Muli i gëzuar që nuk ka më oligarkë të mëdhenj 

19 Nëntor 2022, 19:10Antena TEMA

Pas intervistës së fundit të Doktorit, ku hoqi çdo dyshim për ekzistencën e oligarkëve të mëdhenj në Shqipëri, Muli ndjeu një çlirim. 

I gëzuar po diskutonte me Lelon se tani mund të shkonin lirshëm të pinin kafe në Sheraton, se nuk i paragjykon njeri apo të blejnë shtëpi në Rolling Hills. 

-Doktori ka bërë një gjë të madhe, tha Lelo.

Me këtë që ka bërë, ka treguar se ai nuk bën akuza kot.

Kur biznesmenët janë njerëz korrektë, kur e respektojnë, edhe ai i respekton.

Të tjerët pastaj që nuk e respektojnë, që bashkëpunojnë vetëm me qeverinë, natyrisht që janë oligarkë. 

-Unë isha në siklet, tha Muli.

Sa herë shkoja aty për ndonjë kafe dhe zakonisht shkoj javën e parë të çdo muaji, kisha një lloj sikleti, se më shikonin njerëzit e thoshin çfarë do ky këtu.

Tani të paktën jemi të qetë. 

-Puna është që duhet të gjejmë disa oligarkë që t’ua themi emrat kur na pyesin në studio, tha Lelo.

Se problemin më të madh që kemi këto kohë, është ajo pyetja ‘na thuaj ca emra oligarkësh’.

Ngaqë nuk tha Doktori, nuk thonë as këta kandidatët e primareve.

-S’ka problem. Gjej unë nja dhjetë oligark që t’u lexohet emri, tha Muli.

Ka plot. Ja këta që ndërtojnë në Tiranë...

-Dakord, po kujdes se disa janë miq të Zenit dhe më ka thënë disa herë mos përmend emra pa më pyetur mua.

Kur nuk jam unë, më ka thënë, pyet tek marketingu i TV, se e dinë ata kush nuk është oligark.

-Po këta që ndërtojnë në bregdet?

-Edhe për ata më ka thënë që duhet të pyesim para se të themi ndonjë emër. 

-Po mirë atëherë, ulem një ditë me Zenin, shikoj kush nuk na ka paguar dhe shpallim një listë me oligarkë.

Kush paguan e heqim, që ta dinë dhe rregullin dhe të nxisim konkurrencën për të na paguar.

-Kjo po, tha Lelo. Kjo funksionon.

Lini një Përgjigje