PD-ja nuk ngrihet dot si Feniksi por nga sinqeriteti i të mirës!

21 Qershor 2021, 18:45Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Procesi i analizës në PD po nis në një mënyrë shumë origjinale dhe duhet vlerësuar. Me një metodologji mirëfilli shkencore, një shenjë vlerësimi për hartuesin, ajo do synojë të bëjë për herën e tretë radhazi analizën e humbjes. Duket se tre drejtues të PD-së, në kupolën drejtuese të këtij institucioni, rrezikojnë seriozisht megjithë angazhimin e tyre. Rrezikon disi Gazmend Bardhi, si drejtues i Qarkut të Elbasanit; ai i Korçës Edmond Spaho; dhe po ashtu Edi Paloka për Durrësin, për shkak se objektivat e tyre nuk shkuan me pritshmëritë e kryetarit Basha.

Kjo e bën jo normale garën sepse në rast se do të flitet për “Masakër zgjedhore”, atëherë çfarë mund t’i kërkosh drejtuesve, kur thua se zgjedhjet u vodhën. Në zgjedhjet e ardhshme pritet që strukturat të heqin ish-kreun e Këshillit z.Nishani, që ka qenë më kritiku ndaj kryetarit. Në një farë mënyre duke treguar dhe analizuar qartë, në nivelin e tij politik dhe moral, se zgjedhjet e PD-së ishin vetë një masakër zgjedhore. Veçse nuk ka asnjë fjalë për ish-kryetarin Berisha dhe qëndrimin ndaj tij dhe kjo e bën iniciativën e analizës shumë rutinore.

Të largohemi pak nga referimi i drejtpërdrejtë dhe të shkojmë tek një legjendë që e përdorin partitë që e shikojnë me sy sinqeriteti ringritjen. Legjenda e Feniksit, zogut jetëgjatë, përmendur në mitologjinë greke, por që i gjenden kudo përngjasime, tregon se Zogu Legjendar rilind në mënyrë ciklike ose përtëritet gjithnjë ndryshe. I lidhur me diellin, një feniks fiton jetë të re duke dalë nga hiri i paraardhësit të tij. Por legjenda shtyhet edhe më tej kur i gjejnë fatin se Zogu vdes në një shfaqje flakësh dhe djegies, të tjera në kultura të ndryshme se ai thjesht vdes dhe zbërthehet para se të lindë përsëri.

Feniks përbën zogun mitik, simbol të shpresës, ripërtëritjes, rilindjes, pavdekësisë, ringjalljes, vetmisë dhe hirit. Ashtu si feniksi del nga hiri i saj, kështu mund t’i ndodhë edhe njeriut pas shkatërrimit dhe humbjes.

Lulzim Basha megjithë seriozitetin e marrë duket se është larg kësaj alegorie. Ai nuk ka rilindur nga hiri i dikujt, ai vazhdon të bëjë monotoninë e një zogu jetëgjatë, por që kurrë nuk mund t’i ngjajë Feniksit. Ai është tejet vegjetativ dhe nuk doli kurrë nga metafora e hirit të Berishës. Në të gjithë narrativën politike, Edi Rama, kundërshtari i tij politik e ka tejkaluar duke ia bërë kauzat e vdekura. “Çadra”, “Xhafa”, “Astir”, “Teatri”, nuk do harrohen kurrë për qasjen e dobët të tij dhe mbi të gjitha alternativat e pambrojtura. Edhe pse në të gjitha ai ka ofruar deri sakrificën sublime, që ka rezultuar thjesht një metaforë bajate sesa një qëndrim.

Ndaj, për keqardhjen e të gjithëve, analizën nuk mund ta nisë dhe drejtojë personazhi që i faturohen humbjet, veçse ndoshta baza dhe drejtuesit si Leskaj i Vlorës; të Veriut; e të tjerët përreth vendit; por edhe këta të tre që përfliten duhet të kalojnë në një skaner nga poshtë lart, vetë institucionin e Partisë Demokratike. Ky proces që po shkruajmë mbase është hipotetik.

Dhe, në kategorinë e të mirës dhe të keqes te “Rëndesa dhe hiri”, Simone Weil e thotë ndryshe se: “Të mirën e njohim vetëm duke e kryer. Të keqen e njohim vetëm duke e ndaluar veten ta kryejmë, ose nëse e kemi kryer duke u penduar. Kur bëjmë të keqen, nuk e dimë, sepse e keqja i ikën dritës”.

Një koncept filozofik që mund të duket bezdisës por që na rrëfen një të vërtetë: Duhet të jemi të mirë por mbi të gjitha duhet të jemi të drejtë, pikërisht atë që nuk e pamë dot në zgjedhjet për kryetarin e PD-së. Lulzim Basha duhet të jetë i drejtë dhe ta shikojë veten tek e mira, kategori që i ka humbur si koncept. PD-ja nuk e ka forcën me këtë kryetar të ringrihet si Feniksi, por mund të ngrihet nga sinqeriteti që do të tregojë, ndoshta edhe Basha, nëse realisht e do ndryshimin kapilar. (Javanews)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje