Rikthimi pas 30 vjetësh i “sindikalizmit” politik në Rinas

7 Prill 2021, 20:45Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Shumë të rinjve që kanë lindur pas 1990 në Shqipëri, u është dashur ndoshta që të futen sot në Wikipedia, për të konsultuar domethënien e fjalës sindikatë. Në media dhe rrjetet sociale, sindikata dilte që ishte organizatorja e bllokimit nga ana e AlbControll në Aeroportin e Rinasit, të trafikut ajror në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Habia u rrit kur pas shumë dekadash, shqiptarëve po u thuhej se edhe në këtë vend, ekzistokan grupet e vetorganizuara të punëtorëve që bëjnë ujdi me punëdhënësit, për çështjet e pagave dhe të kushteve të punës. Sepse në këto 30 vjet, krerët e sindikatave përmendeshin publikisht vetëm kur akuzoheshin për çështje të korrupsionit në keqmenaxhimin e pronave të dikurshme të punëtorëve.

E si për ta shtuar akoma edhe më shumë paqartësinë në këtë pikë, në vend të Kryetarit apo drejtuesve të kësaj Sindikate të pretenduar, gjatë gjithë kohës fliste në emër të tyre vetëm një… avokat. Siç dihet avokatia është një profesion i lirë juristësh, të cilët paguhen, vetëm e vetëm për të mbrojtur interesat e klientëve të tyre. Ndaj të mbrohesh si sindikalist dhe të flasësh si avokat nuk është e njëjta gjë, por janë dy gjëra krejt të ndryshme, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Çka të lë një shije jo të mirë për qëllimin e vërtetë të kësaj greve.

Nuk është fjala këtu thjeshtë dhe vetëm se Sali Berisha, Ilir Meta e Lulzim Basha vrapuan që ta politizojnë, duke luajtur fijet nën rrogoz, për të nxitur e keqpërdorur politikisht kërkesën e kontrollorëve të trafikut ajror për pagë mbi 4400 dollarëshe në muaj. As për argumentat qesharake se ata janë të stresuar pasi marin “vetëm 2490 dollarë pagë në muaj” në një vend ku paga minimale është sa 1/10 e kësaj shume.

Nuk është puna se janë takuar apo nuk janë takuar më parë, kontrollorët apo një përfaqësi e tyre me Presidentin e Republikës, i cili është prej mujash në fushatë elektorale për zgjedhjet e 25 prillit në funksion të partisë së tij politike Lëvizja Socialiste për Integrim. E aq më pak, se ndonjëri është vëllai i njërës prej eksponenteve kryesore të PD, apo tjera është kushërira apo jo e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Mendja të shkon diku tjetër, kur e mendon se jo shumë larg nga Aeroporti i Rinasit ku është duke u luajtur kjo komedi e zezë në një objekt me rëndësi të veçantë për Sigurinë Kombëtare, 30 vjet më parë në emër të sindikalizmit u sajua një tjetër grevë. Ishte greva e famshme e minatorëve të Valiasit, e cila paralizoi jetën social- ekonomike të vendit, duke detyruar rrëzimin e një qeverie socialiste me në krye Fatos Nanon dhe duke i hapur rrugën krijimit të një qeverie stabiliteti.

Historia dihet tashmë, që këto sindikata pasi u arrit qëllimi politik për ardhjen në pushtet të PD dhe pas zgjedhjes së Sali Berishës President Republike u shkrinë, bashkë me sistemin ekonomik komunist. Ato thirreshin gjithnjë e më rrallë në apel nga vetë demokratët, si Azem Hajdari, sa herë që lideri i dhjetorit donte që të rrëzonte qeverinë e tij me Kryeministër Aleksandër Meksi, për ti bërë presion maksimal vetë Kryetarit të Shtetit.

Përdorimi i sindikatave nga ana e drejtuesve të PD, si masha për të nxjerrë nga zjarri prushin për nevojat e tyre politike të ditës, u shua me kalimin e viteve sepse drejtuesit e tyre, nuk kishte se kush ti ndiqte nga pas. Ndaj ato u bënë pjesë e historisë, duke i bërë një shërbim tmerrësisht të keq, sindikalizmit dhe kulturës sindikale në Shqipëri.

Atëherë kishim drejtues sindikatash, por nuk kishim më anëtarë, ndërsa sot u tha se paska anëtarë por nuk pamë asnjë drejtues sindikate që të fliste në emër të punonjësve të AlbControll. Nëse do të kishte realisht një vetogranizim të tillë dhe nëse kontrollorët do të ishin realisht të stresuar për pretendimet e ngritura, kjo që po ndodh sot, duhej të ndodhte të paktën dhjetë muaj më parë.

Fakti se këto pretendime po ngrihen tani dhe jo atëherë kur interesat e tyre u cënuan, dëshmon se bllokimi i trafikut ajror vetëm 2 javë përpara zgjedhjeve, është një akt thellësisht politik në funksion të lojës së opozitës. E cila beson se fushata e vaksinimit masiv të shqiptarëve, që po realizohet përmes ardhjes së vaksinave nga Rinasi, mund ti japi fitoren e mandatit të tretë Edi Ramës.

Më e vërtetë se kjo, është diçka tjetër: Ujërat politike përmes sindikatave, ashtu si në teorinë e propabilitetit, nuk kalojnë dy herë sipas të njëjtit skenar. Ndaj humbja e opozitës pas kësaj, për shkak edhe të urrejtjes që po mbjellin tek qytetarët e thjeshtë që dinë shumë mirë që ta kuptojnë këtë lojë, është më e sigurtë dhe më e thellë!

3 komente në “Rikthimi pas 30 vjetësh i “sindikalizmit” politik në Rinas”

  1. Rezi says:

    Kjo eshte shume e vertete.

  2. zara says:

    Sindikatat e pavarura, që ishin të varura komplet nga PD-ja, shkatërruan fjalën e lirë, mendimin e lirë. Prandaj nuk besohet kjo se avokati nuk mund të jetë sindikalist, ai zbaton ligjin e jo shkel ligjin. Për këtë duhet të ndëshkohet.

  3. Jam 100% i bindur se kjo ngjarje e shemtuar per vendin tone ne sy te botes, duke shkelur sigurine kombetare eshte veper e Sali Berishes ne bashkpunim me Ilir Meten per te rrezuar qeverine. Jane frymezuar edhe nga greva e urise se minatoreve ne vitin 1991apo 1992 per te rrezuar Fatos Nanon,por i kane bere llogarite pa hanxhine. Athere ishte situate tjeter ,ku edhe nderkombetaret e donin largimin e Nanos. Po kjo merseleja e krijuar nga Saliu dhe Ilir Meta eshte sa idiote aq dhe ashiqare.
    Kjo eshte nje rast i paprecedent si largimi i opozites nga parlamenti. Saliu i urdheroi jo ate dite qe u larguan,por e kishte shprehur me pare,se do te largohemi nga parlamenti. Aresyja ishte se Ps-ja nuk degjon te veproi si themi ne. Dolen,por deshtuan, sepse jo vetem tre -kater deputet te opozites nuk dorezuan mandatet,por te tjere qe prisnin radhen u rreshtuan e moren mandatet. Mos funksionimi i parlamentit deshtoi. E quajten jo legjitim,por e pranoi ligjimitetin edhe nderkombetaret. IU drejtuan demostratave deri ne perdorimin e molotoveve, jo pak ,por 6 -te muaj me radhe , u ngjiren duke thirrur ” Rama ik” , u shtyne e u shtyne sa u rane edhe breket, por perseri ideollogu Sali dhe firmetari Ilir ,erseri deshtuan. Ne demostraten e para nje jave kur do te mbaheshin zgjedhjet lokale ( 30 qershor ) I madhi president shpalli anullimin e zgjedhjeve. Sic e dim edhe ketu deshtuan,sepse edhe bota tha: ” vazhdoni zgjedhjet,ne do ti njohim. Mos valle bota nuk e dinte se cilat ishin planet e Saliut dhe Metes qe pranuan zgjedhjet ? Tani duke pare se perseri po deshtojne dhe humbasin, e aq me keq LSI po shkrihet,u shkoi ndermend kjo puna e stresit tek punonjesit e Rinasit. C;udi ?!!!! Stresi qenkerka semundje ngjitese dhe i kaperka te 70 e kusur kontrolloret per nje here.. Ma do mendja se kete studim e ka bere Saliu per te marr cmimin nobel. Si ka mundesi qe stresi i kapi tani , dy jave para zgjedhjeve ? Tani qe populli po vaksinohet ne menyra masive e kryeministri ,e gjithe mjeksia po merr falenderimet nga populli, kur ne fier po perfundon nje spital moderrn ? Eh mor doktor vdekja,Sali Berishe , dhe ti o i stresuari Ilir perseri deshtuat. PO si nuk vajte te nxirje pasagjeret jashte aeroportit ,more president ,ashyisi vajte tek zyra e Sali Shehut ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje