Muli i shqetësuar që Putini i vjedh idetë Doktorit 

12 Nëntor 2022, 20:06Antena TEMA

Muli sot u shqetësua së tepërmi nga gjesti i Putinit.

Ai kishte shpallur Aleksandër Sorosin “person non grata” në Rusi.

Ky është premtimi më madhor që Doktori u ka dhënë shqiptarëve.

Edhe këtë premtim më në fund shkon ja vjedh Putini dhe tani Doktori duket si pasues i tij.

Kjo gjë e shqetësoi shumë.

Lelo, që kupton nga këto punët e botës, nuk dukej i shqetësuar.

-Mua më duket serioze, i tha Muli.

Putini nuk mund t’ia bënte këtë Doktorit.

Ai vërtet ka mungesë idesh dhe dëgjon Doktorin për çdo gjë, por kjo është flagrante.

Këtë e ka premtuar Doktori.

-E vërtetë, tha Lelo.

Nuk është hera e parë që Shqipërisë i ndodh kjo gjë.

Edhe në kohë të komunizmit kishte probleme të tilla, kur ne kishim një armik, të cilin na e vriste para se ta vrisnim ne një armik tjetër. Ka pas plot raste.

-Më thuaj një, tha Muli.

-Ja për shembull. Në atë kohë u botua një libër, "kundër-revolucioni në kundër-revolucion.”

Ishte fjala për Poloninë. Les Valesa kishte krijuar Solidarnosin dhe po rrëzonte qeverinë revizioniste që donte ta rrëzonte shoku Enver.

Por ai që po e rrëzonte qe një armik më i keq, se qe antikomunist.

Kështu që u shpik teoria që kur kundër-revolucion bën kundër-revolucioni, nuk është revolucion.

Është pak e ngatërruar për ty, por pak a shumë si kjo punë e Putinit është.

-E kuptoj, tha Muli. Po tani si do ta bëjmë?

Se ky Altin Goxhaj në miting ishte shumë entuziast.

Tha duhet ta bejmë dhe ne si në Rusi, ta shpallim “non grata”.

Nuk dukemi pak si spiunë rusë?

-Jo, tha Lelo. Ne do themi që Putini është servili jonë, por ne nuk kemi punë me të.

Ai na vjedh idetë. Ai edhe gjërat kundër Amerikës i ka kopjuar nga Doktori.

Edhe gjërat kundër Britanisë së Madhe i ka kopjuar nga Doktori.

Pastaj Doktori është “non grata” aty, ai nuk është. Kjo është padrejtësi.

-D.m.th ti thua ne të vazhdojmë punën, pavarësisht se jemi në një linjë me Putinin?

-Po çdo na bëjnë ne, tha Lelo. Më shumë se sa na kanë thënë s’do na thonë.

Rëndësi ka që të vijë dita të jemi në pushtet, që ta nxjerrim “non grata”.

Se kështu në opozitë e nxjerrim përditë, por nuk i shkon letra.

-Ja të shikojmë mitingun tjeter, tha Muli, se me këtë su bë gjë.

Lini një Përgjigje