Marrëveshja PD-LSI, si parodi politike!

1 Mars 2021, 21:58Blog TEMA

Nga Alfred Peza

E firmosur në një ceremoni të organizuar me pompozitet fals, marrëveshja e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit për zgjedhjet e 25 prillit, u shndërrua pa u kuptuar prejt tyre në një parodi politike. E vetmja gjë që ta mbante lotin, ishte loja e shkëlqyer e dy aktorëve kryesorë të shfaqjes dhe e figurantëve pas tyre, që flisnin me veshjen dhe buzëqeshjet e triumfalizmit paradhënie, në sfond!

Nuk ishte thjeshtë dhe vetëm çështje e protokollit, që rrekej kinse për ta ekspozuar të gjithën atë, si një moment shumë serioz politik.

Duke dashur që ti jepnin ceremonialit trajtën e fryrë kinse me përmasat e një ngjarje “historike” për fatet e demokracisë shqiptare, e bënë atë akoma edhe më qesharake, për sytë e njerëzve që po e ndiqnin nga ekrani.

Vulën sigurisht ia vuri kolona zanore, ose himni i flamurit tonë kombëtar, kur të gjithë sa mezi mbanin frymën nga shtëpia, lokalet apo zyrat teksa ndiqnin të sikletosur se mos kandidati i opozitës sonë për Kryeministër çirrej sërisht si njëherë e një kohë, kur mbaronte protestat e “molotovëve”, në shkallët e SHQUP-it.

Teorikisht për ata që duan të dinë më shumë, parodia nuk është gjë tjetër, veçse imitimi qesharak i një vepre serioze. Kjo ju ndihmon të kuptoni më mirë sesi e imituan, një akt aq serioz sa çështë firmosja e një marrëveshje mes forcave kryesore politike në opozitë, për të qeverisur vendin pas fitores së tyre të mundshme në zgjedhjet parlamentare.

E si për ti vënë vulën të gjithë shfaqjes, edhe teksti i dokumentit të firmosur nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, ishte thjeshtë vijimi i parodisë së tyre me mjete të tjera.

E para, kur lexon të fiksuara në letër, pika të formuluara me fjali si kjo: “Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit”, kupton sesa serioz është i gjithë teksti. Janë angazhime aq të përgjithëshme e që nuk thonë asgjë specifike, sa mund të ishin formuluar nga çdo opozitë në Shqipëri e në çdo vend tjetër të botës, edhe përpara 100 vjetësh, edhe pas 100 vitesh të tjera.

E dyta, Lulzim Basha në këtë shfaqje tha se “udhëtimi ynë i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë, fillon sot”. Të gjithë e dinë tashmë, se PD dhe LSI nuk janë duke udhëtuar bashkë në këto zgjedhje por në dy “trena” të ndryshëm. Ku dy “makinistët”, drejtojnë nga një “locomotive” më vete, që tërheq “vagonë” të ndryshëm.

Se si mund të udhëtojnë bashkë dy koalicione të ndryshme, që garojnë me dy lista kandidatësh për deputetë të ndryshëm, për të mbërritur në të njëjtën kohë në të njëjtin destinacion, këtë vetëm një kandidat për Kryeministër si ky i opozitës sonë mund ta dijë. Ndaj, edhe deklarata e Bashës e bën këtë parodi opozitare, akoma edhe më qesharake.

E treta, deri dje të gjithë liderët opozitarë, politikanët, mediat dhe opinionbërësit pranë tyre kanë katër vjet që deklarojnë se e vetmja mundësi për të mundur Edi Ramën dhe PS, është që të bëben bashkë gjithë aktorët dhe faktorët opozitarë. Interesi i Shqipërisë, është mbi partitë,- kanë predikuar ata.

Parodia e sotme tregoi se interesat e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit janë mbi interesat e PD e të LSI. Interesat e dy partive më të mëdha, mbi interesat e opozitës dhe popullit të saj.

E katërta, marrëveshja u mundua që të shfaqej si një dokument që i angazhon palët, për të qeverisur nesër sëbashku. Pyetja që shtrohet është: Po nëse PS fiton mazhorancën për të krijuar qeverinë e re, a garanton kjo marrëveshje që PD dhe LSI do të vijonë sëbshku edhe për 4 vite të tjera në opozitë? “Marrëveshja nuk garanton ndërrim kahu, në varësi të rezultatit të zgjedhjeve”, tha Fatos Lubonja. Bukur. Mirëserdhët, në aktin e fundit të parodisë politike opozitare.

Këto dhe shumë elemente të tjerë më pak të rëndësishëm, dëshmojnë se ajo që u quajt me pompozitet marrëveshja PD-LSI për qeverisjen e ardhëshme, ishte thjeshtë një shfaqje e radhës. Nga ato që arkivat e mediave tona janë të mbushura plot në këto 30 vjet, ku liderët përbetohen në dashuri të përjetëshme, por që pas zgjedhjeve të gjitha i kthejnë përmbys.

Kaq mjafton për të kuptuar se ajo që patë të luhej nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, ishte thjeshtë një shfaqje humoristike, që paralajmëron humbjen e opozitës në zgjedhjet e pranverës!

2 komente në “Marrëveshja PD-LSI, si parodi politike!”

  1. U MBUSH KUPA E NUK MBAN MË....... says:

    Mareveshja e PD – LSI, është tamam si mareveshja e HAJDUTËVE, për ndarjen e zonave të vjedhjeve.
    Njesoj si mareveshjet e families se MAFIA-s, ,për ndarjen e zonave të,influences.
    A thua vallë janë njesoj ?
    Nuk është çudi.
    Simptomat janë të njejta 100 %.
    Rradhen e ka SPAK.
    FJALA PËR DREJTESINË E VËRTETË.
    BURGU REÇIT DO VËNË NË PUNË.

  2. nkoll leshi says:

    Edhe Nikoll Leshi qe thote se ky eshte koslicioni i fitores, nuk e beson se ky eshtr koalicion.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje