Kanadaja vendos sanksione ndaj shefave të sigurisë së Iranit

3 Tetor 2022, 21:40Bota TEMA

Kanadaja vendos sanksione ndaj shefave të sigurisë së Iranit

Kanadaja ka vendosur sanksione të reja ndaj disa zyrtarëve të lartë të sigurisë në Iran, duke i akuzuar ata për shkelje të të drejtave të njeriut.

Ministrja e Jashtme kanadeze, Melanie Joly tha se sanksionet janë në përgjigje “të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut” që janë kryer në Iran dhe veprimeve të kryera nga policia e moralit, që çuan në vdekjen e Mahsa Aminit, 22 vjeçe, shkruan REL.

“Irani ka vazhduar të kryejë shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar, shkelje që janë të dokumentuara, përfshirë edhe shpërfilljen ndaj jetës së njerëzve”, u shpreh ajo.

Në listën e sanksioneve janë përfshirë 25 individë dhe nëntë entitete, përfshirë zyrtarë të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike dhe të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë të Iranit.

Amini ishte arrestuar nga policia e moralit, për shkak të pretendimeve se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit.

Autoritetet thanë se Amini vdiq nga një sulm në zemër më 16 shtator, por familja e saj dhe shumë iranianë hedhin poshtë këto pretendime, duke thënë se ajo vdiq pasi u rrah nga policia.

Vdekja e Aminit ka nxitur një valë protestash ditore në mbarë Iranin.

Lini një Përgjigje