lindur mas 90 es te mesojne per krimet e kjofte largut, sigurisht te zbatuara prej ketyre dhoj njerezish qe permenda ma siper … te cilet edhe pse ai sistem deshtoi pothuajse krejtesisht , akoma kane nostalgji , duke harruar me dashje se damet e shkaktuara prej tij jane shume ma te medha se po themi te mirat . Po kujtoj vetem dy shembuj njeriun e ri , si damin e pa riparuar me pronat qe ja pati marre te pasurve kjofte largu…etj etj etj etj…………………………………….

  7. Sala. says:

    Spiunet e UDB., ne sherbim te vuçiçit i zgjuan….. Tunxh o loku.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje