Fjalëkryqi i arqipelagut opozitar në zgjedhjet e 6 marsit

28 Janar 2022, 17:11Politika TEMA

Nga Ylli Pata

Përfaqësuesit e partive të vogla të opozitës, Dashamir Shehu, Agron Duka, Fatmir Mediu edhe Nard Ndoka, kanë ngritur tezën e një kandidati të përbashkët të opozitës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Një apel që nuk se ka gjetur një terren pjellor përveç, qëndrimit të grupit të Berishës se do të zhvillojnë “primare” për të zgjedhur kandidatin.

Ende nuk dihet, nëse primaret do të zhvillohen për kandidatët e ardhur nga njerëzit e “Komisionit të Rithemelimit” apo do të përfshijnë në votim, edhe kandidatët e partive të vogla, apo edhe ato të LSI-së, që sipas gjasave do të jetë në garën opoitare për 6 bashkitë.

Me këtë konfiguracion, kemi një “arqipelag politik” opozitar që si bazë ka “ishullin” zyrtar të PD-së së Bashës, e ujdhesat e vogla, ku më të zhurmshmet janë ato të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Këtu ka një zhvillim mjaft të qartë: PD-ja e Lulzim Bashës nuk pranon komunikim me grupimin e Berishës të cilin e ka përjashtuar, dhe ky i fundit e ka përjashtuar më përpara Lulzim Bashën dhe drejtuesit e PD-së.

Pra, nga partitë e vogla, do të duhet të zgjedhin se me kë do të bëhen aleatë, ngaqë dy grupimet e mëdha të opozitës nuk komunikojnë me njëri-tjetrin, sidomos pas 8 janarit.

Megjithatë, edhe në gjirin e partive të vogla kemi qëndrime të ndryshme; Nard Ndoka është një kundërshtar i qartë i Lulzim Bashës dhe përkrahës i Berishës, Agron Duka, duket më i distancuar nga Basha, megjithëse nuk është shprehur si kundërshtar, e është më i afërt me Metën dhe qarqet pranë Berishës.

Vangjel Dule. Duket i painteresuar, edhe se zgjedhjet nuk prekin rrethin e tij të rrezes politike të interesit. Shpëtim Idrizi dhe PDIU, i cili si në Durrës, ashtu edhe në Rrogozhinë ka një historik electoral, megjithatë ka një heshtje dhe një mos angazhin në luftën brenda PD-së.

Ndërkohë LSI-ja po flet vetëm me zërin e Ilir Metës, ngaqë edhe Monika Kryemadhi si kryetare de fakto, edhe Petrit Vasili tashmë nuk po ndihen. Duket se jemi në një operacion krejt të ri të ngjizjes së LSI-së së Metës me “sovranistët” e opozitës.

Juridikisht ky operacion ende nuk po kuptohet, pasi Meta përveç “kodeve poetike” nuk ka shpallur asnjë ide, vision të formacionit të ri politik. Edhe sot, por edhe në daljet mediatike paraardhëse ai thjesht shantazhon Edi Ramën se do i recitojë një  këngë që kryeministri e ka shkruar në adoleshencën e tij. E famshmja “Ina, ina, hiqi brekët!”. Por kjo sjellje, përveç material për faqet e memeve, asgjë politike nuk ka.

Dhe realisht nuk ka si të ketë;, ngaqë Lulzim Basha, keq apo mirë, ka në dorë “edhe gurin edhe arrën” politike të opozitës shqiptare.

Nëse Berisha dhe Meta do ta sfidojnë PD-në zyrtare në zgjedhjet e pjesshme, Basha i ka të gjitha mekanizmat që të kthejë në pluhur tentativat për ta ndarë votën opozitare.

Shembulli? 25 prilli! Jozefina Topalli, e cila në Shkodër për disa vite që kur u përjashtua nga Basha tregoi se ka mbështetje në struktura, në momentin kur kandidoi përballë PD-së mori vetëm 1 mijë vota në të gjithë qarkun.

Kjo sjellje tashmë është një aksiomë që e ka përjetuar çdo faktor politik që është ndarë nga partitë e mëdha. Shembulli i Ilir Metës në 2005-ën ishte thjesht i përkohshëm, e ku u rrëzua sapo në 2009 bëri aleancë me Sali Berishën.

Lulzim Basha, me largimin e Berishës, ka arritur vetëm një fazë të autonimisë së tij, tani i duhet të jetë i qartë se si do sillet me ishujt e tjerë të opozitës. Politikat alla kineze “një shtet dy sisteme”, pra Basha është Kina e Berisha me Metën, Tajvani, e partitë e vogla Hing Kongu, nuk se pinë ujë…

 

2 komente në “Fjalëkryqi i arqipelagut opozitar në zgjedhjet e 6 marsit”

  1. rexha 10 says:

    ASNJERI NUKE ESHTE KUNDERSHTARE NE DREJTIMIN E PARTIVE .ATA JANE TE GJITHE NJESOJ ,PORE TE KRIJOHET PERSHTYPJA SA PO KUNDERSHTOJNE NJERI TJETERIN NE PARLAMENTE ,APO KONFERENCA SHTYPI ,PER TE MBROJTUR NDONJE IDE TE DHENIVE ME KONCESION TE NDONJE AKTIVITETI PUBLIKE PRIVATIT . E VETMJA GJE QE U INTERESONE ESHTE VETEM INTERESAT EKONOMIKE .
    A nuke e shikoni qe te gjithe ministra ,deputete ,kryetare bashkishe ,drejtore te istitucioneve publike ,prokuroret ,gjykatesit ,hetusit ,e shume te tjere jane te gjithe me bizneset e tyre . NAJERI KA GRUAN ,TJETERI KA BURRIN ,NJERI KA VJERRIN ,TJETERI KA VJERREN NJERI KA BAXHANAKUN ,TJETERI KA DJALIN E TEZES ,TE HALLES ,TE XHAXHAIT etj PRA PAZARET I BEJNE POSHTE TAVOLINAVE NEPER HOLLE ,DHE POTERET I BEJNE NEPER PARLAMENTE ,DHE PROTESTA.

  2. Pilo Lala says:

    Kemi shpresa qe keta te bashkuar i marrin 2-3 Bashki.
    Ruhu Edi se keta jane uragan si Mandi NISH Tulles.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje