Sot Ilir Meta mori një dekoratë të lartë nga Mongolia.
Dekoratën e sollën në Tiranë disa deputetë mongolë, me të cilët u takua dhe Muli.
Duke i shpjeguar Lelos skenën e takimit me ta, Muli nuk e fshehu xhelozinë për dekoratën për Metën.
-Më thirrën në Parlament t’i takoja, tha Muli.
Më tha sekretarja se është një delegacion i lartë deputetësh nga Mongolia.
Ata filluan të më flisnin për miqësinë shqiptaro- mongole, dhe se si Mongolia komuniste nuk ishte prishur me Shqipërinë pas prishjes me Kinën, por kishte vazhduar rrugën e miqësisë me shokun Enver.
Pastaj më folën për periudhën e lavdishme të perandorisë mongole drejtuar nga Xhinxhins Kani, e cila erdhi deri në kufijtë tanë.
Pastaj dolën në temë.
-Duam t’iu ftojmë në ceremoninë e dekorimit të presidentit Ilir Meta më thanë.
-Më falni, i thashë, po Ilir Meta nuk është më president.
-E morëm vesh, tha ai kryesori, por ne e kemi bërë dekoratën gati një vit më parë, pasi na e kërkoi zoti Meta.
Ëndrra e tij ishte të dekorohej nga një perandori.
Na tha që SHBA nuk e do dhe nuk e dekoron.
Rusët po ashtu nuk e dekorojnë se nuk e përfillin.
Me turqit ishte zënë me këtë Erdoganin dhe nuk i jepnin dekoratë.
Kam shumë dëshirë të marrë nga Mongolia, tha, se jam një adhurues i Xhinxhins Kanit dhe i di përmendësh gjithë betejat e tij se kam parë filmin.
Dhe ne vendosëm t’ia bëjmë dekoratën.
Pastaj siç i kemi ne punët me ngadalë, ngeli dekorata se nuk kishte kush t'ia çonte, pasi ai premtoi se do vinte vet në Mongoli.
Nuk erdhi se donin ta shkarkonin këtu dhe ishte i zënë me punë. Ndaj vendosëm t'ia sjellim vetë.
-Kjo është dekroata më e lartë e shtetit Mongol për të huajt, përfundoi deputeti mongol.
-Shumë mirë keni bërë, i thashë. Faleminderit.
Nëse mundeni na bëni dhe një tjetër, për një ish- president tjetër që ka qenë para Metës. Quhet Sali Berisha.
Do jenë të dy në një koalicion tani dhe nuk ka lezet, njëri të dekorohet nga Mongolia, tjetri jo.
-Çfarë na ofroni ju në shkëmbim, më tha?
-I premtova se do t’i vëmë emrin koalicionit Xhinxhins Khani, që të tmerrohen këta kundërshtarët.
-E ke mbështetjen tonë të plotë, më tha.
Sa të kthehemi në Mongoli do ta bëjmë gati dekoratën.
Nëse ka kohë të vij ta marrë vetë, ndryshe, në vizitën e radhës pas 4 vitesh e sjellim ne.
-Unë them të shkojmë vetë, tha Lelo.
Është dhe një karshillëk ndaj SHBA e BE që duan të na izolojnë.
Dhe Shoku Enver me Mongolinë u bënte karshillëk kur u izolua dhe nga Kina.
Lini një Përgjigje