Një milion vaksina dhe një orë vonesë

26 Mars 2021, 11:01Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Mes këtyre dy shifrave mori formë dita e parë zyrtare e fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit. Në njërën anë, mijëra vaksina që dilnin nga barku i “Lagushit” që kthehej nga Turqia, në anën tjetër mijëra njerëz që pritën një orë derisa Lulzim Basha të kryente një “skuthllëk” të vogël elektoral, duke shtyrë daljen në podiumin e mitingut, për t’i marrë kohë televizive kundërshtarit të tij në Sheshin Skënderbej. Këto dy shifra treguan dje më shumë sesa mendojmë, për llojin e fushatës që na pret dhe për qasjen e palëve në një garë që ka për të qenë e ngushtë, e ndyrë dhe plot truke e hilera.

Vaksinat, malli më i kërkuar në planet, janë bërë një temë beteje nga Australia në Kanada. Në fakt Edi Rama filloi të mendojë vonë për vaksinat e shqiptarëve. Udhëtimi i tij në SHBA në nëntor ishte ndër të fundit e një vendi evropian, pranë prodhuesve të vaksinave. Deri në atë moment qeveritarët e Shqipërisë u përkundën mes shifrave boshe të kontratës prej 1,2 milion dozash me Covax dhe besnikërisë naive ndaj “vaksinave perëndimore”. Pesë muaj më vonë po shohim sesi bota i ka hedhur tej këto skrupuj që kujtojnë Luftën e Ftohtë, e po turret të ngulë në krah çfarëdo vaksine që i del përpara.

Në këtë zgjim të vonuar, Shqipëria e vogël gjeti megjithatë zgjidhje për hallin e saj shëndetësor. Futja në frigorifer e rreth 280 mijë vaksinave dhe kontraktimi në të ardhmen e afërt i disa qindra mijë dozave të tjera me vaksina kineze, ruse e perëndimore, e bën Shqipërinë të jetë shteti i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas Serbisë, që mund t’i lejojë vetes një program vaksinimi masiv të popullatës. Është një sukses jo i vogël, pas muajsh pritjeje e ankthi popullor për të ardhmen e epidemisë kombëtare të Covid 19.

Dhe kur vaksinat ndërhyjnë në mesin e një fushate të ethshme dhe me pak vota distancë, natyrshëm që bëhen objekt vëmendjeje, zilie, debatesh e aludimesh gjithfarësh. Ashtu si me Astrazeneca-n britanike, disa gojë të ndyra në politikë e në media, po vrapojnë të anatemojnë vaksinën kineze, ende pa u kryer injeksioni i parë i saj në vend. Është një turravrap hipokrit i atyre që thellë në veten e tyre kishin uruar që pranvera (mbi të gjitha data 25 prill), t’i gjente shqiptarët pa vaksina, duke lexuar buletinet e vdekjeve e spitaleve plot me pacientë që hiqnin shpirt.

Këtë garë kundër kohës dhe kundër dashakeqësisë elektorale Rama e fitoi. E fituan shqiptarët në fakt, të cilët mund të kenë një shpresë se do t’ju bjerë së afërmi telefoni, për t’i njoftuar datën e vaksinimit. Në një botë të dominuar nga variantet e Covid, lajmet e zymta dhe çorganizimi biblik i Evropës, kjo është një situatë qetësuese e shpresëdhënëse.

Në anën tjetër zgjedhjet dhe ceremoniali i tyre i ditës së parë. Teksa në mbrëmje studiot televizive grindeshin të enjten për fjalimet e liderëve dhe formatet e mitingjeve në dy anët e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pakkujt i ra ndërmend të pyesë se cila qe arsyeja reale e vonesës prej më shumë se një ore të Lulzim Bashës në mitingun e hapjes. Një vonesë që duhet shumë mirëkuptim e fantazi që ta shpjegosh. Të mungosh në njërin prej momenteve më delikate të karrierës tënde politike, duke lënë në të ftohtë mijëra njerëz, nuk është kjo mënyra më e mirë për të hedhur hapin e parë në fushatën elektorale ku ti synon fitoren!

Shpjegimi më racional, nëse mund të ketë vërtetë një të tillë për atë që pamë të enjten pasdite, është se ndoshta Basha kërkoi të fokusojë vëmendjen e mediave dhe publikut tek mitingu i tij gjatë një ore, duke i lënë sa më gjatë kamerat e televizioneve të ndezura në podiumin bosh të Nënë Terezës. Për të kërkuar më pas një përballje “live” me Ramën në ekranet e ndara në dysh, ku fliste herë njëra palë, herë tjetra.

Nëse ka qenë kjo llogaria e Lulzim Bashës, ajo ka qenë thjesht fiasko, sipas shifrave të audiencës. Teksa lideri demokrat fliste në njërën anë, në krahun tjetër të bulevardit inxhinierja në pension Luljeta Bozo merrte mbi tre herë më shumë shikues në rrjetin social, se kryetari i opozitës. Në këto raporte shikueshmërie u konsumua e gjithë përballja e dy mitingjeve, e kjo është një rrethanë aspak e rehatshme për pëlqyeshmërinë e opozitës në publik.

Vaksinat dhe mitingjet inauguruese krijuan të enjten shtratin mbi të cilën do të ecë fushata elektorale e 25 prillit. Ata që e duan Ramën të rrëzuar në atë datë, duhet t’i ruhen një kryeministri që di të menaxhojë më mirë krizat sesa paqen. Ashtu siç duhet t’i ruhen edhe apatisë dhe mungesës së ideve të një lideri opozitar, i cili s’e ka fare problem që të vonohet një orë, teksa një shesh plot me militantë e pret me padurim në mes të të ftohtit. Sipari i ditës së enjte projektoi në mënyrën më klasike dhe besnike të mundshme dy profilet reale të personazheve që do të ndajnë kurorën e kryeministrit të katër viteve të ardhshme pas një muaji. Në një anë i pari, Edi Rama, që shkon e vjen brenda 24 orëve me një avion me vaksina mbrapa nga Turqia, në anën tjetër rivali i tij Lulzim Basha që vonohet një orë, në rrugën mes selisë së partisë në Lanë, e sheshit tek Universiteti.

14 komente në “Një milion vaksina dhe një orë vonesë”

  1. nn says:

    ky eshte ndryshimi qe duam?

  2. Juristi says:

    Akoma me Lulin.Kjo eshte si ajo puna,hedh nje budalla gurin ne lume dhe qindra te mencur shkojne ta nxjerrin.Me u marre me Lulin eshte humbje kohe.Jane shume primitiv,ulerima eshte baza e programit te Lulit,nuk kane asnje ide,te prapambetur shume.Sa te jete Luli ne Pd,Rama tallet me te.Nuk ka hic fare,po fare,hije lideri,nuk ka ide,vetem hartime mediokre pergatit.

  3. ... says:

    ato vaksina nuk jane certifikuar
    hipokrite!

  4. Bashe, lyhu sa te dush se boja te ka dale me vakt says:

    I plakur, i rrjedhur pasi dy llafe si thote dot dhe ska ku te veje i neveritshem.

  5. Nuk prishet rregjimi ditor , se qene mbledhur ca makina ne shesh , le te presin , s’i gjen gje !

  6. lenci says:

    Zoti Minxhozi, ju vetem gazetar nuk jeni! Jeni gjithnje mbrojtes dhe zedhenes i pushtetit socialist. Tani jeni i Edvin Rames.

    1. Shoku Sal says:

      Sa per audiencen, mos u shqeteso shume o Minxho.
      Sepse kjo nuk thote asgje. Ju pasaniket e majte, keni kompjutera e ajfona dhe fesbukra .
      Ne fshataret dhe fukarenjte e PD – se nuk kemi nga ato.
      Mirpo vota e nje oligarku vlen njesoj si ajo e nje varfanjaku.
      Vota e nje qytetari nga Tirana, Durrsi apo Vlora, vlen po aq sa dhe vota e nje fshatari nga Paskuqani, Bathorrja apo keneta.
      Dhe kur te numurohen keto vota do ta shohim cfare kemi per tu bere ju pasanikeve ne varfanjaket pa fejcbuka.

  7. dashamires says:

    Shko zer rradhen ne stadium o Minxho qe te bejne nje nga ato 100 mije vaksinat kineze qe vijne nga Turqia!
    (por thuaji te te njektojne uje ne vend te saj se e peson si Dr. Piperoku qe pas vaksinimit mori Covid-19)
    Jo per gje po i duhesh qeverise si megafon.

  8. populli shqiptar says:

    Ndryshimi u pa qarte,audienca u pa qarte e kjo flet shume.Populli kishte shume interes per Ramen sepse ai u solli vaksinat, ju ktheu besimin per jeten.Luli do te behet shkak per infektimin masiv te demokrateve qe nuk do munden dot te votojne pasi do te jene te infektuar.Ky eshte Rama ,Ky eshte dhe Luli genjeshtari qe tallet me jeten e njerezve

  9. Merita says:

    Respekte per ju z.Minxhozi, si gjithnje i sakte ne analizat e tua

  10. Luli vet says:

    U zgjova me vonese. S’me ra zilja telefonit.

  11. Velo says:

    Lopët nuk e kanë problem se çobani e hap sallën një orë me vonesë. Ato vazhdojnë ripërtypjen.

  12. Velo says:

    Lopët nuk e kanë problem se çobani e hap stallën një orë me vonesë. Ato vazhdojnë ripërtypjen.

  13. Konjak says:

    MIr eshte edhe nje vaksine te vij , por pamvaresisht veshtiresive per sigurimin e vaksinave , duhej interesuar me shpejt per sigurimin e tyre . Megjthe sigurimin e 190,000 dozave Kineze –pamvaresisht se ato nukse jane certifikuar ne Evrope –, por kan dhene rezultat te mir , kudo qe jan perdorur . Mirpo , per tu vaksinuar duhet te jesh i pasur , kete radhe ; prandaj pyes shokun Skender , a eshte ne listen e te pasurve ?.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje