Prokurori Arens Çela përballet me pyetje mbi zbutjen e akuzës ndaj një bashkëshorti dhunues

Procesi i rivlerësimit i prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Arens Çela u fokusua kryesisht te kriteri i profesionalizmit, ndërsa ndaj subjektit u ngritën pyetje mbi kërkesën për zbutje të akuzës ndaj një bashkëshorti, të dënuar më pas nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për tentativë vrasje të gruas.

Nga Vladimir Karaj

Prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme, Arens Çela u përball të martën me pyetje mbi vendimmarrjen e tij në lidhje me dy çështje që kishte hetuar.

Njëra çështjet lidhet me një shtetasin nga Fushë Kruja, i akuzuar se kishte sulmuar me levë nënën e fëmijëve të tij, pasi ajo e kishte denoncuar për të disatën herë në polici se e dhunonte.

Çela i ka kërkuar gjykatës dënimin e Doçit për dhunë në familje. Ndryshe nga kërkesa e prokurorit, gjyqtarja e ka riklasifikuar veprën penale në tentative vrasje, duke e dënuar të pandehurin me 22 vite burg.

Çëshjta e dytë lidhej me shoqërimin me forcë të një shtetasi nga policia e Beratit.

Për rastin e Doçit, prokurori Çela u mbrojt duke përmendur ‘bindjen e brendshme’ dhe rrethanat e rastit, ndërsa u justifikua me mbingarkesën për disa mangësi në çështjen e dytë.

Trupa që hetoi Çelën, e cila drejtohej nga Pamela Qirko, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Xhensila Pine, vuri në dukje se nga hetimi i pasurisë ishin gjetur bilance negative në total prej 540 mijë lekësh, por që lidheshin me konsiderimin ose jo si të ligjshëm të pasurisë së prindërve të Çelës, të cilët i kishin dhënë dy hua. Ndërkohë që nuk u vunë në dukje probleme në kriterin e figurës.

Çela tha se e vlerësonte maksimalisht procesin, ndërsa pretendoi se sqarimet e tij mbi shpenzimet e familjes së prindërve i sqaronin bilancet negative.

Arens Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Lushnjes. Më pas, Çela ka drejtuar prokurorinë e Beratit dhe ka mbajtur pozicionin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve. Në janar 2020, Çela u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si ndihmës-magjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme.

Hetimi mbi profesionalizimin

Në relatimin e hetimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u vu në dukje se ndaj Çelës kishte pasur 11 denoncime, por 10 prej tyre nuk ishin marrë në konsideratë pasi nuk kishin fakte mbi çështjen. Përndryshe një denoncim nga një person i identifikuar si A.Xh, i cili siç doli nga relatimi fajësonte policinë për dhunë, ishte hetuar gjerësisht nga KPK.

Komisioni vuri në dukje se Çela kishte hetuar akuzën ndaj A.Xh, për kundërshtim të forcave të policisë dhe po ashtu akuzën e këtij të fundit për dhunë nga ana e policisë. Hetimet për këtë akuzë të dytë ishin pushuar, por një vendim i Gjykatës së Beratit e kishte rikthyer për hetime çështjen, duke i lënë edhe disa detyra prokurorisë.

KPK tha se disa nga detyrat e lëna nga gjykata nuk ishin kryer dhe se vendimi i pushimit të hetimit nga prokurori nuk kishte marrë parasysh një ekspertizë mjeko-ligjore dhe kjo ekspertizë ishte referuar e ndryshuar.

Çela u mbrojt për detyrat e pakryera duke përmendur mbingarkesën në këtë periudhë. Ai tha se ishte një kohë kur prokuroria e Beratit kishte vetëm vendime ekzekutimi, 3 herë më shumë se ajo e Tiranës. Ndërsa duke iu referuar rastit ai tha se disa vlerësime ishin bërë me “bindje të brendshme”.

Sipas prokurorit kishte dëshmi se dhuna e policisë ndaj A.Xh kishte ndodhur gjatë kohës që ai ishte shoqëruar, pasi ai kishte kundërshtuar policinë dhe se një përfaqësues i Avokatit të Popullit që kishte qenë i pranishëm gjatë arrestimit kishte deklaruar se nuk kishte vënë re asgjë të paligjshme në shoqërimin me forcë.

Ndërkohë KPK theksoi se kishte hetuar Çelën edhe nisur nga publikimi në media i çështjes kundër A.D, të cilin BIRN e identifikoi si Agim Doçi, i cili është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për “tentativë vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Në këtë çështje për të cilën dukej se Komisioni i referohej shkrimit të BIRN “Kalvari i një gruaje të dhunuar në kërkim të drejtësisë”, Çela kërkoi në gjykatë zbutjen e akuzës për ish-bashkëshortin Agim Doçi, nga “tentativë vrasje për shkak të rrethanave familjare”, në “dhunë të përsëritur në familje”.

Qëndrimi i Çelës u rrëzua në një vendim të ndërmjetëm nga gjyqtarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Flora Hajredinaj, e cila riklasifikoi rastin akuzën si “tentativë vrasje” dhe e dënoi Doçin me 22 vjet burg.  Çështja është apeluar.

Relatorja Firdes Shuli tha se dukej që Çela nuk ishte thelluar në analizimin e rrethanave rënduese në këtë çështje dhe se sulmi ishte bërë ndërkohë që viktima kishte urdhër mbrojtjeje dhe ishte i përsëritur.

“Duket që në diskutimet përfundimtare para gjykatës, prokurori mund të kishte bërë analizë më të plotë,” tha Shuli, duke iu referuar rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale.

Ajo tha se në përgjigje të barrës së provës Çela kishte pranuar se analiza mund të kishte qenë më e thelluar. Por në seancë i pyetur nga anëtarja Xhensila Pine mbi klasifikimin e rastit nga “tentativë vrasje” në “dhunë në familje”, Çela parashtroi se i qëndronte vendimit se rasti nuk ishte “tentativë vrasje” duke referuar disa rrethana, përfshirë kohën e qëndrimit në spital të viktimës, ekspertizat mjeko-ligjore dhe faktin se sulmi kishte ndaluar pa ndërhyrje nga persona të tretë.

Çela tha se e kishte marrë këtë vendim për klasifikimin e veprës penale duke qenë i bindur se do të pyetej për këtë çështje, për shkak të ndjeshmërisë së lartë dhe faktit se e dëmtuara kishte qenë aktive me letra dhe ankesa për shkak të konflikteve të kompetencës dhe hapave që kishte ndjekur kjo dosje.

“Më mirë të pyetem, se sa të veproj kundër bindjes sime”, tha Çela.

Këmbënguljes së Pines  mbi qëndrimin e ndryshëm të gjyqtares, Çela iu përgjigj duke lënë të kuptohej se besonte se vendimi i gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në këtë rast, ishte i ndikuar nga ndjeshmëria e çështjes dhe qëndrimet e paditëses.

I pyetur nëse klasifikimi i veprës penale bëhej shpesh mbi bindjen e brendëshme, Çela u mbrojt duke thënë se bindja krijohej mbi provat dhe faktet.

Çështje të tjera që u ngritën në kriterin e profesionalizmit dhe figurës – kryesisht mbi udhëtimet me një person të proceduar penalisht në Prokurorinë e Beratit për falsifikim dhe thirrjen e kunatit të Çelës si dëshmitar në një çështje trafiku narkotikësh, u përmendën në seancë, por u vu në dukje në relatim se në këto raste nuk kishte pasur probleme.

Problemet e pasurisë

Në kriterin e pasurisë relatorja theksoi disa herë se raportimet vjetore të Çelës kishin qenë të sakta dhe të plota, por tha se atij i ishte kaluar barrë prove në lidhje me burimin e ligjshëm të pasurisë së babait, i cili e kishte ndihmuar me dy hua për blerjen e një apartamenti dhe pagesën e parakohshme të kredisë lidhur me këtë apartament.

KPK tha se prindërit nuk kishin pasur të ardhura për huanë prej 5 mijë euro në vitin 2008 dhe se ky burim nuk ishte marrë në konsideratë në analizën financiare, duke e nxjerrë Çelën me një bilanc negativ prej 540 mijë lekësh.

Subjekti e kundërshtoi këtë rezultat të hetimit duke kërkuar rillogaritje të shpenzimeve të familjes për 3 pjesëtarë dhe jo katër, pasi ai vetë kishte qenë i shkëputur që prej kohës kur kishte filluar shkollën e magjistraturës dhe shpenzimet e tij ishin llogaritur më vete.

Çela po ashtu kërkoi rikonsiderimin e të ardhurave të familjes së prindërve duke marrë parasysh shitjen e dy apartamenteve para se të jepej huaja.

Probleme të ngjashme u vunë në dukje edhe për një hua të dytë prej 1.4 milion lekësh po prej babait. Në këtë rast KPK vuri në dukje se huadhënësi rezultonte me bilance negative prej 76 mijë lekë, 60 mijë lekë dhe 13 mijë lekë në tre vite. Çela edhe në këtë rast kërkoi që të rishikohej analiza, ndërsa vuri në dukje se duhej të llogaritej jo për katër anëtarë, por vetëm për dy prindërit pasi ai dhe vëllai gjyqtarë ishin të shkëputur që në momentin e fillimit të Shkollës së Magjistraturës dhe jetonin me të ardhurat e tyre.

Ai tha se nuk kishte dashur asnjëherë të merrte hua nga familja dhe se kishte vënë në dispozicion të KPK-së të dhënat se kishte kërkuar financim nga bankat, por se ishte detyruar për shkak të kalimit të afateve të një pagese që mund ta penalizonte. Ai theksoi se e ngjashme kishte qenë edhe situata për huanë e dytë dhe se shlyerja e saj para kohe ishte bërë me kërkesë të babait, i cili donte të shiste shtëpinë që ishte vendosur kolateral.

Çela tha se banka, edhe pse kishte pasur vetëm një pjesë të kredisë për të shlyer, e cila mund të mbulohej pa kolateral nga të ardhurat e tij, kishte refuzuar heqjen nga kolaterali të shtëpisë duke detyruar shlyerjen e parakohshme.

KPK vuri në dukje se nuk kishte njohur si të ligjshme rreth 1200 dollarë që bashkëshortja e Çelës kishte deklaruar si dhuratë nga babai që ishte në emigracion. Çela nuk kishte dhënë shpjegime për këtë shumë sipas KPK. Në seancë prokurori tha se kjo shumë ishte deklaruar nga bashkëshortja në vitin 2003 rregullisht dhe se çdo marrëdhënie e tij me këtë të ardhur ishte e ligjshme, pasi ata ishin martuar në vitin 2007. Ai tha se e linte në çmim të Komisionit se si do të konsiderohej shuma në fjalë, por këmbënguli se ajo ishte e ligjshme për të.

Disa çështje të tjera kryesisht për makinat e blera, një derdhje në llogarinë bashkëshortes dhe pagesa për edukimin e fëmijëve u gjetën pa probleme nga Komisioni.

 

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Prokurori Arens Çela përballet me pyetje mbi zbutjen e akuzës ndaj një bashkëshorti dhunues”

  1. gimi says:

    Akoma ne post ky i korruptuar dhe i paafte?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *