Protestat nuk prodhojnë liderë

9 Qershor 2026, 15:05Blog TEMA
Protestat nuk prodhojnë liderë

Nga Ardi Stefa

Protestat që po zhvillohen në Shqipëri kanë arritur diçka që deri pak kohë më parë dukej e vështirë: kanë thyer apatinë. Kanë nxjerrë në shesh qytetarë që nuk identifikohen as me qeverinë dhe as me opozitën tradicionale. Kanë sjellë energji, zemërim dhe një kërkesë të qartë për ndryshim. Vetë ky është një zhvillim i rëndësishëm për një shoqëri që për vite me radhë është mbajtur peng nga një përplasje e lodhur dhe sterile mes të njëjtëve aktorë politikë.

Por këtu lind një keqkuptim.
Entusiazmi kolektiv krijon iluzionin se nga turma do të dalë automatikisht edhe lideri i ardhshëm.
Por zakonisht kjo ndodh shumë rrallë.

Protestat mund të prodhojnë energji, revoltë, ndërgjegjësim dhe presion publik. Mund të rrëzojnë qeveri, të detyrojnë pushtete të tërhiqen dhe të ndryshojnë agjenda politike. Por protestat, në vetvete, nuk prodhojnë liderë. Protestat vetëm i nxjerrin në pah ata. Ose tregojnë mungesën e tyre.

Turma nuk është lidership. As brohoritja është vizion. Zemërimi nuk është program politik.
Edhe protesta më e bukur, më masive dhe më entuziaste e ka një kufi; ajo di kundër kujt ngrihet, por jo gjithmonë di çfarë duhet të ndërtohet më pas. Pikërisht në këtë pikë lind nevoja për lidership.

Nga protestat duhet të evidentohen individë që gëzojnë besim publik, që dinë të artikulojnë qartë problemet dhe zgjidhjet, që kanë ide të qarta për të ardhmen dhe që janë në gjendje të mbajnë përgjegjësi. Jo kush flet më fort, por kush mendon më qartë. Jo kush mbledh më shumë duartrokitje, por kush ofron më shumë alternativa.

Nëse protesta nuk arrin të evidentojë figura me integritet, artikulim, vizion dhe aftësi organizuese, ajo rrezikon të mbetet thjesht një shpërthim emocional që do të shuhet me kalimin e kohës.

Nëse protestat duan të kenë ndikim afatgjatë, ato duhet të kalojnë nga faza e revoltës tek faza e përfaqësimit. Duhet të arrijnë të identifikojnë individë që jo vetëm protestojnë, por që mund të udhëheqin. Njerëz që dinë të shpjegojnë jo vetëm se çfarë nuk shkon, por edhe se si mund të rregullohet. Njerëz që kanë kurajën të marrin përgjegjësi dhe jo vetëm të kritikojnë.

Kjo është shumë më e vështirë sesa organizimi i një proteste.

Një lider nuk lind se ndodhet në rreshtin e parë të një proteste. Ai provohet nga aftësia për të ndërtuar vizion, për të bashkuar njerëz të ndryshëm dhe për të transformuar revoltën në projekt politik. Protesta është vetëm momenti kur ai bëhet i dukshëm.

Liderët janë të nevojshëm sepse protestuesit duhet të kuptojnë se të mbledhësh një turmë është një gjë. Të ndërtosh besim është një gjë tjetër. Të krijosh parulla është e lehtë. Të ndërtosh një program është shumë më e vështirë. Të kritikosh pushtetin është e nevojshme. Të tregosh se mund të qeverisësh më mirë është sfida e vërtetë.

Shumë lëvizje kanë dështuar pikërisht sepse ngatërruan masivitetin me lidershipin. Besuan se turma do të zgjidhte vetvetiu problemin e përfaqësimit. Por kur protesta mbaron, njerëzit kërkojnë dikë që të flasë në emër të tyre, të negociojë, të organizojë dhe të ndërtojë alternativën.

Prandaj sfida e çdo proteste serioze është të identifikojë dhe të nxjerrë në pah figurat që mund të shndërrohen në drejtues të besueshëm të së nesërmes.

Nëse protestat mbeten vetëm protesta, ato do të konsumohen nga koha. Nëse mbeten vetëm revoltë, do të humbasin forcën e tyre transformuese. Nëse mbeten vetëm një "jo" ndaj pushtetit aktual, pa ndërtuar një "po" për të ardhmen, atëherë do të krijojnë zhgënjimin e radhës.

Protestat janë fillimi i ndryshimit, jo fundi i tij. Ndryshimi i vërtetë nis kur nga energjia e turmës lindin ide, nga idetë lind organizimi dhe nga organizimi dalin liderët që marrin përsipër barrën e drejtimit.

Ndaj them që protestat nuk prodhojnë liderë. Ato vetëm krijojnë mundësinë që liderët të zbulohen. Dhe nëse kjo mundësi humbet, atëherë protesta shuhet, turma shpërndahet, pankartat hiqen dhe gjithçka kthehet si ishte më parë.

1 Komente

  1. ÷÷

    Protestuesit e PD-sē, Shqipēria bēhet, Partia Mundēsia, Nisma bashkē, apo ndonjē i kthyert nga emigrimi ( me pushime ose pērgjithmon), jan mbledhur me bērē publike shqetësimin, sigurin,depresionin, rrezikun, kalvarin e vuajtjeve, padrejtsin qē kan pērjetuar., dhe gjejn mundēsi ta shprehin.Do ishte mirē qē tubimi tē mbahet para kryeministris pas orēs 21 tē mbrēmjes, kēshtu qē ka mē pak lēvizje dhe do kuptoheshin mē mirē.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje