Champions League: PSG fiton mes spektaklit në Mynih, Chelsea me një hap në gjysmëfinale

PSG dhe Chelsea fituan ndeshjet e para të raundit çerekfinal të Champions League. Suksese fantastike në transferta për kampionët e Francës dhe “Blutë e Londrës”, që triumfuan 2-3 dhe 0-2 përballë Bayern Munchen dhe Portos.

Bavarezët dominuan në çdo aspekt, por PSG shënoi një gol më shumë dhe fitoi takimin e parë çerekfinal të Champions League. Kampionët e Francës triumfuan 2-3 në Bavari, duke u “hakmarrë” për humbjen në finalen e sezonit të kaluar, edhe pse kualifikimi nuk është arritur akoma.

Sfida nisi e zjarrtë. Vendasit goditën traversën me anë të Choupo-Moting në minutën e dytë, teksa PSG kaloi në avantazh në aksionin pasardhës. Kundërsulm i shpejtë i francezëve, vendosje e gabuar e mbrojtjes, asist i Neymar dhe finalizim i Mbappe, i cili përfitoi edhe nga një pasiguri i Neuer.

Draxler gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 12-të, por gjermani i PSG-së ishte në pozicion të parregullt. Bayerni ndërroi marsh dhe po dominonte, por një gafë në prapavijë në minutën e 28-të solli golin e dytë të skuadrës udhëtuese.

Sërish asist i Neymar dhe gol i thjeshtë për brazilianin Marquinhos. Nëntë minuta më vonë, Bayerni u rikthye në lojë. Choupo-Moting shfrytëzoi një kros të Pavard dhe realizoi me kokë. Kaq për pjesën e parë, teksa ekipi i Flick gjeti barazimin pas një ore lojë.

Thomas Muller devijoi saktë me kokë një kros të Kimmich, por kampionët në fuqi të Evropës e pësuan sërish nga Mbappe tetë minuta më vonë. Ekzekutim fantastik i yllit francez, i cili riktheu në avantazh sërish skuadrën e tij.

Bayerni tentoi deri në fund të shmangte disfatën, por nuk ia doli të dërgonte topin në rrjetë pavarësisht rasteve të krijuara. Përfundimisht 2-3 për PSG, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më datë 13 prill në kryeqytetin francez.

NDESHJA TJETËR – Porto është një ekip i vështirë për t’u mundur, por Chelsea ia ka dalë në Portugali me rezultatin e pastër 0-2. Skuadra e Tuchel e kontrolloi topin, por vendasit ishin më të rrezikshëm në kundërsulmet e tyre.

Gjithsesi cinizmi i tyre nuk ua dha golin e avantazhit. Chelsea, me gjuajtjen e parë në portë, arriri ta zhbllokonte ndeshjen. Masoun Mount, pas një marrje fantastike të topit, me një goditje në hyrje të zonës e bëri portierin kundërshtar të dorëzohej.

Me Chelsean që komandonte dhe Porton që tentonte të shënonte vazhdoi loja deri në minutën e 85-të, kur një prej mbrojtësve vendas gaboi dhe Ben Chilwell nuk fali, duke shënuar edhe golin e dytë që e afron skuadrën londineze pranë gjysmëfinaleve të Champions League.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *