Arrestimi i bosit të ‘Cosa Nostra': Si ia doli të udhëtonte për vite me radhë nga Mbretëria e Bashkuar në Amerikën e Jugut! Biografia e Hitler dhe Putin, mes librave që mbante në shtëpi

22 Janar 2023, 09:50Bota TEMA

Arrestimi i bosit të ‘Cosa Nostra': Si ia doli të

Bosi i ‘Cosa Nostras’ Matteo Messina Denaro, i cili ishte në arrati prej 3 dekadash ia dilte që të bënte pushime dhe të udhëtonte për vite me radhë nga Mbretëria e Bashkuar në Amerikën e Jugut. Ai ka pasur gjithmonë pasion të madh për udhëtimet. Në verën e vitit 1993, teksa shpërthyen bombat që kishte porositur mes Firences, Romës dhe Milanos, ishte me pushime në Versilia me bashkëpunëtorët e tij, vëllezërit Filippo dhe Giuseppe Graviano. Ndonëse ishte në kërkim, nuk e kishte aspak problem që të planifikonte udhëtimet.

Një vit më pas ishte në Spanjë, ndonëse jo për qejf apo biznes. Ai iu nënshtrua një operacioni për sytë në klinikën Barraquer në Barcelonë, ku nuk hezitoi të tregonte edhe identitetin e vërtetë. Në hetimin e fundit u zbulua se gjatë udhëtimeve përdorte edhe identitetin Andrea Bonafede për të kaluar në Amerikën e Jugut dhe në Britani. Madje ‘zhdukja e tij’ ngriti edhe kuriozitetin e Toto Riinës që të pyeste se ku ndodhej.

“Po ky Matteo Messina Denaro çfarë po bën tani për tani, që nuk di më gjë?” – ishte pyetja drejtuar shokut të tij në vitin 2013, kur nuk dyshonte se po përgjohej. “Mendoj se ka ikur jashtë vendit”, iu përgjigj personi tjetër.

Ndërkohë pasi kreu një sërë masakrash, ‘kumbari’ i mafies siciliane i mbetur në liri u zhduk. Synimi i Matteo Messina Denaros duket se ishte përkushtimi në çështjet ndërkombëtare. Në Venezuelë vendosi që të investonte për të hapur një kompani shpendësh. Këtë e zbuloi një i penduar, Franco Safina, i cili tregoi se ishin dorëzuar 5 milionë dollar për kompaninë që do të ishte në pronësi të një siciliani që përdorte emrin Gaspare Bianco. Kjo ndodhi rreth viteve ’90, kur përdorte dokumente të falsifikuara. Ndërsa deklaratat e një arkitekti nga Agrigento, i çuan hetimet në Angli, ku dyshohej se ndodhej bosi i mafies.

Shumë ka udhëtuar edhe Luca Bellomo, nipi i Messina Denaros. Bellomo është martuar me mbesën e bosit të mafies, Lorenza Guttadauro, e cila tashmë është avokatja e kumbarit të arrestuar të hënën. Në atë kohë, hetimi kishte ngritur më shumë se një dyshim për disa udhëtime midis Kolumbisë, Francës dhe Shqipërisë. Aso kohe, kompania që drejtohej nga Bellomo furnizonte mbulesa tavoline për hotelet më të mira siciliane. 


Messina Denaro u rishfaq në Siçili në vitin 2019, që përkon me fillimin e sëmundjes së tij. Teksa kishte disa streha ku fshihej mjaft mirë, përfundoi në pranga më 16 janar 2023. Hetimet treguan se një vit më parë, në janar 2022, bosi i mafies kishte shkuar personalisht për të blerë një makinë me vlerë 10 mijë euro, të cilat i kishte paguar cash dhe automjetin ia kishte regjistruar nënës 86-vjeçare të Andrea Bonafede. 

Gjithashtu nga kontrollet në banesën e tij u gjetën disa libra mes të cilave edhe biografitë e Hitlerit dhe Putinit.

1 Komente

  1. P
    Po pyes per nje shok!

    Po keto “gazetaret investigativ “ shqipetare dinin gje per levizjet e ketij?!!

    Lini një Përgjigje