Muli entuziast nga shfaqja e Metës si basketbollist 

25 Prill 2023, 18:58Antena TEMA

Pas imazhit të fundit të Metës me dy gishta lart duke gjuajtur një top basketbolli në kërkim të trepikëshit, Muli u bë entuziast dhe thirri Lelon t’i shpjegonte domethënien.

-Është mesazh sfidues, tha Lelo. 

E para, që po luajmë në fushën e Edi Ramës, pra po i marrim atij basketbollin, që e ka si identitet të tij dhe e dyta, po luftojmë për tre pikësh, nga ato gjuajtjet nga jashtë zonës drejt e në rrjetë.

-Puna është që Meta është shquar si peshëngritës, tha Muli, dhe s’ka as shtat të gjatë.

Si mund të jetë bindës për basketbollist.

-Po këtu është mesazhi, tha Lelo, që do bëjë tre pikë pa hy fare në zonën e Ramës.

D.m.th ka gjetur një plan si të fitojmë pa u përballur me Ramën fare.

Kjo është një mënyrë për të tërhequr vëmendjen nga beteja, për të mos u dhënë pikë.

A e pe si e devijova unë sot debatin kundër Belos?

I thashë posto një foto me gishtin e mesit lartë dhe të gjithë do merren me atë dhe jo me diplomën.

Ai u terrorizua dhe më tha si mund ta bëj këtë?

Bëje, i thashë, nëse do të shpëtosh nga sulmet për diplomën.

Unë hoqa pantallonat në studio para Edi Ramës vetëm të harrohej ajo e Teatrit që na e prishën.

Është në teorinë e komunikimit kjo.

Kur nuk e përballon dot një betejë, shpik një tjetër më të keqe.

-Tani e  kuptova, tha Muli, pse Meta ka dalë si  basketbollist.

Lini një Përgjigje