Diaspora duhet të votojë, por edhe të dëgjohet

Nga Mimoza Kelmendi

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pendeli Majko u shpreh ditë më parë se, nëse KQZ-ja nuk do bëjë realitet votën e Diasporës, kjo çështje do të nxisë reagime dhe pakënaqësi në radhët e tyre. “Mendoj se KQZ nuk duhet ta konsiderojë veten si forum partiak, KQZ e ka punën e vet, partitë kanë punën e tyre“, theksoi ministri per Diasporën.

Ka disa shkaqe themelore që e bëjnë të domosdoshme realizimin e votës së shqiptarëve kudo që jetojnë.

Së pari, ata i takojnë vendit të tyre dhe janë të interesuar drejtë për së drejti në zhvillimet politike, financiare, shoqërore dhe ekonomike të atdheut, nga i cili janë larguar, në shumicën dërmuese, gjeografikisht, por jo shpirtërisht. Lidhjet me Shqipërinë vazhdojnë të jenë të fuqishme, dhe, në të njëjtën kohë, të rëndësishme. Askush, për arsye burokratike apo çështje teknike , nuk ka të drejtë të ndërperesë këto lidhje.

Së dyti, jashtë Shqipërisë jetojnë sot rreth një e treta e popullsisë, e cila nuk ka shumë kohë larguar dhe nuk i ka humbur lidhjet me njerëzit, krahinën nga vijnë, përfaqësuesit dhe, mbi të gjitha me familjet e tyre. Këto lidhje njerëzore, përmes votimit, pasurohen dhe nuk duhet të ndërpriten.

Së treti, megjithëse, si shumica e shqiptarëve, edhe te migrantët ndjehet një dozë politizimi, ndoshta nga që nuk kanë shumë kohë të larguar, përsëri, mendimi i tyre politik dhe qëndrimi ndaj ngjarjeve, forcave politike, përsonaliteteve, lëvizjeve të reja apo tradicionale, janë më të larguara nga përplasjet, mllefi dhe skajimi në çështje që mund të shtrohen. Duke qenë disi të larguar nga mjedisi ku votohet dhe ku përplasjet janë gjithnjë në rritje dhe, nga ana tjetër më të qetë në gjykimin e tyre, vlera e votës së shqiptarëve në emigrim është edhe masive, edhe cilësore.

Ky nuk është një fenomen thjeshtë i yni. Vende të tjera e kanë kaluar, disa janë në rrugën e zgjedhjes, si në Kosovë, të tjerë po bëjnë përpjekje për të qenë sa më fleksibël.

Roli i migrantëve është i ndjeshëm në botë, njëjtë si në Shqipëri.

81 Milionë migrantë  jëtojnë tashmë në Europë, ndërsa në Gjermani jetojnë rreth 13 milionë, ndër ta edhe 700 mijë shqiptarë, të cilët kanë ardhur nga të gjitha viset. Ata janë larguar nga shtëpitë e tyre si pasojë e konflikteve, pasigurisë apo varfërisë me shpresë për një jetë më të sigurtë dhe më të  mirë në një atdhe të ri. Shuma e përgjithshme, që dërgohet çdo vit nga migrantët në familjet e tyre në atdhe, është kthyer në një faktor ekonomik. Ajo është gati tri herë sa ndihma për zhvillim që japin vendet e pasura. Banka Botërore (sipas të dhënave të vitit 2018) e vlerëson shumën e transfertave të migrantëve në të gjithë botën në 470 miliardë dollarë në vit. Remitancat kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të origjinës së migrantëve, por paratë shpenzohen kryesisht për konsum dhe jo për investime produktive.

Prandaj sot është fakt që Diaspora duhet trajtuar si partner për zhvillimin e Shqipërisë dhe jo vetëm si burim financash sa për të mbijetuar. Ajo që bie në sy kohët e fundit është përpjekja e qeverisë shqiptare për të ngritur një sistem për lehtësimin e votës së emigrantëve, një sistem të besueshëm që vota e shqiptarëve jashtë atdheut të garantohet e të lexohet me drejtësi dhe ndershmëri. Por vetëm Ministri i Diasporës është i prerë në kërkimin e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, pasi sipas tij, ka ardhur koha që  edhe ata të marrin fatin e tyre në dorë.  Publiku i gjerë, brenda dhe jashtë vendit ka kohë që diskuton domosdoshmërinë apo jo të votës së Diasporës shqiptare. Kërkesa e shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë vendit për të votuar në atdhe ka qenë gjithmonë një dëshirë e shumëshprehur dhe e kërkuar vazhdimisht.

Luan Lapi, që jeton prej 30 vjetësh në Gjermani, e argumenton të drejtën e votimit të shqiptarëve jashtë vendit duke cituar së pari një thënie të Kadaresë: “Diaspora ka qenë dhe vazhdon të jetë një Shqipëri rezervë, një Shqipëri tjetër, një Shqipëri e vertetë“. Lapi mendon se „ Diaspora shqiptare, ashtu si gjithë diasporat e popujve të tjerë kanë një rëndësi imediate në zhvillimin e vëndit nga i cili ata vijnë. Si asnjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë, diaspora mund të lozë një rol të madh për afrimin e Shqipërisë me botën e qytetëruar perëndimore, në afrimin politik, kulturor, ekonomik. Përgjegjësia  më e madhe e Diasporës shqiptare është demokratizimi i Shqipërisë sipas kritereve të Bashkimit Europian, një proces që për fat të keq nuk ka përfunduar ende. Ky është edhe argumenti kryesor që lidhet edhe me votën e domosdoshme politike të shqiptarëve të Diasporës për atdheun e tyre“, mendon Luan Lapi.

Por a mjafton thjesht vetëm një votim? A nuk ka ardhur koha që Diaspora të dëgjohet dhe të përfaqësohet deri në Parlament? Mosrealizmi i premtimit të votës për emigrantët në vendet ku banojnë nga të gjitha krahët e politikës, mosreagimi i KQZ në afatin e duhur megjithë thirrjet e qeverisë për tja mundësuar  shqiptarëve jashtë dhënien e votës është thjesht një tjetër zhgënjim ndaj Diasporës. Ne shqiptarët jashtë nuk jemi vetëm numra dhe nuk duam që këto numra të shfrytëzohen edhe për votim thjesht si numra. Ne jemi një Shqipëri e vërtetë, ashtu siç thotë edhe Kadare. Ndaj kemi të drejtë të votojmë, të dëgjojmë, diskutojmë dhe të kritikojmë. Madje kemi të drejtë të jemi edhe në Parlament. Sepse siç ka dekalruar vetë ministri Majko: “Kur flasim për Diasporën, flasim për një cilësi kombëtare”.

Adrian Zagori, i cili jeton po ashtu në Gjermani mendon se janë disa aspekte që nuk duhen neglizhuar, keqpërdorur apo anashkaluar me qëllim apo penguar në mënyre arbitrare që Diaspora të ketë të drejtën dhe shtysën për të votuar në zgjedhjet që realizohen në vendin e origjinës. Sipas tij. “Në aspektin e shtresëzimit social, kontigjenti i Diaspores është nga të gjitha pikpamjet i ngjashëm me atë të banorëve  të vendlindjes. E vetmja pikë dallimi është përvoja jetësore në shoqëritë demokratike ose konkretisht ballafaqimi me realitetin tjeter, fund e krye ndryshe nga ai i përjetuar në atdheun ku lindën e u rritën. “Ne duhet të lejohemi dhe të shtyhemi për të dhënë votën tonë sepse indirekt jemi të interesuar për familjet tona aty. Por edhe sepse kontributi yne ka po aq vlerë, në mos më shumë për përmirësimin e mirëqënies materiale, kulturore e shpirtërore në atdhe. Ne po ashtu  duhet të njihemi me programet e partive sepse na mungon „prekja“ e vërtetë me atë çka ndodh në atdhe dhe ne po ashtu duhet të dëgjohemi sepse mbase kemi diçka të re apo të vlefshme për këdo aty“, mendon Ardian Zagori.

Problemi themelor që shtrohet qëndron në aksiomën se „ nuk ka votim, pa përfaqësim“. Nëse diaspora do të trajtohet si objekt financiar dhe jo si subjekt i zhvillimit dhe i një vizioni të ri, atëherë edhe vetë votimi nuk do të ketë vlerat e pritura. Shqipëria, në traditën e herëshme parlamentare, ka pasur gjithnjë vende të rezervuara për ato që janë quajtur koloni shqiptare, megjithëse të pakta, jo kaq masive, por cilësore dhe gjithë përfaqësuese. Ka ardhur koha, sidomos me zhvillimet cilësore dhe përsonalitetet shqiptare që janë në botë, të ligjërohet saktësisht, jo vetëm votimi, por edhe përfaqësimi.

REMOTE_ADDR:[]

6 komente në “Diaspora duhet të votojë, por edhe të dëgjohet”

  1. Illyria-Shqiperia says:

    Zonja artikullshkruese, meso dhe mbaje mend per gjithe jeten, qe fjala Atdhe shkruhet me A te madhe shtypi!

  2. Aleksander says:

    30 vjet qe nuk jetoj ne Shqiperi,
    Kam te drejten e votes dhe ska hajn qe ma vjedh.
    Me 25 prill do vij ne Shqiperi e do votoj ka te dua une.
    Vota ashte e lire.
    Do votoj PARTINE SOCIALISTE.
    Ju pelqen o nuk ju pelqen nuk me intereson .

    1. Ilirjan says:

      Me 2013 na e premtuan ketu ne Asti ne Itali, qe do te realizohej me 2017… Asgje! Sidoqofte une do te shkoj te votoj… Kjo radhe eshte Historike. Do te spastrohet politika nga shume mbetje… saliu i pari,lsi e dyta.

      1. votuesi says:

        E drejte Ilirian!Me voten personale Ne te larguarit prej vendit duhet te shkojme te votojme dhe sikur te mos na jepet kjo e drejte legjitime ne vendet respektive ku jetojme!Aresyeja e thjeshte,duke mos dashur te persris motivin T’uaj dhe te gjithe neve qe ndodhemi pertej kesja lukuni!Pra te shporrim me vote njehere e mire pengmarresit e Shqiperise ne te gjitha deget e saj,duke filluar qe nga pronat,drejtesine,vjedhjet e plaçkitjet sikur te jene ne mall te paraardhesve te tyre duke e ndjere vehten legjitim si ne vrasje dhe vjedhje!
        Ndaj duhet me çdo kusht pergjegjesia per te votuar edhe pse na eshte mohuar per mese 30 vite kjo e drejte!Stop makuterise Meta;stop kanibalit Berisha;stop te gjithe atyre qe pengojne votimin tone per te vetmen aresye sepse Ne jemi me perpara çdo politikani e qevritari qe kane ozurpuar postet fale mosvotimit tone e mbajne peng integrimin e vendit ne Europe!Poshte diktatura e budallenjeve .

  3. Ppp says:

    Z.majko je ne ate post per ta bllokuar voten e emigranteve jo per ta bere ralitet
    Shko ne kosove dhe meso si voton mergata
    Sa per kqz qe kur sqenka pune e partive kqz-ja?
    Dikush tjeter do e bej ralitet voten e mergates jo ju, kur them ju e kam fjalen per te gjitha partite e vjetra
    I trembeni votes se mergates sepse bashke me ushtrimin e votes mergata do formonte dhe partite e tyre dhe nqs kjo do ndodhte politika e tiranes do dukej me e lashte se osmanllijte
    pra te kuptoj eshte nje loje per jete a vdekje por duhet ta kuptoni dhe ju ne cilen ane te historise jeni
    E pra ta gezoç min e diaspores ose me mire min per sabotimin e diaspores

  4. 777basha says:

    Kosova 13 vjet shtet votuan te gjith emigrantet ne shqipri 30 vjet demokraci kto na tregoin dokrra kto jan te paret qe nuk duan del komunisti majko e na thot kqz duhet te bej detyren sa ko ka qe te bej detyren as nje muaj do te thot kallamin atyre qe jan emigrant dhe per 4 vjet pasta kur te vin zhggjethjet tjera flasim prap ,na happen barkun PD-PS-LSI Kan 30 vjet nje muhabet ktyre partive I ben mir populli shqiptar ti hedhi ne kosh te plehrave nuk Duhen me nje muhabet vjedhje te pa para dhe po nje ginjeshter duke ja hedhur fajin njera tjetres pisa te gjith bojkot per kto zhulaq ?????????????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *