Janë të frymëzuar nga rikthimi i talebanëve në pushtet!

17 Gusht 2021, 20:27Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Një dalldi e re ka shpërthyer në rrjet nga ana e opozitarëve tanë, që duken të frymëzuar nga rikthimi i talebanëve në pushtet në Afganistan, duke e përkthyer siç do ua kishte qefji në kushtet shqiptare. Janë duke e projektuar të gjithën këtë në atë lloj mënyre, sa u duket se e kanë tashmë shumë më të lehtë, që ta “legjitimojnë” publikisht frymën e tyre antiamerikane në vendin më proamerikan të planetit.

Mjafton të shihni sesi po postojnë me zell çdo lajm, koment e qëndrim ku kritikohet Administrata e Presidentit Joe Biden për tërheqjen nga Afganistani dhe mbështetjen që u dhanë forcave progresive në Kabul, për të kuptuar se sa shumë do dëshironin të shkruanin nën të njëjtën frymë edhe për qasjen që ata kanë aktualisht në Shqipëri. Nëse u hedh një sy mediave tona opozitare, duket sikur më shumë hapësirë kohore po i jepet zhvillimeve në Afganistan prej tyre, sesa nga gjigandët botërorë të informimit.

E gjitha kjo e ka një shpjegim edhe për të qarë edhe për të qeshur si vijim i një tradite mjerane, kur propaganda e së djathtës sonë në pamundësi për të arritur ndonjë fitore elektorale vetë, i trumbeton ato kudo që të ndodhin nëpër botë si të ishin triumfet e saj në Shqipëri. Këtë radhë duke e patur hallin më të madh se herët e tjera, për shkak të ultimatumit të SHBA për mosfutjen e Sali Berishës në shtator në Parlament, janë gati që ta gëzojnë si të tyren edhe ritkhimin e talebanëve në pushtet në Afganistan!

Janë gati të thonë me gojën e tyre plot, sesa shumë gabim e ka Departamenti Amerikan i Shtetit edhe në Shqipëri, që e shpalli Sali Berishën dhe familjen e tij “non grata”. Se ashtu siç dështuan duke mbështetur një qeveri pro perendimore, demokratike e progresive atje, po njësoj do dështojnë edhe në Tiranë, duke mbështetur mazhorancën socialiste. E pavarësisht qëndrimit të prerë kundër lideri të tyre historik, ata do të triumfojnë një ditë duke ia thyer hundët Amerikës, derisa ti detyrojnë që të tërhiqen me turp siç u ndodhi këto ditë edhe në Afganistan!

Kanë marë aq shumë zemër për këtë, janë aq shumë të frymëzuar, sa pushtimin e pallatit presidencial në Kabul janë gati ta zëvendësojnë në mendjen e tyre me skenat e grushtit të shtetit që realizuan më 14 shtator 1998 në Tiranë, kur përdhosën zyrën e Kryeministrit socialist Fatos Nano dhe pushtuan godinën e Radio Televizionit Publik Shqiptar prej nga ku shpallën edhe fitoren e tyre të madhe.

E si për tia vendosur vulën të gjithën kësaj, sot në faqen e tij në facebook, Sali Berisha postoi një video të vjetër teksa nga foltorja e Parlamentit dëgjohet të thotë: “Jam Sali Berisha o budallenj, nuk tërhiqem unë o budallenj, jam Sali Berisha o çakej, që flisni si çakej, e dini si më dukeni mua, plehra më dukeni, se të tillë jeni, para Interesit kombëtar nuk njoh askënd tjetër, snjoh asgjë unë”.

Një pjesë e mediave e komentoi këtë si një “mesazh” që Sali Berisha po i jep SHBA, për të mos u tërhequr nga vendimi i tij i bërë publik tashmë për tu futur në shtator në Parlament, pavarësisht kërkesës së ambasadores Yuri Kim për të kundërtën nga oborri i SHQUP.

“Do të ishte një ironi historike, por edhe tragjike nëse Partia (Demokratike) do të duhej të hante bar për hatër të një deputeti të saj”,- deklaroi atë ditë kryediplomatja amerikane. Por me sa duket, askush nuk ka më fuqi brenda opozitës, që ta kthejë mbrapsht këtë realitet që po e çon atë drejt një përplasje të re e të pashmangshme me aleatin tonë strategjik.

Ndryshe nga herët e tjera, të mbushura përgjatë këtyre 30 viteve me plot shembuj përplasjesh të vogla e të mëdha, kjo e kësaj radhe duket të jetë lufta finale. Ose në Shqipëri do të fitojë SHBA, ose do të fitojë Sali Berisha, rrugë të mesme nuk ka. Duke e kuptuar këtë, antiamerikanët e Tiranës janë gati të ngazëllehen jo vetëm pas çdo lajmi që i ndihmon të gjenjë një sebep për të sulmuar Edi Ramën, por edhe pas çdo zhvillimi që lexohet si dështim i SHBA kudo në botë.

Duken aq të frymëzuar nga rikthimi i talebanëve në pushtet në Afganistan, sa po gëzojnë, si të ishte fitorja e tyre e munguar në zgjedhjet e 25 prillit. U duket sikur janë ata vetë që sapo kanë fituar mbi mazhorancën socialiste, mbi Edi Ramën, mbi Donald Lu, Yuri Kim, Antony Blinken, Joe Biden dhe SHBA.

Është mënyra tipike të funksionuarit të humbësve të përjetshëm, që meqenëse nuk do ia dolin dot asnjëherë vetë, janë gati që ti festojnë si të tyret fitoret e kujtdo tjetri. Përfshi edhe atë të talebanëve!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje