Izraeli vazhdon bombardimin në Gazë përkundër kritikave të ashpra të presidentit Biden

9 Shkurt 2024, 21:20Bota TEMA
Izraeli vazhdon bombardimin në Gazë përkundër kritikave

Izraeli bombardoi objektiva në qytetin Rafah në Rripin e Gazës të premten përkundër paralajmërimeve të Presidentit amerikan Joe Biden për të mos e zgjeruar sulmin tokësor në këtë pjesë të territorit ku aktualisht strehohen më shumë se gjysma e popullatës dy milionëshe të enklavës. Presidenti Biden kritikoi ashpër luftë e Izraelit, shenjë e shqetësimit për numrin e të vrarëve, që sipas autoriteteve në Gazën e udhëhequr nga grupi militant Hamas arriti në 28 mijë ndërkohë që lufta hyri në muajin e katërt.

Të paktën tetë persona u vranë të premten nga dy bombardime izraelite në qytetin jugor Rafah në Rripin e Gazës, në mesin e të cilëve tre fëmijë dhe një grua të së njejtës familje.

Sulmi i parë ajror i Izraelit goditi një ndërtesë banimi në afërsi të një spitali vetëm disa orë pasi Presidenti amerikan Joe Biden bëri kritikën më të ashpër ndaj Izraelit që nga fillimi i luftës së nxitur nga sulmi i Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite më 7 tetor.

“Mendoj se përgjigja në Rripin e Gazës është e tepruar… Po mundohem shumë që ndihma humanitare të arrijë në Gazë. Ka shumë njerëz të pafajshëm që po vuajnë nga uria, shumë njerëz të zënë ngusht dhe që po vdesin. Dhe duhet të ndalet,” deklaroi Presidenti Biden.

Presidenti Biden tha se ai po punon për një marrëveshje armëpushimi për lirimin e pengjeve dhe deklaroi se dëshiron që negociatat të “çojnë drejt një armëpushimi të qëndrueshëm.”

Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi njoftoi të premten se numri i përgjithshëm i viktimave në Gazë është afro 28,000, prej të cilëve dy të tretat janë gra dhe fëmijë. Shifrat e dhëna nga Hamasi nuk bëjnë dallimin ndërmjet viktimave civile dhe militantëve që luftojnë në Gazë.

Shumica e popullatës 2.3 milionëshe të Rripit të Gazës janë strehuar në Rafah në përputhje me urdhrat e Izraelit para fillimit të ofensivës së zgjeruar tokësore të forcave izraelite.

Izraeli ka vazhduar të bombardojë zonat ku po strehohen refugjatët e zhvendosur, duke thënë se po godet objektivat e Hamasit, grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara.

“Ishte shpërthim shumë i fuqishëm. Dolëm jashtë për të parë se çfarë ndodhi, por për shkak të tymit, nuk pamë asgjë. Dëgjuam shumë britma dhe gurë që binin nga lart. Kuptuam që katet e larta të ndërtesës tonë ishin goditur dhe gjetëm të vrarët të shtrirë përtokë. Dy prej tyre ishin një baba me vajzën e tij. Situata është shumë e vështirë; një ndërtesë e tërë u shkatërrua, pa asnjë paralajmërim,” thotë banori Wisam Abdel Mohsen.

Ndonëse forcat izraelite janë të përqëndruara në qytetin Khan Younis, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vazhdimisht ka paralajmëruar këtë javë se Rafahu do të jetë në shënjestër, duke shkaktuar panik në mesin e qindra mijërave të zhvendosurve, një e katërta e të cilëve po vuan nga uria.

Lini një Përgjigje