“S’të marrim në punë, dukesh vajzë e mirë për të punuar këtu”, hendeku i thellë burra-gra në punë e rrogë

3 Mars 2021, 17:36Sociale TEMA
“S’të marrim në punë, dukesh vajzë e mirë

L.B, një vajzë 26-vjeçare nga Peshkopia, është e diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë. Teksa kërkonte punë, pak kohë më parë ajo pa një njoftim se kërkohej një ekonomiste pranë një kompanie importi-eksporti frutash.

‘’Shkova të bëja intervistën dhe më thanë që kërkonin djalë’, thotë vajza. Asnjë shpjegim nuk iu dha asaj se përse në një pozicion pune si ekonomist duhej një djalë, për të bërë atë që mund ta bënte edhe ajo më së miri.

Ndërsa M.R., nga Durrësi, sjell një tjetër rast. “Mua vjet nuk më morën në punë recepsioniste në një hotel sepse nuk isha veshur shumë ekstravagante”, thotë ajo. Ajo vjet ishte ende në vit të parë studente dhe po kërkonte punë kur pa njoftimin se kërkohej recepsioniste në një hotel në kryeqytet. E veshur në mënyrë të përshtatshme për një intervistë pune ku në qendër ke marrëdhënien me klientët dhe imazhin, ajo dëgjoi këto fjalë: Nuk je për këtë punë se dukesh që je vajzë e mirë, e veshur thjesht”.

Gjatë vitit 2020 papunësia në vend arriti nivele të larta sidomos gjatë tremujorit të dytë dhe filloi të ulej lehtë gjatë tremujorit të tretë. Dhe në të gjithë panoramën, gratë mbeten pjesa më vulnerabël e popullsisë për të punuar. Është i dukshëm numri i lartë i femave të papuna, ku në çdo periudhë (përvec izolimit total) femrat rezultojnë në numër më të lartë se në çdo grupmoshë. Ndërkaq burrat në Shqipëri paguhen 10.1% më shumë se sa gratë; hendeku gjinor në pagë lidhet me një sërë faktorësh socialë, kulturor dhe ekonomikë në një shoqëri.

Sipas INSTAT, gratë në Shqipëri janë inaktive në tregun e punës sepse ‘’janë të zëna me punë shtëpiake’’. Gjithashtu, një shifër shumë e lartë e punëtorëve pa pagesë në bizneset familjare janë të gjinisë femërore, 24.6% në krahasim me 13.9% që janë meshkujt.

Sektorët ekonomikë që kanë numër më të lartë punonjësish femra se sa në treg. Në sektorin e bujqësisë numri i femrave të punësuara janë në balancë me numrin e meshkujve dhe i përkasin përgjithësisht grupmoshës 30 deri 64 vjec.

Në nisje te vitit 2020 niveli i papunësisë tek moshat mbi 15 vjec ishte 11.9% për femrat dhe 11% për meshkujt. Për grupmoshat 15 deri në 29 ishte 20.2% për femrat dhe 19.9% për meshkujt, ndërsa moshat 30 deri në  64 u shënua në nivelin e 9.8% për femrat dhe 8.4% për meshkujt.

Tremujori i dytë, periudha kur vendi hyri në izolim total se pasojë e përhapjes së virusit Covid-19, pati numrin më të lartë të të papunësuarëve. Meshkujt mbi 15 vjec u shënuan të papunë në nivelin e  12% dhe femrat në nivelin e 11.9%. Meshkujt në moshën 15 deri 29 arritën në nivelin e 21.9% dhe femrat në 20.8%. Nga 30 në 64 vjec, papunësia tek meshkujt shënohej në vlerën 9.3% dhe tek femrat 9.8%.

Në përfundim të vitit 2020, në tremujorin e dytë papunësia u ul lehtshëm, por përsëri qëndronte në nivele të larta.  Tek grupmosha mbi 15 vjec, 11.4% meshkuj të papunë dhe 11.8% femra të papuna. Në grupmoshën 15-29, 20.3% meshkuj dhe 21.4% femra dhe në moshat 30 deri në 64, 8.8 meshkuj të papunësuar dhe 9.4% femra të papunësuara.

Vihet re një numër i lartë i të papunësuarve tek grupmoshat mbi 15 (jo vetëm gjatë tremujorit të dytë) që përbëjnë brezin e ri. Sipas Instat, rreth 16% e këtyre të rinjëve që nuk janë të punësuar nuk janë të angazhuar me edukim apo detyra të tjera nën përgjegjësi, të raportuar si ‘’të dekurajuar’’. Nga  grupi i individëve që emërtohen si ekonomikisht jo-aktivë, 71.2% janë të rinjtë.

Një tjetër fushë ku raporti burra dhe gra është i zhdrejtë është paga. Sipas studimeve të bëra nga Instituti i Statistikave në vend, në vitin 2019, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është 52.380 lekë, 54.940 lek për burrat dhe 49.411 për gratë.

Hendeku gjinor në pagë pasqyron pabarazitë gjinore lidhur me pagën e burrave dhe grave. Diferenca midis pagës mund të shpjegohet me karakteristikat e burrave dhe grave në arsim apo eksperiencë pune, apo me preferencat në sektorë apo në profesione (sektorë apo profesione të caktuara mund të preferohen më shumë nga gratë krahasuar me sektorë të tjerë). Si pasojë, hendeku gjinor në pagë lidhet më një sërë faktorësh socialë, kulturor dhe ekonomik në një shoqëri.

Burrat në Shqipëri paguhen 10.1% më shumë se sa gratë. Hendeku i pagës luhatet sipas sektorëve të punës. Në sektorin e prodhimit diferenca e pagës sipas gjinisë  arrin 24.6% si një strukturë me më shumë hapësirë punësimi, ndërsa pagat në ndërtim kanë një diferencë prej 0.7% ku masa më e madhe e të punësuarëve janë meshkuj, por nuk mungon as prezenca e gjinisë femërore.

Femrat e punësuara në Shqipëri janë në nivele të ulëta dhe në krahasim me meshkujt 46.9% me 60.1%, por numri më i lartë i kërkesave  për punësim vazhdon të jetë nga femrat.  Përvec punëve të shtëpisë, hendekut të pagave,  gratë duhet të përballen dhe me preferencat mizogjene apo seksiste të punëdhënësve.

Një program i Ministrisë së Financave dhe UN Women ndërmarrë gjatë vitit 2016 për të përfshirë më shumë gratë në tregun e punës, për t’i motivuar me përfshirjen dhe pagat apo për t’i integruar në një shoqëri europiane (para se të integrohet vetë Shqipëria), nuk ka dhënë rezultat. Madje statistikat tregojnë se gjendja është përkeqësuar.

Në vitin 2017 sipas MFE-së shkalla e papunësisë për femrat ishte 12.8% ndërkohë që në vitin 2020 rezulton me 14.06%.

Ndarja  e dalluar gjinore vihet re qartë dhe në skemat  e sigurimit shoqëror, ku pensionet për burrat janë gjithmonë më të larta se të grave.

Përfshirja e grave në vendimmarrje në jetën sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri është në nivele shpërfillëse. 25.4% gra ndaj 74.6% meshkuj.

Individët me arsim të lartë në vendin tonë janë në masën më të madhe gra, rreth 18.5% dhe burra me 16.1%. Nëse nuk është kualifikimi dhe formimi faktor punësimi, a mund të listojmë mizogjeninë si element me rëndësi..?!(SI)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje