Muli optimist për debatin filozofik “Ku po shkon e djathta shqiptare?” 

21 Mars 2023, 19:31Antena TEMA

Muli shpërndau sot ftesat për debatin filozofik të ditës së shtunë me temë “Ku po shkon e djathta shqiptare?

Lelo, i cili do të moderojë panelin, i tregoi për folësit kryesorë.

Folësi kryesor është Nard Ndoka, i cili përfaqëson Partinë Demokristiane, një parti që ruan vlerat e konservatorizmit perëndimor në Shqipëri, është kundër abortit dhe respekton shumë familjen.

Teza kryesore që do mbajë Ndoka ka të bëjë me të ardhmen e së djathtës shqiptare, pas zhvillimeve të fundit.

Ndoka ka arritur në disa përfundime.

Përfundimi i parë është që grupi i Alibashës, po u bashkua me Doktorin, është i djathtë, po nuk u bashkua është i majtë.

Në të dy rastet nuk e dëmton të djathtën.

Përfundimi i dytë është se e djathta shqiptare nëse fiton zgjedhjet do të shkojë drejt pushtetit, nëse i humbet do të shkojë drejt opozitës.

Përfundimi i tretë është se Doktorin e ndan vetëm vdekja nga PD.

Prandaj duhet parë kush do vdesë më shpejt, PD apo Doktori.

-Unë shpresoj se vdes PD, mendon Ndoka.

Ndërkohë Klevisi ka arritur në përfundime edhe më të rëndësishme.

Përfundimi i parë i rëndësishëm është që PD do të shkojë drejt modelit të Trumpit, vetëm kur të vijnë në krye të saj brezi i dytë i demokratëve, te cilët kanë lekë.

Shpresa është Zeni, sipas Klevisit, pasi vetëm atij dhe Trumpit, i përmendin lekët për dashnore.

Përfundimi i dytë është që vetëm revolucioni mund ta bëjë PD një parti të djathtë të vërtetë.

Këtë e ka dëshmuar revolta e unazës së Tiranës, kur për një vit, 40 revolucionarë arritën të pengojnë ndërtimin e unazës.

E ardhmja e PD është në dorë të revolucioneve të tilla.

Përfundimi i tretë dhe më i rëndësishëm është që e ardhmja e së djathtës jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë, është e lidhur me Doktorin.

Doktori po reformon aktualisht të djathtën amerikane, të djathtën britanike, të djathtën italiane dhe atë franceze.

Natyrisht dhe të djathtën shqiptare.

Kur revolcioni i Doktorit të fitojë në gjithë botën, do fitojë dhe në Shqipëri.

1 Komente

    Lini një Përgjigje