Vaksinimi, Sejko: Shpresë për rikthimin në normalitet këtë vit

10 Prill 2021, 09:08Ekonomia TEMA

“Progresi i vaksinimit të popullsisë jep shpresë për rikthimin e situatës në normalitet gjatë vitit 2021”.

Këto zhvillime, vuri në dukje më tej Guvernatori Sejko, rrisin gjasat e rikuperimit gradual, por të vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik në horizontin afatmesëm.

Sidoqoftë, përllogaritjet e parashikimeve makroekonomike janë të varura veçanërisht nga kohëzgjatja e pandemisë.

I pranishëm në Mbledhjet e Pranverës të FMN dhe të Grupit të BB, në të cilat marrin pjesë çdo vit, guvernatorë të bankave qendrore dhe ministrat e Financave të vendeve anëtare, si dhe drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, u ndal në masat e ndërmarra nga institucioni që ai drejton përgjatë vitit pandemik, në përgjigje të situatës së krijuar.

Rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi, ishin disa nga masat e ndërmarra.

Sektori bankar, vuri në dukje Sejko, që nga fillimi i pandemisë ka vijuar pa asnjë ndërprerje aktivitetin normal dhe ka qëndruar i gatshëm të japë kontributin e nevojshëm për përballimin dhe tejkalimin e situatës së krijuar. Ai shtoi se aktualisht sistemi paraqitet me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti.

Rritja e kreditimit ka vazhduar, duke ndihmuar kështu me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe mbështetur vijimin e investimeve, ndërkohë që cilësia e portofolit ka vijuar të jetë e qëndrueshme, ku raporti i kredive me probleme është aktualisht në nivelin 8.15%.

Fluksi pozitiv i kreditimit të ekonomisë ka qenë thelbësor në zbutjen dhe përballimin e nevojave financiare të biznesit. Si sektori publik, edhe ai privat, kanë ruajtur aksesin në tregjet financiare ndërkombëtare.

FMN Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore vlerësuan se qëndrimi i politikës monetare ka qenë dhe mbetet i përshtatshëm, duke ofruar stimujt e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike.

Gjithashtu, kontributi i dhënë nga autoritetet shqiptare për menaxhimin e goditjes së pandemisë në ekonomi, veçanërisht nëpërmjet harmonizimit të politikës fiskale me atë monetare, ka ndikuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe krijimin e kushteve për rifillimin e rimëkëmbjes ekonomike.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore shtuan se politikëbërësit duhet t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë periudhës së tranzicionit të postpandemisë, duke i përshtatur politikat e tyre makroekonomike në mënyrë që të sigurohet dhe garantohet stabiliteti makroekonomik, qëndrueshmëria dhe rimëkëmbja graduale e ekonomisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje