Muli kërkon që Doktori të ndryshojë sjellje ndaj Belos

29 Prill 2023, 19:34Antena TEMA

Lelo sot erdhi më entuziast në takimin me Mulin.

-Doktori do dalë me Belon sot, i tha, tek takimi me vajzat.

Se ka dy javë pa dalë me të.

-Po pse në takimin me vajzat, tha Muli, se mund të merret ters që është penduar që s’ka vënë një vajzë? 

-Jo, tha Lelo, se nuk merr vesh ti nga këto simbolika.

E ka zgjedhur me kujdes që të tregojë se e mbështet.

-Kam një hall të madh tha Muli. Se ti je i ri në PD.

Këtij Belos po ja bëjnë si Kol Olldashit më 2007 kur konkurroi për Bashki.

Gjithë drejtuesit e PD u gëzuan kur humbi dhe ja nxinë jetën gjithë fushatës.

Secili e bënte për llogari të vet, se thoshin po na fitoi bashkinë na bëhet udhëheqës.

Dhe Belon kjo e ka gjetur, tha Muli. E kuptoj.

Puna është që mos të bashkohet dhe Doktori me këta se do na dëmtojë shumë.

-Jo, tha Lelo. Doktori do të krijojë idenë që ka rënë simbolika që kush bëhet kryetar bashkie, bëhet kryetar partie e pastaj kryeministër.

Na rezultoi dështim me Lulin, ndaj duhet të ndryshojë fabula.

Kryetari i partisë nuk ndryshon më gjithë jetën, kryetari i Bashkisë është aspirata më e lartë që duhet të ketë çdo demokrat.

Ndaj po ja bën këto leksione Belos që të mos rrisë pritshmëritë.

-E kuptoj, tha Muli, por nuk e kuptojnë demokratët.

Ndaj na duhet shumë punë në këtë drejtim.

Mirë Belua që iku bedel për Doktorin, por të paktën të mos na tremben të tjerët se s’do gjejmë më kandidatë për bashki në të ardhmen.

Lini një Përgjigje