Muli shpreson tek një aleancë historike me Albinin 

30 Maj 2023, 19:45Antena TEMA

Pas ngjarjeve të fundit në Veri të Kosovës dhe qëndrimit burrëror të Albin Kurtit, që nuk ju tremb syri as nga sanksionet amerikane kundër Kosovës, Muli po e shikon Albinin si aleat historik të Doktorit.

-I vetmi që i ka qëndruar ballë për ballë SHBA pas Doktorit është Albini, i tha Muli, Lelos.

-Nuk është e njëjta gjë, tha Lelo.

Doktori i ka qëndruar personalisht, është dhe më burrë se ai.

Ai po qëndron si kryeministër i Kosovës.

Doktori u qëndroi duke mos qenë asgjë.

Tani që po bëhet kryetar i PD, është më ndryshe.

-Nejse, ne kemi nevojë për aleatë në këtë pike, tha Muli.

Duhet ta inkurajojmë Albin në këtë rrugë, që nëse sanksionohet dhe ai si Doktori, s’ka ku shkon dhe formojmë një aleancë historike Shqipëri- Kosovë.

Se me këta të LDK asnjëherë s’ja kemi qëlluar.

Gjithmonë na kanë lënë në baltë për Amerikën.

Dhe më ‘97 na lanë në baltë, dhe tani.

-Nuk jam kundër, tha Lelo.

Por Albini po e mori non grata, do ta marrë nga presidenti Biden.

Do jetë pak më i rëndësishëm se Doktori në këtë pikë.

Mund të bëhet xheloz Doktori.

Se ai mund të sanksionohet për destabilizim të rajonit.

Doktori vetëm për korrupsion dhe zgjedhje është ndëshkuar.

-Rëndësi ka të krijojmë një front të përbashkët, tha Muli.

Në pamundësi për t’u bërë shumicë në Shqipëri, të paktën të bëhemi aleatë në gjithë rajonin, se kështu na kanë më shumë frikën.

Se këtu në Shqipëri nuk pyesin shumë ata.

-Mua më duket se në atë rrugë është, tha Lelo.

Doktori duhet të këmbëngulë që ato katër komunat mos t’i dorëzojë më.

Dhe socialistët ikën nga zgjedhjet më 26 maj, po Doktori nuk u dorëzua, edhe pse SHBA i kërkoi përsëritje.

Dhe Albini nuk ka pse dorëzohet.

Kjo është e vetmja rrugë që të bëhemi bashkë.

Pastaj ta shikojë Sorosi.

Lini një Përgjigje