
Dy anëtarë të ekuipazhit të një helikopteri ushtarak amerikan, i cili u rrëzua të hënën afër Ngushticës së Hormuzit, u shpëtuan nga një dron detar amerikan, i thanë televizionit CBS zyrtarët amerikanë.
Sipas tyre, ky ishte operacioni i parë i këtij lloji që është kryer ndonjëherë nga forcat amerikane, transmeton televizioni BBC.
Komanda Qendrore e ShBA-së tha më herët se dy “ushtarë u shpëtuan në mënyrë të sigurt brenda afro dy orëve dhe janë në gjendje stabile”, pasi helikopteri i tipit “AH-64 Apache” u rrëzua “afër bregdetit të Omanit, gjatë patrullimit të ujërave rajonale”.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse helikopteri kishte pësuar ndonjë problem mekanik apo ndonjë problem tjetër teknik, apo ishte rrëzuar nga zjarri i forcave iraniane. Incidenti është duke u hetuar.
“Përpjekjet për shpëtim u udhëhoqën nga Komanda Qendrore e Forcave Detare të ShBA-së dhe Divizioni i 82-të i Parashutistëve, me mbështetje nga njësitet e Forcës Ajrore dhe Marinës së ShBA-së, përfshirë Taks-forcën 59 të Flotës së 5-të të ShBA-së” – thuhet në një deklaratë.
Zyrtarët ushtarakë që biseduan me televizionin CBS thanë se dy anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan nga një dron sipërfaqësor pa pilot, i cili u operua nga Task-forca 59.
Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë lloji i dronit u përdor në operacionin e shpëtimit, por një zyrtar amerikan i tha mediumit “ABC News” se droni ka dizajn të ngjashëm me barkat e shpejta.
Lini një Përgjigje