Nga titulli te kalimi në Kroaci e debutimi kuqezi, Doka rrëfen vitin “e çmendur”

3 Mars 2021, 12:22Sport TEMA

Për Albi Dokën, 2020-ta duket se ka qenë një vit mjaft i mirë sa i përket karrierës së tij në futboll. Pjesë e ekipit të KF Tiranës, ai u shpall kampion i Shqipërisë në Kategorinë Superiore për edicionin 2019-2020. Trajneri i Kombëtares Shqiptare të futbollit, Edoardo Reja vendosi që ta grumbullonte në ekip në ndeshjet e tetorit, ndërsa në nëntor e aktivizoi si titullar në ndeshjen ndaj Kosovës dhe Bjellorusisë, ku Albi Doka bëri një paraqitje mjaft të mirë.

Transferimi drejt HNK Gorica duket se e ka zhvilluar më shumë, teksa vetë ai, në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në Fshf.org shprehet se ka krijuar më tepër besim te vetja. Debutimi dhe ndeshjet me Kombëtaren janë një ëndërr e bërë realitet për Albin, i cili shprehet se Kombëtares aktuale i nevojitet vetëm pak fat për të arritur objektivat e vendosura. Albi Doka, futbollisti kuqezi i HNK Gorica rrëfen për Fshf.org se si e nisi futbollin, momentet e veçanta në këtë sport dhe pse nuk ka një idhull si bashkëmoshatarët e tij.

Na flit pak për hapat e tu të parë në futbolli. Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

– Thuajse si çdo fëmijë i brezit tim, kam pasur një dëshirë të madhe të luaj futboll. Duke parë shumë ndeshje në televizor, kur luaja me shokët në lagjet e Tiranës time, mundohesha që të bëja disa veprime si ato të lojtarëve që shihja aty. Rreth moshës 12-vjeçare, më shumë luaja futboll në lagje se sa mësoja për shkollën, por ishte dhe është një sport që më tërheq dhe kjo është arsyeja pse unë e dua kaq shumë.

– Si po e përjeton eksperiencën e re në një klub të huaj? Sa ka ndikuar ky transferim në Kroaci në aspektin personal? Ndihesh më i pjekur si futbollist?

– Të them të drejtën ka ndikuar realisht shumë. Te klubi i Tiranës isha shumë mirë, por Kroacia ka një tjetër nivel futbolli. Çdo shtet në fakt ka nivele të ndryshme futbolli, nuk mund të them që Shqipëria është shumë e dobët në futboll dhe Kroacia shumë lart. Përkundrazi, besoj se nëse transferohem në ndonjë kampionat tjetër europian do të them, që është më mirë se Kroacia. Po mundohem të bëj sa më mirë, por për kaq pak kohë sa jam këtu, jam zhvilluar shumë dhe kam krijuar më shumë besim te vetja. Dëshira ime është që të luaj shumë dhe mirë, në mënyrë që pse jo, të transferohem në një kampionat europian më të fortë.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja A dhe çfarë kujton veçanërisht nga debutimi me ngjyrat kuqezi?

– Nuk di si të ta shpreh atë që kam ndjerë kur mora vesh që trajneri Reja kishte vendosur të më ftonte në ekipin e parë. Është ëndërr e çdo futbollisti që të jetë pjesë e Kombëtares. Është ndryshe të kesh veshur fanellën e Kombëtares te grupmoshat dhe ndryshe të jesh pjesë e Kombëtares A. Ka qenë një moment mjaft i veçantë kur trajneri më lajmëroi se do të isha pjesë e 11-shes dhe do ta nisja ndeshjen si titullar në vëllazëroren që kishim ndaj Kosovës.

– Si është marrëdhënia juaj me stafin teknik të Kombëtares? Me cilët lojtarë ke një marrëdhënie më të afërt te skuadra kuqezi?

– Nuk dua të veçoj dhe të them se kam marrëdhënie më të afërt me këtë apo atë futbollist. Me të gjithë kam një marrëdhënie shumë të mirë dhe jam me fat që kam shokë shumë të mirë në Kombëtare. Edhe me stafin kam një marrëdhënie shumë të mirë, korrekte dhe kuptohemi mirë me njëri-tjetrin.

– Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares duke pasur parasysh grupin e lojtarëve që ka aktualisht. Deri ku mund të arrijë kjo skuadër, çfarë objektivash mund të realizojë? 

– Unë besoj se kjo Kombëtare do të arrijë shumë lart. Mbajeni mend këtë që po ju them. Unë e besoj që një ditë do të arrijmë të jemi pjesë e finaleve të Kupës së Botës. Jemi një grup që kemi besim, jemi një grup që jemi përmirësuar shumë, djemtë të gjithë luajnë me shpirt, përfshi edhe mua dhe do të luajmë shumë fort kundër çdo kundërshtari. Kemi një grup të mirë, këtë besoj nuk e them veç unë. Ka talent, ka frymë pozitive, ka dëshirë për të ecur përpara. Kjo Kombëtare i ka të gjitha, mendoj se, veç pak fat do të na bënte punë.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Qoftë me Kombëtaren dhe me klubin.

– Nuk dua t’i ndaj nga njëra-tjetra, por për mua janë dy momente të lumtura: Tirana u shpall kampione e Shqipërisë dhe unë pata nderin e madh të kontribuoj në skuadër dhe kur debutova me Kombëtaren A më 11 nëntor.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Duke ndjekur futbollin, nuk pata mundësi që të ndjek shkollën, si një pjesë e shokëve të mi. Tani jam larg familjes, sërish për futbollin. Megjithatë, këto janë sakrifica që unë i bëj me dashuri dhe dëshirë, për të vetmen arsye: Futbollin!

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Nuk është se kam ndonjë idhull, ose që ndjek dhe them dua të bëhem si ky apo si ai. Normalisht që ka lojtarë që më pëlqejnë si model, madje Cafu është ndër të preferuarit e mi, por idhuj jo. Unë dua të jem Doka, të luaj si Doka dhe të mbetem në mendjet e njerëzve si Doka. Uroj të kem fatin të luaj dhe të bëj mirë si me Kombëtaren si me klubet, në mënyrë që të mbahem mend vërtetë si Albi Doka!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje