Muli po shikon mundësinë e organizmit të “Sekondareve” pas dështimit të Primareve 

4 Dhjetor 2022, 20:41Antena TEMA

Pas përfundimit të primareve të cilat u shoqëruan me braktisje nga gara dhe parregullsi masive në votim, Muli u ul me Lelon të zbulonin arsyen pse u doli nga kontrolli situata. 
-Ndoshta bëmë pak gabim tha Lelo. I motivuam më shumë se sa duhej kandidatët dhe ata menduan se do zgjidheshin kryetarë bashkie sot. Kjo u zgjoi instinktet e vjetra dhe vodhën votat. 
-Jo tha Muli. Na e prishën këta të LSI. Ata janë të etur për të parë vota me sy. Kur panë gjithë ato vota sheshit sot, me sa duket u iku mendja dhe na i bën përshesh zgjedhjet. Nejse tani mbaroi kjo punë. Duhet të qetësohemi pak e të shikojmë kë do nxjerr Alibasha. Se me ata e kemi problemin më të madh. 
-Kam një frikë i tha Lelo. Shumë nga këta tanët që u mërzitën sot, kam frikë se do bëhen me ata të Alibashës nga inati. Ndaj na duhet një fabulë bashkimi tani. 
-Nuk kemi shumë hapësirë tha Muli. Ti thërrasim një nga një e tu themi do tu bëjmë nënkryetar bashkie, por hiqni dorë nga kandidimi. 
-Unë them të organizojmë Sekondaret, -tha Lelo. Sekondaret do të jenë një praktikë e re në Foltore.  
Primaret zgjedhin më të mirin e atyre që duan Doktorin. Sekondaret zgjedhin më të mirë e atyre që duan Doktorin dhe Alibashën. Kjo mund të na e forcojë bashkimin. 
-Puna është se me këtë zakon që kanë këta tanët, nuk u lënë asnjë votë të Alibashës dhe i bëjmë edhe më shumë armiq seç janë tha Muli. Ndaj është më mirë t'i gënjejmë me poste që s'do t'i marrin pas zgjedhjeve se sa me gjëra që verifikohen para zgjedhjeve se e bëjmë më keq. 
-Nejse më pëlqen shumë ideja e sekondareve tha Lelo. Krijojmë një risi dhe dukemi parti moderne. Dhe kështu herën e tretë janë zgjedhjet e vërteta. Kot nuk i thonë e treta e vërteta. Lidhet dhe me faktin që janë zgjedhjet e treta lokale në opozitë dhe duket slogan i përbashkët “E treta, e vërteta”.

Lini një Përgjigje