Muli analizon ku çaloi protesta 

13 Nëntor 2022, 19:07Antena TEMA

Pas mungesës së pjesëmarrjes dhe sidomos mungesës së entuziasmit të njerëzve që morën pjesë në protestën e 12 nëntorit, Muli u përpoq të analizonte me Lelon se ku çaloi puna.

-Unë mendoj se problemi i pjesëmarrjes u shkaktua ngaqë ne paralajmëruam dhunë dhe sulm në Kryeministri, tha Lelo.

Doktori tha Rama të gjejë vend të futet, Paloka tha do marrim Kryeministrinë.

Atëhere njerëzit u tremben, thanë qenka luftë dhe nuk kanë ardhur.

-Këtë nuk e themi dot, tha Muli, se mërzitet Doktori.

Por është për t’u analizuar.

-Unë mendoj se ka vlerë si statistikë, tha Lelo.

Marrim numrin e njerëzve që ishin më 7 korrik dhe bëjmë diferencën me 12 nëntorin.

Aq vetë sa mungojnë, është shifra e demokratëve që besojnë çdo gjë që thotë Doktori.

-Jo, tha Paloka, nuk është e qartë. Doktorin e besojnë më shumë se aq.

Ajo është shifra e demokratëve që besojnë Doktorin, por nuk janë “demokratë që këpusin zinxhirë”, por frikacakë.

-Më mirë të themi që janë demokratë që besojnë Ed Palokën, tha Lelo.

-Jooo, tha Muli, se janë shumë për Palokën.

Paloka pa pas fare dhe nuk mbahet, jo t’i quajmë gjithë këta.

-Problemi i mungesës së entuziasmit mendoj se ishte ai zëri në autoparlant, tha Lelo, që thoshte Edi “Rama o hajdut, boll tani shko në burg”.

Ai dukej sikur i lutej. Madje një herë mu duk si zëri i Abit.

-Nuk besoj t’i ketë mërzitur kjo gjë, tha Muli.

Po ke të drejtë, ishte pak lutëse.

I kemi pas ndryshe ne në kohën tona me Fatos Nanon.

“Fatos Nano o legen, prit Berishën se po vjen/Do të çoj në Tepelenë”.

Kishte dhe rime, dhe kërcënim. Kjo ishte pa gjak.

-Po pra ky është problem, tha Lelo. Ishte sikur ta kishte bë Mond Spaho.

-Po ndonjë arsye tjetër që mund tua themi dhe demokratëve, se këto nuk ua themi dot, tha Muli?

-Demokratëve s’kemi çu themi, tha Lelo, se u kemi thënë që ishte miting i madh, se duhet të na vijnë prapë herën tjetër.

Puna është të mos i gënjejmë më që do marrim Kryeministrinë.

T’u themi që do prishim atë kërpudhën.

-As atë se prishëm dot, tha Muli. Hajd duro Lul Bashën tani.

Se ai të paktën ja theu kërpudhën.

-Këtë e justifikoj unë, tha Lelo.

Themi që nuk deshëm ta prishim vetë, se ai bën tender dhe e rregullon prapë.

Nuk duam të fitojë lekë nga ne.

-Epo mire, tha Muli. Ta kemi një justifikim të paktën.

Lini një Përgjigje