Muli i tronditur që deputetja e Foltores ka bezdi pleqtë 

18 Janar 2023, 20:19Antena TEMA

Muli u alarmua sot paradite. Lelo e mori në telefon dhe i tha se një deputete e Foltores paska thënë “nuk do rrijmë të dëgjojmë këta pleqtë tani”.

-Si ka mundësi, tha Muli? Ajo është deputete serioze.

Si mund t’ia bëjë Doktorit këtë?

-Nuk e di, tha Lelo. Tek titrat e pashë.

Muli i shqetësuar mori Albanën.

-Na paska tradhtuar kjo deputetja e Sarandës, tha.

Paska sulmuar Doktorin. Ka thënë s'mund të rrijmë të dëgjojmë një plak.

-Ua, qyqja. S'ma priste mendja kurrë, tha Albana.

Megjithatë kam parë ca shenja të dyshimta tek ajo. Ja do pyes e të them.

I mërzitur për këtë zhvillim, Muli po përgatitej si t’ia thoshte Doktorit lajmin.

Po t'ia thoshte direkt që ajo na tradhtoi, do mërzitej dhe do thoshte:

-Të kam thënë mos më sill lajme të tilla. Është përgjegjësia jote kjo.

Po si t’ia thoshte me takt?

Fjala vjen, sikur nuk më pëlqen kjo deputetja kohët e fundit... Sa për ta provokuar.

Prapë ishte i pasigurtë në reagimin e tij.

Në një moment mendoi t’ia thotë më mirë Zenit dhe të gjejë ai mënyrën se si t’ia thotë.

Me atë s’kish problem, ja thotë copë.

Ndërkohë që po mendonte si të dilte nga ky hall, e merr përsëri Lelo.

-Paska pasur urrejtje të madhe për Doktorin kjo deputetja, tha.

Se do ta poshtërojë për moshën.

Ndërkohë siç e kam thënë dhe tek vjersha ime për të, ai aty e ka vlerën, tek mosha.

S'di si mund ta bëjë një femër këtë. 

-Lere se më ngriti nervat, tha Muli.

Do ta marr vet në telefon dhe do ta bëj mut.

Dhe ashtu bëri.

-Ku je ti zonjë tani, i tha?

-Në Komision, i tha kjo, po flas.

-Po mire, a ke një minimum respekti ti për të moshuarit?

Si mund t’u thuash ku durohen pleqtë.

Doktorin e respekton dhe dëgjon një Shqipëri e tërë, ti e paske bezdi.

-Ua, se kam thënë për Doktorin këtë. E kam thënë për Petro Koçin.

Si mund t’i them Doktorit plak unë...

-Aaa.. po fol se na çudite, tha Muli.

Se më thanë që ke thënë ku durohen pleq si Doktori.

-Jo, në asnjë mënyrë. Kam thënë ku durohen pleq si Petro Koçi...

-Nejse, mirë që s’ke thënë për Doktorin, kjo ka rëndësi, se Petrua është mosha ime, tha Muli.

Lini një Përgjigje