Kryeministër për herë të tretë apo opozitar për herë të parë

31 Mars 2021, 15:10Blog TEMA
Kryeministër për herë të tretë apo opozitar për

Nga Lorenc Vangjeli

Eshtë ende proverbial paralajmërimi i Sali Berishës 20 vjet më parë: “Do t’jua ngrij buzëqeshjen në buzë!”. Socialistët e Ilir Metës dhe Fatos Nanos rikonfirmuan atëherë mandatin e dytë në zgjedhjet e trazuara të 2001-shit, por kishin përballë një opozitë që ju premtonte sërish trazim lufte. Premtimi parapolitik i Berishës së atëhershëm është vetëm një episod i keqkuptimit dramatik me politikën, që ndoshta ka filluar me karizmën e errët të Saliut, por nuk ka mbaruar me të. Kështu ka vijuar me buzëqeshje të ngrira dhe thika në dhëmbë vit mbas viti e mandat mbas mandati, karuseli i urrejtjes reciproke mes pushtetit dhe opozitave në Shqipëri. Kush ishte pakicë urrente shumicën dhe kush bëhej shumicë, harronte kohën e rëndë të të qenurit pakicë.

Edhe socialistët në opozitë nuk do të pranonin të thoshin një fjalë të mirë për kundërshtarët e tyre edhe nëse ata do të shpiknin rrotën. Ata ndjenin gëzim të lig rast pas rasti për çdo defekt qeverisjeje, të bindur se çdo dështim i kundërshtarëve, shkurtonte udhën e tyre drejt pushtetit. Përmbytja apo zjarri, cannabis-i apo ndërtimet pa leje, koncesionet apo lejet e ndërtimit, tërmeti apo pandemia, pa pikën e rëndësisë se çfarë ndodh dhe pse ndodh, për të majtë e të djathtë janë vetëm mundësi për të sulmuar qeverisjen e radhës brenda të njëjtës kornizë keqkuptimi të roleve dhe raportit që kanë në demokraci pozita dhe opozita. Pakkush shënjon se ditën e zgjedhjeve, përtej daulleve të fituesit, në fakt është zgjedhur edhe një institucion i një rëndësie të dorës së parë për sistemin.

Pakkush kupton se opozita është një nga shtyllat e demokracisë që mban në këmbë sistemin me kombinimin e parimit të balancës dhe kontrollit. Në të kundërt, tradita në Shqipëri sugjeron se opozitë e fortë është ajo që ulërin, që bojkoton, bllokon, destabilizon, tremb dhe që di të konfrontohet si në betejë me armë. Kaq i fortë është ky lloj perceptimi sa shfaqjet më shumë se të rralla që japin shembull të kundërt, numërohen në rendin e tradhëtive. Shpatullat e Berishës që i rrahu Edi Rama mbas tragjedisë së Gërdecit, ende sot ndër socialistë e demokratë shënjojnë gabimin e kryeministrit të sotëm.

Dy-tre lëvizje paqeje të Bashës për qetësi pas tërmetit dhe mature në fillim të pandemisë, me siguri do t’i llogariten nesër si arsyet se pse ai do të humbasë zgjedhjet dhe jo si pamjaftueshmëri e pavendosmëri për të bërë që në të djeshme, një opozitë fituese në zgjedhjet e ardhshme. Ndryshe nga sa pritej, Basha edhe më shumë se vetë radikali Berisha, radikalizoi në ekstrem markën e tij të opozitarizmit, dogji mandatet, bojkotoi zgjedhjet lokale dhe e shndërroi partinë në një shoqatë vullnetare me seli gjigante, kurse skifterët veteranë i mbylli në kafaz Facebook-u. Duke dezertuar nga detyra e këtij mandati, e gjithë opozita i ka bërë shërbimin më të çmuar mandatit të tretë të Edi Ramës dhe dëmin më të madh të mundshëm shoqërisë shqiptare, sistemit dhe vetvetes.

Opozitat në Shqipëri janë reflektive. Sillen me refleks kundërshtie dhe jo me logjikë mendimi. Ato vetëm mohojnë, por nuk pohojnë kurrë. Ndeshen me urrejtje dhe refuzojnë dashurinë. Ato e konsiderojnë të qenit në opozitë si natë polare ku nuk del dielli dhe shohin vetëm njolla të zeza edhe me diell para syve. Për to buxheti nuk është plan i shpenzimit të parave publike, por thesi që grabitet deri në fund nga qeveria, koncesioni nuk është një marrëveshje ekonomike që mund të jetë edhe e gabuar, por vetëm një instrument për të grabitur çdo qindarkë apo dhe vaksina nuk është një shpresë për të luftuar pandeminë, por një makth që e sjell qeveria për të torturuar qytetarët.

Me të gjitha gjasat, opozitarët e djeshëm të majtë e përfytyronin Berishën sesi shkonte në mëngjez në kryeministri duke llogaritur sesa kuintal euro do të çonte në darkë në shtëpi, kurse të djathtët e sotëm me të njëjtën cak fantazie, përfytyrojnë Ramën sesi gropos në Surrel kuintalë me euro çdo mëngjez në të gdhirë. Çdo ministër një hajdut, çdo firmë një vjedhje, çdo militant një i lumtur, çdo bandit, një kravatë politike mbas, kjo është bindja që krijon shumica dërmuese e opozitarëve, qoftë kur zgjohet në Bathore, qoftë kur ngryset në njësinë pesë, në qarkun e Tiranës apo edhe kur i rri ngjitur si mbathje virgjëreshe derës së kryetarit të partisë.

Zgjedhjet e 25 prillit kanë vetëm një shans të qartë që nuk duhet humbur. Rikthimi në normalitet i sistemit dhe zgjedhja e opozitës morale të vendit. Një opozitë që duhet të dijë detyrat dhe vendin e saj, që të ketë minimumin e inteligjencës për të kuptuar se dhuna dhe bojkoti janë mjete që dëmtojnë gjithkënd. Pastaj, nëse kryeministër nuk është as kësaj rradhe Lulzim Basha, kjo nuk është meritë e Edi Ramës. Tapia e tretë e Ramës në kryeministri është akti formal që e firmosi vetë njeriut që fati i dha gjithçka, por që dështoi të rithemelonte opozitarizmin normal. Që të fitonte për herë të parë, Bashës i mjaftonte vetëm të mbante të pandryshuar buzëqeshjen e hershme të njeriut një milion dollarësh kur hyri për herë të parë në pushtet.

8 komente në “Kryeministër për herë të tretë apo opozitar për herë të parë”

  1. KARIAN VASKARI says:

    Kur është “i pa pirë, pra, është esëll nga kaplloqja”, ky djalka, Lorkë VAngjushka, dikërka të zografisë gjene mirë.

  2. Ari says:

    Vangjel, je shumr perpara. Kultura politike e kombit eshte baza ku dalin dhe ngrihen politikanet, partite dhe per rrjedhojr dhe raportet marredheniet mes tyre. Qe ata te arrijne ta kuptojne se opozite -opozite jane dy shtylla te barabarta te sistemit, eshte pothuaj e pamundur, pasi ju mungon kultura politike. Kjo e fundit nuk vjen me nje apo dy dekada, por dkada e dekada te tera. Keshtu qe ti mund te lodhesh se shkruari – kjo eshte puna jote, por eshte heret…shume heret. P.sh. kaluan 3 dekada: ku shikon ti ndryshimin midis kultures politikr te kohes Berisha – Nano, nga kjo sot? Asgje pothuaj. Dhe, me keq: kur shikon te rinjte ne politike psh Mr Salinjasi, Balliu, apo plot “zonjusha” te reja , andej e ketej, kupton lehte se duhet shume, shume kohe per nje normalitet komunikimi.
    Ka edhe me: ne finale jane dy elemente te tjere, pervec kohes, qe do te ndikonin ne kulturen politike: historia e tradita ne institucione, dhe kultura e popullit ne njr kuptim te gjere. Po ti konsiderojme keto, kuptohet me lehte se sa larg jemi..dhe te mos bejme me pyetje; pse, pse

  3. qytetar says:

    Foto tregon shume.
    Pa u lodhur te lexosh.

  4. 3me3 says:

    E TRETA E VERTETA !

    1. oksigjeni says:

      o servil po fitoj basha do ta kthesh pllaken

  5. Loni says:

    Te lumte Zoti Vangjeli,
    Me kete shkrim/analize te raporteve pakice/shumice ne demokraci e keni
    ngritur steken e cilesise te shkrimeve tuaja shume lart,
    Kur do te vije ajo dite …
    Loni

    1. fitore pd says:

      loni mos u merzit se do ta hash per 25 dite

  6. ervin qerimi says:

    Nje mandat i trete eshte pak i mundur . Rilindja ra ne kurthin e opozites duke ekspozuar votuesit e saj ne 2019 . Ata votues ishin me pak se ne 2017 dhe u rrit shume numuri i votave te pavlefshme . Kjo eshte shenje qe nuk duhet pasur besim te administrata . Ndersa per kalimin ne opozite te Rilindjes kjo eshte komplet e pamundur . Pas humbjes ne PS do kete zgjedhje dhe Rilindja do dobesohet shume . Opoziten do ta beje PS ja e vertete e cila me vone do synoje marrjen e bashkise . Mos harroni qe Rilindja eshte organizate qeverisese dhe jo nje parti . Ky mund te jete shkaku qe ne kete fushate emri i saj nuk eshte permendur asnjehere . Sa per z KM mund ti gjendet nje vend per President .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje