Muli diskuton me Lelon mbi Asamblenë e PS 

11 Shkurt 2024, 20:02Antena TEMA

Lelo që ka më shumë burime informacioni e thirri në kafe t'i jepte të rejat e fundit. 
-Është bërë takim me dyer të mbyllura i tha. Është diskutuar mbi këta që po dënon SPAK. Kryesisht për Ben Ahmetaj. 
-Hë çfarë kanë thënë? 
-Ça të them unë. Ishte ngritur një nga Berati dhe kishte thënë: SPAK-ut ju bëftë dita 1000 se po të ishte për ju, e latë fare luftën e klasave në mes. Shoku Enver nxirrte një grup armiqësor në 5 vjet, ju asnjë. Mirë që kemi SPAK. Unë propozoj të fshijmë me fshesë të hekurt çdo mbeturinë të këtij grupi armiqësor. 
-Po Rama çfarë ka thënë? 
-Rama ka thënë: atij i kam lënë SPAK, s'ka nevojë të lë dhe ty. 
Po tjetër, tjetër? 
-Tjetër kanë diskutuar se si do fitojnë zgjedhjet e ardhshme. 
-Po si do ti fitojnë? 
-Po ja shfrytëzojnë që ne jemi të përçarë. Dhe ata bëjnë sikur janë të përçarë për ne. Për shembull siç e ke vënë re, një grup deputetësh të tyre janë me Doktorin. Një grup tjetër janë me Lulin. Një grup tjetër janë me Dash Shehin. 
Dhe kishte plas debati i fort kë do mbështesin. 
Pastaj e kishte marrë fjalën Edi Rama. 
-Këtu nuk dua tifzllëk për grupet brenda opozitës tha. Duhet t'i respektojmë të gjithë njësoj. Nuk dua që njëri të jetë më shumë me Doktorin e më pak me Lulin apo anasjelltas. Duhet të jemi të paanshëm dhe të drejt në betejat mes tyre. Nuk duhet të mbështesim një grup kundër tjetrit se dëmtojnë rregullat e lojës brenda tyre dhe rrezikojnë që me mbështetjen tonë ndonjë grup të dalë fitues. Mirë është të mos dalë asnjë. 
-Qenka e thellë tha Muli. Dmth i vetmi rrezik për përçarje është të përçahen se kë duan më shumë nga ne? 
-Po tha Lelo. Por dhe aty nuk përçahen dreqin. Ruajnë eklulibrin. 

Lini një Përgjigje