Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, është pezulluar pas përfundimit të një procesi disiplinor të nisur mbi pretendime për abuzim seksual.
Organi drejtues i GJPN-së njoftoi vendimin të hënën në mbrëmje, pasi komiteti ekzekutiv votoi për t’ia kaluar çështjen një seance të posaçme të shteteve anëtare të gjykatës, të cilat pritet të shqyrtojnë të ardhmen e Khan në këtë detyrë.
Sipas një dokumenti të parë nga “The Guardian”, komiteti i përbërë nga 21 shtete anëtare të gjykatës votoi me shumicë të cilësuar se Khan kishte kryer shkelje të rënda në lidhje me pretendimet për abuzim seksual.
Khan, një jurist i njohur britanik, i ka mohuar vazhdimisht akuzat, të cilat dolën për herë të parë në vitin 2024 dhe tronditën mandatin e tij në krye të departamentit të prokurorisë së gjykatës. Pretendimet janë ngritur nga një grua që punonte për të në selinë e gjykatës në Hagë.
Vendimi për t’ia referuar çështjen 125 shteteve anëtare të GJPN-së konsiderohet një lëvizje e paprecedentë për gjykatën dhe mund të çojë në një votim për shkarkimin e tij nga detyra.
Në një deklaratë, organi drejtues i gjykatës theksoi se pezullimi i Khan “nuk përbën tregues të rezultatit përfundimtar” të procesit. Khan më herët ishte tërhequr përkohësisht nga drejtimi i divizionit të GJPN-së që heton dhe ndjek penalisht individët e akuzuar për krime të rënda ndërkombëtare.
Sipas deklaratës, komiteti ekzekutiv e mori vendimin bazuar në një raport të një organi mbikëqyrës të OKB-së, në këshillën e një paneli ekspertësh gjyqësorë, si dhe në parashtrime me shkrim, që besohet se janë dorëzuar nga Khan dhe gruaja që ka ngritur pretendimet.
Votimi i komitetit është zhvillimi më i fundit në një proces që ka përfshirë Gjykatën Penale Ndërkombëtare prej gati dy vitesh.
Pretendimet e punonjëses së GJPN-së lidhen me sjelljen e Khan gjatë periudhës 2023-2024. Ajo pretendon se ai është përfshirë në sjellje seksuale shtrënguese dhe jo konsensuale gjatë një periudhe të zgjatur.
Avokatët e Khan kanë deklaruar më herët se ai i mohon kategorikisht pretendimet se ka ngacmuar apo keqtrajtuar ndonjë person, se ka keqpërdorur pozitën ose autoritetin e tij, apo se është përfshirë në sjellje që mund të interpretohen si shtrënguese, shfrytëzuese ose profesionalisht të papërshtatshme.
Lini një Përgjigje