Skandal në spitalin e Dibrës së Madhe: Drejtori shpërblen veten dhe bashkëshorten, “harron” mjekët

1 Mars 2021, 21:05Rajoni TEMA

Fiks Fare denoncoi një skandal të ndodhur në spitalin e Dibrës së Madhe , në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në lidhje me bonuset që Ministria e Shëndetësisë ka akorduar për personelin që shërben në repartin e Covid 19.

Personat që luftojnë në vijën e parë me virusin covid 19 në Dibër në Maqedoninë e Veriut përfitojnë nga Ministria e Shëndetësisë 30.000 dinarë bonus (rreth 600 euro). Por këtë bonus nuk e kanë marrë pikërisht këta njerëz siç është stafi i urgjencës që shkon në shtëpi të njerëzve që shfaqin shenja të sëmundjes. Edhe pse rrezikojnë shëndetin e tyre dhe e meritojnë bonusin nga ministria e shëndetësisë stafi i urgjencës është përjashtuar .

Në vend të tyre bonusin 30.000 dinarë e kanë përfituar njerëz të tillë si Baki Alili me status drejtor i spitalit, Bukurije Alili me status gruaja e drejtorit dhe Sihana Koleci që mban statusin gruaja e sekretarit të spitalit.Gazetarët e Fiksit disponojnë edhe listat e personave që kanë përfituar bonusin ku përfshihen këta persona . Gazetarët gjithashtu vërtetojnë se çfarë pune bëjnë këta persona për të përfituar bonusin 30.000 dinarë dhënë nga ministria e shëndetësisë për të gjithë ata që janë në vijën e parë në luftën kundër virusit.

Bashkëshortja e drejtorit punon në recepsionin e spitalit për pranimin e pacientëve për analiza. Gruaja e sekretarit punon si vaksinatore ,ndërkohë vetë drejtori i spitalit është mjek otorinolaringolog.Por a duhet ta përfitojnë këta persona bonusin? Gazetarët e emisionit Fiks Fare shkojnë të marrin një përgjigje në spital. Në këtë institucion takojnë drejtorin Baki Alilin . Ai thotë se për këtë gjë nuk mund të flas pasi vetë ai është në konflikt interesi dhe nuk mund të dalë kundër vetes së tij. Në zyrë drejtori thërret gjithashtu edhe sekretarin, bashkëshortja e të cilit ka fituar bonusin.Drejtori shprehet se sekretari ka punuar shumë kohët e fundit dhe meritonte një bonus, por ngaqë nuk kishin si ta justifikonin bonusin për sekretarin këtë bonus ja kanë kaluar të shoqes. Gazetarët i kërkojnë një dokument drejtorit që tregon si është shpërndarë bonusi herën e parë dhe herën e dytë, por drejtori mohon të ketë një dokument të tillë. Pra bonuset janë ndarë pa pasur një listë të personave që i kanë përfituar dhe firmosur për marrjen e tij.

Gazetarët e pyesin se kush ka hartuar listën për personat që përfitojnë bonusin dhe drejtori përgjigjet se e kanë bërë bashkarisht si staf. Ndërkohë Fiksi e pyet se përse janë lënë jashtë kësaj liste persona që e meritojnë? Duke pranuar se janë përjashtuar nga kjo listë personat që janë në vijën e parë në luftën kundër virusit si stafi i emergjencës përgjigjia nga ana e drejtorit është se i kanë ‘respektuar’ njëherë këta persona. Gjithashtu i pyetur nga Fiksi drejtori pohon se nuk është e dokumentuar me shkresë, por nga ministria e kanë marrë në telefon duke i thënë atij se ka vepruar në mënyrën e duhur për shpërndarjen e bonusit.

Gazetarët e Fiksit telefonojnë zv Ministrin e Shëndetësisë z. Ilir Hasanin për të marrë një përgjigje më të detajuar për këtë problem. Zv ministri Hasani mohon kategorikisht që të jetë në dijeni të kësaj problematike, por që i duhet kohë për të marrë informacionin e duhur dhe më pas do të kthejë përgjigje për emisionin Fiks Fare!

2 komente në “Skandal në spitalin e Dibrës së Madhe: Drejtori shpërblen veten dhe bashkëshorten, “harron” mjekët”

  1. Outspoken says:

    Ahahahahaha lol
    Po le te pastrojme njehere Halene tone pastaj qortoni Halete e te tjerve!

  2. fati says:

    Sa te durueshem jane keto shqiptaret e maqedonise, gje qe e ben filipin te abuzoje me to. Por keto gazetaret tane a e kane rregulluar shqiperine, qe kane kaluar kufijte. Cdo gje do kohen dhe vendin e vet. Here tjeter gazetaret e fix mendoj se me intervista, por rrezik as kufirin nuk mund ta kalojne me. Secili shtet ka problemet e veta dhe i zgjidh po vete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje