Me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Muli vendosi të bëjë publike disa nga mbresat e tij nga përpjekjet e dështuara të UDB, për ta rekrutuar Mulin ai agjent:
“Të dashur bashkatdhetarë!
Sot me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës dua të bëj publike rezistencën dhe qëndrimin tim burrëror në zyrat e UDB në Prizren, në shkurt 1991, për të mos u dorëzuar para oficerëve të UDB, të cilët donin të më bënin agjent të UDB.
Mbaj mend se si inspektori serb më thirri në zyrë, më nxorri para një uiski dhe më pyeti sa vjeç isha dhe çfarë pune bëja.
I thashë që kam mbaruar shkollën e mesme dhe dua të bëhem politikan.
-Po pse ke ardhur këtu, më thanë?
-Dua të frymëzohem nga Kosova, iu thashë.
-A e njeh Ibrahim Rugovën, më thanë?
-Jo, iu thashë, por ai do ta çlirojë Kosovën dhe do bëhet shtet i pavarur më 2008.
-Ou, si ka mundësi ta dish këtë, më thanë?
-E di, iu thashë. Unë kam ardhru këtu të njoh nga afër UDB dhe do kthehem në Tiranë, se do hyj në Partinë Demokratike, e cila më 1992 do marrë pushtetin dhe më 2008 kur të shpallet pavarësia e Kosovës, do jetë në pushtet.
-Ou, kjo qenka interesante, më thanë.
A do të bëhesh bashkëpunëtori ynë dhe të të ndihmojmë të ecësh më shpejt në karrierë?
-Jo, iu thashë. Unë kam besim tek Doktor Berisha dhe ai do më avancojë mua në karrierë.
-E di, e kemi dhëndër, më thanë. Po deshe i themi një fjalë.
-Ajo që dua nga ju, iu thashë, është të lidhni duart dhe të më ktheni mbrapsht në Kukës e të thoni që ky nuk ju dorëzua UDB.
-Patjetër, më thanë, po deshe të çojmë deri në Tiranë, se kemi aq miq.
-Jo, mjafton deri në Kukës, u thashë.
-Dëgjo këtu, më thanë. Këtë për Ibrahim Rugovën e ke gabim.
Nuk ka për t’u bërë Kosova e pavarur. Ndrysho mendim.
Po unë nuk ndryshova kurrë mendim.
U ktheva në Tiranë dhe të gjitha parashikimet që u thashë atyre të UDB më dolën.
U bëra politikan i rëndësishëm, dhe Kosova u bë e pavarur.
Tani kam një kërkesë për qeverinë e Kosovës.
Edi Rama po kërkon dosjen time në UDB gjithandej.
Mos ja dorëzoni nëse e keni gjetur, se ai ja jep Vuçiq.
Lini një Përgjigje