FOTOT: Shtegu për në Kalanë e Dajtit, destinacioni për të apasionuarit e natyrës

23 Shkurt 2022, 09:29Turizëm TEMA
FOTOT: Shtegu për në Kalanë e Dajtit, destinacioni për

Shtegu për në Kalanë e Dajtit është nga më të frekuentuarit nga turistët e apasionuar pas natyrës dhe aventurës.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka publikuar fotogaleri me pamje nga Shtegu për në Kalanë e Dajtit.

Kjo kala ndodhet në tarracën detare të Dajtit në lartësinë 1200 m mbi nivelin e detit, në shpatin perëndimor të malit të Dajtit. Rrënojat e saj gjenden mbi një majë në të djathtë të rrugës që të çon nga Qafa e Priskës për në fushën e Dajtit.

Kjo kala mendohet të jetë një nga kalatë e rindërtuara nga perandori bizantin Justiniani I (527- 566) dhe i përket gjysmës së shekullit VI. Ajo ka një sipërfaqe prej 1.12 ha, dhe në pjesën më të madhe të saj ajo është mjaft e pjerrët. Muret kanë qenë të detyruar të ndjekin formën e kodrës, duke formuar një trekëndësh i cili është forcuar në tre këndet me nga një kullë të rrumbullakët.

Trashësia e mureve është e lidhur me cilësitë mbrojtëse të terrenit, atje ku terreni është shumë i pjerrët dhe jepte mundësi mbrojtjeje ishte një mur jo i trashë, ndërsa në vendet më pak të pjerrëta ekzistonte një mur i trashë.

Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje, por jo i vetmi, ka qenë mbrojtja e dy qafave që gjenden në dy anët e malit të Dajtit. Nga zbulimet e bëra vërtetohet ekzistenca e një numri banesash si dhe se aty prodhohej qeramikë dhe shkrihej metal.

Në mure dallohen dy duar ndërtimi: njëra me gurë të mëdhenj katërkëndësh të palidhur midis tyre që i përkasin ndoshta një kalaje ilire të mëparshme dhe tjetra me gurë të vegjël të palatuar dhe të lidhur me llaç që i përkasin kohës së vonë romake.

1 komente në “FOTOT: Shtegu për në Kalanë e Dajtit, destinacioni për të apasionuarit e natyrës”

  1. informacion says:

    Sipas studimeve, emri i keshtjelles eshte TYHRAN.
    Megjithate ende i pavertetuar plotesisht!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje