Muli përgatit fjalimin përshëndes për KPL e Metës 

19 Prill 2024, 20:19Antena TEMA

Muli bëri gati sot fjalimin përshëndes për KPL e Metës, e cila po mblidhet në një periudhë të ngarkuar me shumë tension dhe humor, dhe që është një gërshetim i ndarjeve të mëdha familajre për arsye politike dhe ndarjeve politike për arsye familjare. 

Lelo i kishte përgatitur tezat kryesore të fjalës përshëndetëse: 

“Të nderuar përfaqësues të Partisë së Lirisë.

Ju po provoni sot se jeni me të vërtetë njerëz të lirë, madje njerëzit më të lirë të këtij vendi. 

Të gjithë ne të tjerët që jemi në politikë herë pas here na shkrepin mendime dhe ide si këto tuajat që po i thoni publikisht, por jemi të rezervuar, të vetcensuruar dhe mbi të gjitha, të kufizuar të jemi kaq të lirë. 

Liria juaj për t’i thënë të gjitha që u vijnë në mendje është një shembull i lartë i lirisë në këtë vend dhe ju e meritoni të jeni Parti e Lirit dhe e Lirisë. 

Nga ana tjetër, ju jeni sot i vetmi ishull optimizmi në opozitë, pasi ju reformoni vetveten duke na ndryshuar të gjithëve dhe duke na vënë para përgjegjësisë të ndryshojmë dhe ne. 

Deri më sot, njerëz të tillë si ju kam parë vetëm në Rrugicën e Lirisë.

Dhe aty, njësoj si tek ju, vijnë njerëz të lire, që thonë çfarë u vjen në mendje.

Ju jeni rasti i ngjashëm i atij ishulli lirie. 

Është pikërisht kjo baza që na bashkon për të ardhmen.

Liria e njerëzve që thonë çu vjen në mendje tek Rrugica e Lirisë dhe liria e njerëzve që thonë çfarë u vjen në mendje tek Partia e Lirisë, është liria që kanë ëndërruar shqiptarët.

Këtë liri nuk na e merr dot më askush”. 

Lini një Përgjigje