Ilir Rusmali: Pse komisioneri i katërt duhej ndarë mes LSI dhe PDIU

6 Prill 2021, 13:07Politika TEMA
Ilir Rusmali: Pse komisioneri i katërt duhej ndarë mes LSI dhe PDIU

 

Pas vendimit të CAS që komisioneri i katërt i takon tërësisht LSI, anëtar i CAS, Ilir Rusmali ka bërë një vendim në pakicë ku arguenton se komsioneri i katërt i takon të ndahet mes LSI dhe PDIU.

Më poshtë po sjellim arsyetimine plotë të tij:

Numërimi i votave në zgjedhje bëhet nga grupet e numerimit të votave (GNV), të cilat përbëhen nga katër anëtarë. Anëtarësia në grupin e numërimit është detyrë publike, e cila ushtrohet në emër të ligjit. Rrethi i detyrave të anëtarit të GNV-së, mënyra e emërimit, procedurat, afatet, përfitimet, disiplina dhe llogaridhënia janë përcaktuar në Kodin Zgjedhor dhe në aktet nënligjore të dala në zbatim të tij. Ngritja e GNV-ve bëhet në bashkëveprim me partitë politike që gëzojnë të drejtën e propozimit të kandidaturave për anëtarë të GNV-ve, bazuar në parimin e barazpeshimit politik (dy anëtarë nga shumica, dy anëtarë nga opozita parlamentare), por anëtarët e GNV-ve nuk janë në detyrë për të numëruar votat e partive që i propozojnë.

Numri I anëtarëve është i kufizuar sipas kriterit të nevojës administrative. Ata nuk janë në detyrë me tagra përfaqësimi, sikurse interpretohet rëndom. Nëse prezenca lexohet si përfaqësim, atëherë ata përfaqësojnë në gjysmën e tyre gjithë shumicën parlamentare dhe në gjysmën tjetër gjithë opozitën parlamentare.

Që një parti politike të mund të gëzojë të drejtën për të propozuar kandaidatura për anëtarë të  GNV-ve duhet të plotësojë këto kushte dhe kritere:

Të jetë parti parlamentare;

të jetë regjistruar në zgjedhje;

të ketë fituar jo më pak se dy mandate parlamentare.

Në rast se numri i partive të shumicës ose të opozitës që plotësojnë kriteret është më i madh se numri i vendeve takuese në GNV, atëherë për vendin e tretë dhe të katër hidhet shorti.

Tagri për të propozuar kandidaturat për anëtarë të GNV-ve është përcaktuar në Kodin Zgjedhor (nenet 95 dhe 96), së bashku me shkaqet ligjore që sjellin fitimin ose humbjen e këtij tagri.

Shkaqet ligjore kanë lidhje vetëm me rrethana fakti, të cilat ekzistojnë ose jo dhe mbi të cilat

KQZ-ja nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë ndikim. KQZ-ja nuk mund të pranojë apo refuzojë, miratojë apo rrëzojë as ekzistencën e tyre, as të drejtat e subjekteve që burojnë prej tyre.

Kodi Zgjedhor ka përcaktuar në pikën e fundit të nenit tranzitor 183 se në zgjedhjet e datës 25 prill 2021 “e drejta për propozimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe të GNV-ve përcaktohet sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 dhe konfigurimit shumicë-pakicë të Kuvendit në çeljen e tij, menjëherë pas këtyre zgjedhjeve”. Në bazë të këtij kushti dhe të kritereve të neneve 95 dhe 96 të KZ, partitë politike që legjitimohen për propozimin e  kandidaturave për anëtarë të GNV-ve janë Partia Socialiste (PS), Partia Demokratike (PD), Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU). Për shkak se PD, LSI dhe PDIU duhet të ndajnë propozimet për dy vende në GNV, Kodi kërkon që për vendin e katër të hidhet short midis LSI-së dhe PDIU-së.

Tagri për të propozuar kandidaturat për anëtarë të GNV-ve nuk tjetërsohet, sepse tjetërsimi prish parimin e barazpeshës. Kodi përcakton në pikën 3 të nenit 95 të tij, se kur partia politike nuk propozon kandidatura në afat, atëhere KZAZ-ja cakton anëtarin/anëtarët përkatës zëvendësues me short midis anëtarëve të KQV-ve që i përkasin të njejtit subjekt në rang zone zgjedhore dhe në rast se nuk është i mundur plotësimi, atëhere vendi mbetet bosh. Tagri për të propozuar kandidatura bie, kur partia politike e regjistruar në zgjedhje nuk merr pjesë në to (nuk regjistron lista kandidatësh) as si subjekt më vete, as si koalicion. PDIU merr pjesë në këto zgjedhje në kuadër të koalicionit Partia Demokratike – Aleanca për Ndryshim (PD-AN).

Pala e interesuar LSI ngriti pretendimin në seancë se PDIU “ka humbur legjitimitetin për të

vepruar në emër dhe për interes të vet dhe se ky legjitimitet i ka kaluar, i është deleguar në

cilësinë juridike të mbrojtjes së të drejtave dhe detyrimeve, partisë udhëheqëse të koalicionit”.

Pala e interesuar referon tek pika 3 e nenit 65 të KZ për të mbështetur këtë pretendim, sipas së cilës “për nevojat e zbatimit të këtij ligji, të gjitha të drejtat dhe detyrimet që ky ligj përcakton për subjektet zgjedhore përmbushen nga partia udhëheqëse e koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjesëtare të koalicionit dhe detyrimet reciproke midis tyre rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet nga koalicioni në KQZ”. Ky citim nuk ka asnjë lidhje me pretendimin e palës së interesuar, nuk mbështet pozicionimin e saj kundër palës ankuese, për më tepër nuk mbështet pretendimin për kalimin e tagrit për të caktuar anëtarin e katër të GNV-së nga PDIU tek LSI.

Dispozita e nenit 65 është dispozitë e posaçme për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore. Pika 3 e nenit 65 të KZ kur i referohet termit “subjekt zgjedhor” nuk mund t’i referohet çdo subjekti zgjedhor, por bën fjalë vetëm për të drejtat dhe detyrimet e koalicionit si subjekt zgjedhor, marrëdhëniet që krijohen nga koalicioni, për shkak të koalicionit. Koalicioni zgjedhor, në ndryshim nga partia politike e regjistruar në zgjedhje nuk ka personalitet juridik, nuk ka adresë dhe seli të regjistruar, nuk ka organe drejtuese dhe përfaqësuese, nuk ka organe përgjegjëse ndaj të tretëve. Për këtë qëllim duhet dispozita e pikës 3 të nenit 65 të KZ. Dispozita deklaron se për ushtrimin e tyre është përgjegjëse partia udhëheqëse e koalicionit, ndërsa llogaridhënëse kundrejt partive simotra ajo bëhet sipas marrëveshjes së koalicionit. Dispozita do të thotë se për të drejtat dhe detyrimet e koalicionit si subjekt zgjedhor KQZ-ja nuk shkon tek çdo parti e koalicionit, por vetëm tek partia udhëheqëse e tij dhe anasjelltas, jo çdo parti e koalicionit mundtë kërkojë ndonjë gjë nga KQZ-ja në emër të koalicionit, por vetëm partia udhëheqëse e tij.

Kjo marrëdhënie ka lidhje sidomos me kapitullin e financimit, detyrimeve për raportim e

llogaridhënie kundrejt KQZ-së, të cilat mbulohen nga partia udhëheqëse për llogari të të gjithë koalicionit. Kjo dispozitë nuk përfshin aspak të drejtat apo tagrat e ankuesit që burojnë nga qenia e tij parti parlamentare e regjistruar në zgjedhje, sikurse është tagri për të propozuar anëtarë në GNV. Edhe arsyetimi në të kundërt e lë zbuluar palën e interesuar LSI në pretendimet e veta. Nëse gjykojmë për një moment se marrëveshja e koalicionit ka shkaktuar cedimin e të drejtave tek partia udhëheqëse e koalicionit, atëherë anëtari i katër i GNV-ve duhet të ndahej midis LSI-së dhe PD-së, si “suksesore” e PDIU-së, por nuk mund t’i kalojë një subjekti të tretë. Në asnjë rast LSI-ja nuk mund të pretendojë, për këtë shkak, të marrë e vetme të drejtën për të propozuar anëtarin e katër të GNV-ve. Nga ana tjetër, as argumenti i ankuesit PDIU se mungesa e marrëveshjes së shprehur me partinë udhëheqëse të koalicionit për të drejtën e propozimit të anëtarit të katër të GNV-së ia konservon asaj të drejtën e propozimit nuk vlen për trajtimin ligjor të çështjes. Sikurse u argumentua më sipër tagri i propozimit të anëtarit të GNV-së është e drejtë e patjetërsueshme dhe çdo marrëveshje në këtë sens do ishte në çdo rast e kundraligjshme.

Partia Demokratike është gjithashtu parti pjesmarrëse e koalicionit PD-AN. Nëse ajo nuk e ka kaluar të drejten e vet ligjore për të caktuar një antar në GNV tek partia udhëheqëse e

koalicionit, atëherë edhe PDIU nuk mund ta kalojë këtë të drejtë. Në fakt Partia Demokratike këtë të drejtë e ka fituar dhe KQZ-ja ia ka njohur si të tillë, për shkak se është partia kryesore e opozitës parlamentare në kuptimin e nenit 183 të Kodit Zgjedhor, jo për shkak se është partia udhëheqëse e koalicionit PD-AN.

Arsyetimi sipas pikës 5 më sipër vlen edhe për trajtimin e pretendimit të palës së interesuar LSI për moslegjitimin e palës ankuese, për shkak se ka ceduar të drejtat e veta tek partia udhëheqëse e koalicionit. Pala ankuese nuk i është drejtuar KAS-it në emër dhe për llogari të koalicionit PD-AN, por në emër dhe për llogari të vet. Si parti politike e regjistruar në zgjedhje me vendimin e Komisionerit nr.33, datë 5.2.2021 PDIU gëzon të drejtën për të vënë në lëvizje KAS-in për mbrojtjen e interesave të veta të ligjshme. Ankimi i paraqitur në KAS nuk ka lidhje me të drejta dhe detyrime të koalicionit. Këto të fundit PDIU nuk mund t’i përfaqësojë.

Lidhur me formimin e GNV-ve, Kodi përcakton këto detyra për KQZ-në (pika 2 e nenit 96):

normativ);

administrativ).

Vendimi i Komisionerit objekt shqyrtimi (vendimi nr.193, datë 31.3.2021) nuk bën pjesë në

asnjerën nga këto detyra. Sikurse u theksua më lart, kushtet dhe kriteret ku bazohet tagri i

subjekteve për të propozuar kandidatët për anëtarë të GNV-ve përbëjnë rrethana fakti, të cilat ekzistojnë ose jo dhe mbi të cilat KQZ-ja nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë ndikim. KQZ-ja nuk mund të pranojë apo refuzojë, miratojë apo rrëzojë as ekzistencën e tyre, as të drejtat e subjekteve që burojnë prej tyre. E drejta e dhënë nga ligji nuk i nështrohet dot njohjes, pranimit apo miratimit nga administrata publike. Parimi i ligjëshmërisë së veprimtarisë së administrates publike nuk e lejon këtë. Ky vendim është marrë nga Komisioneri në kushtet kur KQZ-ja nuk ka asnjë tagër ligjor për të “miratuar” apo “caktuar” partitë propozuese. Në këtë kuptim akti object shqyrtimi plotëson kushtin e paligjshmërisë, të parashikuar nga shkronja “a” e nenit 109 të Kodit të Procedurave Administrative, sepse Komisioneri ka vepruar në mungesë të kompetencës për nxjerrjen e aktit administrativ.

Për nga natyra e vet vendimi nr.193, datë 31.3.2021 është pjesë e lëndës rregullatore të

zgjedhjeve, për pasojë përfshihet në kompetencën e shprehur të Rregullatorit për të miratuar “rregullat e detajuara për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, detyrat e administratës zgjedhore dhe procedurat që zbatohen në zgjedhje (pika 1 e nenit 20 të KZ). I të njejtës natyrë është edhe udhëzimi nr.5, datë 16.3.2021 “Për procedurat e hedhjes së shortit për caktimin e partive politike që propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave”. Ndërsa udhëzimi nr.5, datë 16.3.2021 nuk është ankimuar në rrugë ligjore dhe kompetenca e komisionerit nuk i është nështruar shqyrtimit nga KAS-i, vendimi nr.193, datë 31.3.2021 ndodhet në këtë procedurë dhe KAS-i është i detyruar të shqyrtojë nëse akti është nxjerrë brenda tagrave ligjore të Komisionerit, apo është në kundërshtim me to.

KAS vlerëson se kompetenca rregullatore për zgjedhjet është kompetencë ekskluzive e Rregullatorit dhe nuk mund të ushtrohet as nga Komisioneri, as nga KAS-i (shih vendimin e KAS nr.9, date 23.3.2021 dhe vendimin e KAS nr.19, datë 03.04.2021). Kompetenca rregullatore ushtrohet në  kushte të posaçme. Aktet e miratuara në kuadër të saj, si rregull, kanë nëvojë për mbështetje dhe konsensus të lartë që të jetësohen, kanë nevojë për balancë vendimarrëse.

Marrja dhe ushtrimi I  kompetencës nga organi monokratik i KQZ-së e prish rëndë këtë balancë dhe rrezikon të krijojë konfliktualitet. Në këtë kuptim akti objekt shqyrtimi plotëson kushtin e pavlefshmërisë absolute, të parashikuar nga shkronja “a”, pika “i” e nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative, sepse akti vjen në kundërshtim të hapur dhe flagrant me shkronjën “a” të pikes 1 të nenit 20 të Kodit Zgjedhor, e cila ngarkon ekskluzivisht Rregullatorin me kompetencën rregullatore në fushën e zgjedhjeve.

Për të gjitha arsyet e parashtruara më sipër shprehem kundër vendimit të marrë nga shumica e anëtarëve të KAS-it. Në vlerësimin tim, bazuar në rrethanat e çështjes, vendimi i drejtë dhe i ligjshmë për KAS-in duhet të ishte:

1. Të konstatojë pavlefshmërinë absolute të vendimit nr. 193, datë 31.3.2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për caktimin e partive politike që do të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave, për zgjedhjet për kuvendin të datës 25 prill 2021”.

2. Komisioneri të zhvillojë procedurat e shortit, sipas përcaktimeve të neneve 96 dhe 183 të Kodit Zgjedhor me subjektet që e gëzojnë këtë tagër sipas ligjit, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet.

 

1 komente në “Ilir Rusmali: Pse komisioneri i katërt duhej ndarë mes LSI dhe PDIU”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje