Muli i paqartë me Spahon për dallimin mes gomarit dhe gomaricës 

24 Nëntor 2022, 19:17Antena TEMA

Seanca e sotme e debatit në Kuvend e futi Mulin në telashe.

Nga konsultimet e tij me Lelon rreth mënyrës se si deputetët e mbështetën Doktorin, doli se Lelo ishte shumë i pakënaqur për diskriminimin gjinor që ekziston në mentalitetin e Mond Saphos.

Gjatë replikës me Edi Ramën, kur ai citoi gomaricat e Konicës, Spaho protestoi duke deklaruar: “Të paktën të na quante gomerë, se gomerët bëjnë një punë”.

Lelo tha se kjo ishte një gafe e pakorrigjueshme.

E para kishte reaguar Albana, e cila i kishte kërkuar Lelos që të ndërpritej transmetimi live në Facebook i Spahos, pasi ky ishte diskriminim gjinor.

-Nuk e kuptoj se çfarë pune bëjnë gomarët dhe pse gomarica nuk bën asnjë punë.

Të dy mbajnë të tjerët në kurriz, kurse gomarica mban dhe gomarin”, tha Albana.

-Ky është skandal. Kjo tregon se ai ka urrejtje për seksin femër, tha ajo.

Muli ishte plotësisht dakord me Lelon.

Madje ai shtoi se në fshatin e tij ka një fermë gomaricash që bëjnë qumësht, i cili shitet shumë shtrenjtë.

-Gomarët se bëjnë dot këtë, tha ai.

Të dy ranë dakord që Spahos t’i tërhiqet vërejtje për këtë gafë.

Pas pak e thirrën Spahon dhe ja komunikuan vendimin. 

-Ndërhyrja jote është shumë pa takt, i tha Muli.

Ti duhet të kërkosh ndjesë pasi ke reflektuar një mizogjeni në favor të gomarëve kundër gomaricave.

Kemi dhe gra në grup e fyen. Plus që vet Doktori është partizan i barazisë gjinore dhe në këtë rast simbolikisht ai ka respekt dhe për gomarët, dhe për gomaricat.

Siç e ke vënë re, ai nuk bën dallim mes meje dhe Albanës.

-E kuptoj, tha Spaho, tani që po e mendoj kështu si e thoni ju, keni të drejtë.

Por unë desha t’i mbroj gratë e grupit të mos fyheshin, ndaj i thashë “më mirë të na thoje ne gomerë se sa the gomarica”.

Se më dukej sikur e kishte me gratë demokrate.

Dhe thashë më mirë ta marrim këtë turp përsipër ne burrat.

-A, dakord. Po të jetë kështu, ka kuptim, tha Muli.

Por kjo ka nevojë për sqarim të brendshëm.

Duhet t’i shpjegosh Albanës që nuk ke gjë me gomaricat, që të mos i ngelet qejfi.

-Patjetër, tha Spaho. Unë jam profesor i ekonomisë dhe i njoh mirë velrat e gomerëve dhe gomaricave në punë të vështira në ekonomitë ndihmëse.

Të dy janë njësoj punëtorë.

Kur thashë që gomerët bëjnë dhe ndonjë punë, e kisha fjalën që ndihmojnë gomaricat në punët e tyre, jo se janë më të zotët se ato.

-Dakord, tha Muli. Tani jam i qartë.

Duhet ta sqarojmë këtë situatë se ka ngritur shumë shqetësime në PD.

Se ai Edi Rama është provokator. Ndaj zgjedh fjali të tilla nga ai Beu, si e ka ai, që të na fusë sherrin brenda.

Lini një Përgjigje